MILANO, Itali - Derbi i Italisë numër 242 foli për Interin, me zikaltërit që në ‘Giuseppe Meazza’ fituan 3-2 kundër Juventusit për raundin e 25-të në Serie A. Mbrëmja e të shtunës ishte shumë emocionuese në ‘La Scalan’ e futbollit Italian, teksa përballja i pati të gjitha.
Ishte Interi që kaloi i pari në epërsi pas autogolit të Andrea Cambiasos në minutën e 17-të. Lojtari i Juves korrigjoi gabimin dhe barazoi rezultatin në minutën e 26-të.
Minuta e 32 solli kartonin e parë të verdhë për Piere Kalulu, mbrojtësin e Juves. Vetëm dhjetë minuta më vonë, sërish Kalulu u ndëshkua me një tjetër karton të verdhë për një faull të dyshimtë, me Juventusin që ‘u derdh’ drejt arbitrit La Penna duke protestuar.
‘Zonja e Vjetër’ është ndjerë e vjedhur në këtë rast, teksa mediet italiane tregojnë se kontakti për një faull nuk ekzistonte dhe aq më tepër nuk qëndron kartoni i dytë i verdhë që solli të kuqin dhe përjashtimin e mbrojtësit bardhezi nga fusha.
Në pjesën e dytë Interi dhe Juvja patën shumë raste, por Di Gregorio dhe Sommer në portë ishin në lartësinë e detyrës. Minuta e 76-të solli golin e dytë për Interin me Piu Esposito, por shtatë minuta më pas Manuel Locatelli barazoi rezultatin në 2-2.
Fundi i ndeshjes ishte dramatik dhe për këtë u kujdes Interi që shënoi golin e tretë dhe të fitores me Zielinskin. E majta e polakut gjeti fundin e rrjetës dhe i dha suksesin e plotë zikaltërve.
Pas ndeshjes, trajneri i miqve, Luciano Spalletti dhe gjithë drejtuesit bardhezinj kanë debatuar ashpër para hyrjes në tunel me arbitrin Federico La Penna për atë karton të dytë të verdhë ndaj Kalulu që ndryshoi rrjedhën e Derbit të Italisë.
Interi me 61 pikë mbetet në krye të Serie A, ndërsa Juvja me 46 pikë spostohet në vendin e pestë.
Në gjithë historinë mes tyre, Interi dhe Juvja janë përballur 242 herë, teksa 111 fitore kanë folur për Juventusin, 71 fitore për Interin dhe 60 duele janë mbyllur në barazim.

Tensione të mëdha në korridoret e stadiumit ‘Giuseppe Meazza’ pas ndeshjes Inter 3-2 Juventus. Trajneri i miqve, Luciano Spalletti dhe gjithë drejtuesit bardhezinj kanë debatuar ashpër para hyrjes në tunel me arbitrin Federico La Penna për atë karton të dytë të verdhë ndaj Kalulu që ndryshoi rrjedhën e Derbit të Italisë.
Komente









