Intervista/17 vjeçarja shqiptare
hap shoqatë bamirësie online

Intervista/17 vjeçarja shqiptare<br />hap shoqatë bamirësie online
Hiljana Biba në pamje të parë duket një vajzë që ka mbaruar studimet. Në fakt, ajo është vetëm 17 vjeç. Sapo ka mbaruar vitin e dytë në gjimnazin Petro Nini Luarasi.

Veç pamjes ajo ka një intelekt ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj, e cila që në vogëli ka treguar interes për artin. Dhuntinë për të pikturuar Hiljana e ka trashëguar nga gjyshja e saj dhe në fillim të shtatorit, ajo do të zhvillojë një ekspozitë me pikturat e saj gjatë 17 viteve të jetës. Ndërsa pasioni për shkrimin dhe regjinë ka ardhur me kohën. 

“Ekspozita do të mbahet pak ditë përpara premierës së filmit dhe quhet ‘What made me’, duke qenë se zgjerimi im në art ka nisur nga piktura dhe do të ketë prezantime të punëve të mia që e vogël e deri më tani”, tregon 17 vjeçarja për Shqiptarja.com .  Hiljana, beson se Shqiptarja.com  po i jep asaj mundësinë për të promovuar punën e saj prej vetëm 4 ditësh dhe netësh pa pushim në filmin “A world full of wonders” dhe jo vetëm.

“Unë besoj se puna duhet promovuar, në mënyrë që të ketë rezultat. Ju falënderoj vërtet. Mua nuk më ka ndihmuar as drejtoresha e shkollës. Nuk më jepte as leje për prova, më e pakta,” tregon Hiljana mbi vështirësitë që ka hasur në realizimin e filmit të parë.  Por kjo nuk e ka penguar vajzën 17 vjeçare të këmbëngulë për veten dhe për 13 shokët e saj aktorë.

Ajo bëri të mundur që filmi i saj me metrazh të shkurtër të jepej tek Kinema Agimi në datën 15 Maj.  

“Filmi u pëlqye shumë kur e paraqita në kinema dhe ata më mundësuan sallën. Ramë dakord që fitimi të ishte gjysmë për gjysmë. Çmimi i biletës ishte vetëm 200 lekë. Jam e lumtur se salla u mbush më shumë se gjysma. Ndaj dua që të mos e lë me kaq,” tha Hiljana.  

Hiljana ka menduar të prezantojë filmin e saj të dytë “Shënjestra” përpara publikut shqiptar, javën e dytë të shtatorit, por dëshira e saj është që kësaj here ta shikojë sallën plot.  Por përveç filmit që është shumë interesant, i cili është një dramë i zhanrit  psikologjik, në bashkëpunim me disa student të artit që jetojnë në Angli, ajo që Hiljana bën me të ardhurat nga shfaqja e filmit në kinema, është edhe më interesante.

“Edhe pse fitimi në filmin e parë nuk ishte shumë i madh, për shtresën e varfër ai është i domosdoshëm. Ndaj ne vendosëm t'ua dhurojmë atyre. Dhe të jeni të sigurt që mirënjohja në sytë e tyre ishte fitorja jonë më e madhe. Andaj ju lutem, ejani ta shihni filmin në kinema! " - u shpreh Hiljana për Shqiptarja.com.

Ndër të tjera, nisma e fundit që ka ndërmarrë Hiljana, është emocionuese: Ka hapur një SHOQATË BAMIRËSIE, e cila quhet ‘smile’. “ Shoqata ka 70 anëtarë nga mosha 13 deri në 26 vjeç. Ndihmojmë vetëm të pastrehuarit, sidomos në rastet emergjente, si ajo në këtë verë. Paratë nuk lejohen në një rast të tillë, dhuruesit do t’i investojnë personalisht në listën e sendeve të nevojshme që ne e postojmë në webin tonë smileshope.webs.com . Paratë që do të fitoj unë nga ekspozita dhe filmi, sigurisht që do të shkojnë përsëri te shoqata”, rrëfen Hiljana me sytë që i shkëlqejnë nga mirësia.
 
Ne epokën e internetit, ku asnjëherë nuk ke kohe mjaftueshëm edhe gjithë koha na shkon mbi ekrane, ku faturat paguhen online, pazaret e shopping behën online, kurset e trajnimet bëhen online, njohjet e dashuritë po online...mund të bëni edhe bamirësi online! Për të gjithë ju që keni pasur gjithmonë dëshirën e mirë, por asnjëherë kohën e duhur, Hiljana ka gjetur zgjidhjen ideale. ONLINE! Bashkojuni nismës së saj.
 
 - Si është një ditë e zakonshme për ty, Hiljana. Si mundesh të gjesh kohë dhe të kesh dëshira për të gjitha?
 Unë zgjohem herët në mëngjes, në orën 6 dhe fle në orën 10 të mbrëmjes. Gjithmonë ndjek këtë ritual. Një ditë e zakonshme për mua nis duke kryer aktivitetet personale, më pas duke shkruar ose detaje që vë re gjatë ditës, ose redaktoj librin tim dhe në varësi të frymëzimit edhe pikturoj. Pastaj më vonë qëndroj një orë me internet duke lexuar rreth informacioneve më të fundit, të rejat e fundit. Pasdite studioj rreth 2 orë për degën time kardiokirurgjinë nëpërmjet kurrikulave online dhe më pas punoj me gjuhën angleze dhe italiane. Pasdite bej aktivitet fizike dhe në mbrëmje përfundoj ndonjë punë të lënë përgjysmë, si dhe kaloj kohë me familjen time. Sidomos me mamin.

- Kush ka qenë përkrahja dhe shtysa më e madhe për ty?
Mami im. Ajo është. E di që është e gatshme të bëj gjithçka për mua. Nëse nuk do kisha atë përkrahje dhe dashurinë që më ka dhënë ajo, nuk do kisha mundur të bëja as gjysmën e këtyre që kam bërë.
 
- Më the se dhuntinë për të pikturuar e ke trashëguar nga gjyshja. Po marrëdhënia jote me gjyshen si është?
Marrëdhënia ime me gjyshen është një nga frymëzimet e mëdha. Kujtoj momentet e para kur më mësonte të pikturuarit, më pas hilet e saj. Ndoshta na ka lidhur edhe piktura, por di të them se marrëdhënia ime me gjyshen ka qenë shumë e afërt dhe e ngrohtë.
 
-Po piktura jote e parë, cila ka qenë?
Piktura e parë ka qenë një portret të cilën e pashë në ëndërr dhe më dha një dëshirë të madhe për ta pikturuar për ta fiksuar gjithnjë. Një portret, kaq mund të them. Të tjerat do të zbulohen në ekspozitë.
 
-Kur do të zhvillohet ekspozita dhe si do e quash?
Ekspozita do të mbahet pak ditë përpara premierës së filmit dhe quhet ‘What made me’, duke qenë se zgjerimi im në art ka nisur nga piktura dhe do të ketë prezantime të punëve të mia që e vogël e deri më tani
                              
-Përveç pikturës, fokusi yt është edhe filmi. Tregomë për filmin e parë dhe vështirësitë që ke hasur.
Ideja e filmit “A world full of wonders” bazohet në dëshirën për një botë më të mirë. Çdo aktorë vishet me veçoritë dhe karakteristikat thelbësore të shteteve të ndryshme duke u ndërthurur me njëri tjetrin. Për shembull Holandën e përfaqëson një vajzë bjonde e cila ndërkohë që flet mban tulipanë në dorë, lulet që shquhet Holanda.

Ndërsa Shqipërinë e ndërthur me Francën, si të zgjedhurën e saj. Dhe në minutën e fundit të filmit,minuta e 15 mbyllet me Maltën, i njohur si shteti më optimist. Të gjithë shtetet shfaqen përkrah njëri tjetrit në fund duke e mbështetur njëri tjetrin dhe duke dhënë kështu një mesazh se si do të ishte bota nëse një shtet do ndihmonte tjetrin, duke ndjekur zinxhirin.

Unë besoj se puna duhet promovuar, në mënyrë që të ketë rezultat. Ju falënderoj vërtet. Mua nuk më ka ndihmuar as drejtoresha e shkollës. Nuk më jepte as leje për prova, më e pakta. Kjo ka qenë një nga vështirësitë. Ndërsa filmi u pëlqye shumë kur e paraqita në kinema dhe ata më mundësuan sallën. Ramë dakord që fitimi të ishte gjysmë për gjysmë. Çmimi i biletës ishte vetëm 200 lekë. Jam e lumtur se salla u mbush më shumë se gjysma. Ndaj dua që të mos e lë me kaq...
 
-Dhe nuk e ke lënë me kaq. Në javën e dytë të shtatorit prezanton filmin e dytë “Shënjestra”. Cila është tematika e këtij filmi?
“Shënjestra” është një dramë i zhanrit psikologjik, një bashkëpunim ky me disa student të artit që jetojnë në Angli. 

Filmi flet për një grua e cila quhet Viktoria dhe nga përqendrimi në karrierën e saj , shndërrohet padashur në shënjestrën e shumë ngjarjeve të njëpasnjëshme , nëpërmjet të cilave kërcënohet jo vetëm qetësia personale , por dhe ajo e njerëzve të dashur. Viktoria do të vihet në provë nga miqtë , të panjohurit dhe vetvetja , për të gjetur fajtorin. Është në dorën e saj nëse do të përballet , apo do të përpiqet për tu shmangur. Kjo është pjesa që do të përdoret dhe në trailer.
 
-Cila është kërkesa jote për lexuesit e Shqiptarja.com?
 Edhe pse fitimi në filmin e parë nuk ishte shumë i madh, për shtresën e varfër ai është i domosdoshëm. Ndaj ne vendosëm t'ua dhurojmë atyre. Dhe të jeni të sigurt që mirënjohja në sytë e tyre ishte fitorja jonë më e madhe. Andaj ju lutem, ejani ta shihni filmin në kinema!
 
-Së fundmi, unë jam në dijeni që ti ke ndërmarrë një nismë tepër fisnike, ke hapur një shoqatë bamirësi që quhet smileshope.webs.com . Pse pikërisht një shoqatë bamirësie, Hiljana?
Arsyet për shoqatën e bamirësisë kanë qenë të shumta. Dhe e kam menduar për një kohë të gjatë. Si fillim, gjithnjë kam qenë e angazhuar në aktivitete bamirësie, më pëlqente që e vogël të ndihmoja njerëz.

Arsyeja tjetër është sepse dua që shoqata ime të jetë ndryshe nga të gjithë të tjerat; këtë e tregon dhe rregulli ynë parësorë: nuk lejohen paratë!

Ne një rast të tillë dhuruesi duhet të investoj personalisht në listën e sendeve që publikojmë në webin tonë, pasi kam parë gjëra shumë të shëmtuara kur vjen puna te paratë në të tilla aktivitete dhe kam dashur ta shmang rrezikun, apo qoftë dhe mendimin.
 
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë