Intervista/Ardiana Jaku:Pse lashë
drejtorinë për të kryesuar partinë

Intervista/Ardiana Jaku:Pse lashë<br />drejtorinë për të kryesuar partinë
61 kryetarët e rinj të degëve të PS-së janë urdhëruar nga kryetari i partisë, Edi Rama, që përpara se të marrin detyrën  partiake, të dorëzojnë detyrat shtetërore. Ata tashmë kanë dhënë dorëheqjen nga detyrat, disa prej tyre drejtori shumë të rëndësishme rajonale dhe kanë nisur punën si kryetar partie dhe po paguhen prej saj me rrogë mujore.

Në këto zgjedhje të fundit brenda PS-së, u shtua ndjeshëm numri i vajzave dhe grave që kanë marrë përsipër të drejtojnë degët e partisë. Një prej tyre është dhe Ardiana Jaku, kryetare e PS-së për bashkinë e Lezhës. Ajo ishte drejtore e Shërbimit Social Shtetëror, por e la këtë detyrë për të kërkuar vota të majta, në një zonë tradicionalisht e djathtë.
 
Ju jeni zgjedhur kryetare e PS-së për një bashki si Lezha, me terren jo fort të përshtatshëm për femrat. Si po ja del një zonjë si ju, e re, të përballet me terrenin maskilist sidomos në politikë?
Besoj se nuk është thjesht te PS-ja, por me aq informacion sa kam unë, edhe në partitë e tjera kryesore në Lezhë nuk kanë patur femër në krye të tyre.

Shpresojmë të jetë një shenjë që shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe politika në veçanti po emancipohen dhe po kuptojnë rëndësinë dhe kapacitetin real të gruas, pavarësisht se mendoj që politika në vetvete është sa e bukur, po aq është edhe sfiduese për këdo, pavarësisht përkatësisë gjinore.

Kurse sa më përket mua do të thotë shumë punë, pasi siç e dimë gruaja krahas impenjimeve politike kurrë s’mund të heqë dorë nga angazhimet familjare, mirërritja e fëmijëve dhe punët e vogla në shtëpi, impenjime që burrat shqiptarë përgjithësisht i devijojnë. Duhet të investohesh çdo ditë dhe besoj vjen momenti kur njerëzit nuk shohin më përkatësinë gjinore, po punën reale që bën.
 
Drejtuesve të degëve të partisë, PS ju ka vendosur një kusht: të jenë vetëm funksionarë partie dhe të lënë detyrat shtetërore. Ju do të lini detyrën tuaj si Drejtore e Shërbimit Social? Cilat arsye ju bëjnë të zgjidhni njërën në raport me tjetrën?
Në fakt që një punë ta bësh mirë, në cilësi dhe në kohën e duhur, duhet impenjim i plotë dhe unë tashmë jam 100% e dedikuar ne drejtimin dhe organizimin e Partisë Socialiste Lezhë.

Është shumë e rëndësishme të jesh e fokusuar dhe t’i përqendrosh energjitë në vendin e duhur.  Këto 5 muaj në drejtim të PS- Lezhë më kanë bërë të kuptoj rëndësinë e ndërveprimit njerëzor, menaxhimin e duhur të burimeve njerëzore brenda strukturave partiake, si dhe komunikimin me sinqeritet me banorët e Bashkisë Lezhë.

Në pozicionin si Drejtore Rajonale në Shërbim Social Shtetëror kam pasur mundësinë të shoh jetën reale të komuniteteve të ndryshme në të gjithë Qarkun Lezhë. Të hysh brenda familjeve, të bëhesh pjesë e halleve dhe problemeve të tyre dhe të mos reshtësh së mobilizuari gjithë mekanizmat shtetëror që të ndryshosh jetën e këtyre familjeve ka qenë një shkollë më vete.

T’u shërbesh me profesionalizëm dhe etikë banorëve është detyrim për çdo nëpunës dhe janë vlera që përkojnë edhe me atë çfarë Partia Socialiste po përpiqet të instalojë në shtetin tonë. Po përpiqem të them që në fakt, çdo kontakt me njerëzit apo eksperience pune, veçse të shërben dhe të ndihmon për të qenë më afër banorëve, duke kuptuar rëndësinë e të qenit solidar me njëri-tjetrin.

Zgjodha t’i përkushtohem drejtimit të PS-së Lezhë, për arsyen se Partia Socialiste është forca politike që po punon fort për të ringritur një shtet të cilin për mbi 20 vjet vetëm e kanë shfrytëzuar dhe shkatërruar.

Është forca politike e cila së pari zgjedh të ndërtojë të ardhme të sigurt për fëmijët tanë, si në arsim, në rend, në shëndetësi, pavarësisht kostove politike dhe elektorale qe mund te sjellin reformat shpeshherë te hidhura ashtu si puna e ilaçeve, por qe nuk ka shërim pa to.
 
Si po funksionon PS-në Lezhë? Është një zonë tradicionalisht e orientuar djathtas. Si do të maksimizoni votat tuaja aty?
Ne jemi tashmë në vit elektoral dhe për ne si forcë politike është tejet e rëndësishme forcimi dhe uniteti i strukëtave tona në të gjitha Njësitë Administrative, duke punuar ngushtë me çdo organizatë Socialiste.

Dy forumet FRESSH dhe FGSSH janë prioritet dhe brenda dhjetorit të këtij viti do të përfundojë edhe strukturimi i këtyre 2 forumeve, që nga kryesia, delegatët e deri te koordinatorët e çdo organizate socialiste.

Gjatë shtatorit, falë mobilizimit të të rinjve, anëtarë të PS-Bashkia Lezhë, kemi arritur të anëtarësojmë 513 të rinj në të gjithë bashkinë. Nga ana tjetër po tregohemi shumë të vëmendshëm që çdo faktor dhe kontribuues të hershëm në PS ta riafrojmë dhe t’i japim vlerësimin që meriton.

Po punojmë fort që të rihapim Partinë dhe të afrojmë pranë vetes element të rinj, kryesisht intelektualë, profesionistë, student. Kemi hartuar një plan pune përmes të cilit synojmë të shkojmë në çdo cep të bashkisë dhe të kontaktojmë çdo banor duke i ftuar të bëhen pjesë e Partisë Socialiste.

Kontakti i sinqertë me njerëzit, sqarimi i reformave të marra nga qeveria dhe puna konkrete në çdo zonë mendoj janë mënyrat që do na çojnë drejt fitores së 2017-ës, pasi kam besim se njerëzit do të dinë ta bëjnë dallimin mes atyre që punojnë dhe duan të ngrenë një të ardhme të qëndrueshme dhe atyre që deri dje vetëm mendonin për pasurimin e tyre dhe familjarëve të tyre.

Pa diskutim që do ftojmë këdo të bëhet pjesë e jona dhe i garantojmë mundësi për karrierë politike dhe profesionale në bazë të meritokracisë. Nuk do të jetë kurrë pjesë e punës tonë joshja përmes vendeve të punës apo presioni për të mbajtur vendin e punës mënyra për të afruar njerëz pranë Partisë Socialiste!
 
Në zgjedhjet e fundit lokale, e majta humbi përballë opozitës në Lezhë, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare mori vetëm 2 nga 7 mandate. Cilat janë objektivat tuaja për zgjedhjet e ardhshme elektorale?
Partia Socialiste është forca e parë politike në Bashkinë e Lezhës me numrin më të madh të votave.

Pra nuk më duket se kryeson fort e djathta. Gjithsesi objektivi jonë është të përmbysim dhe numrin e mandateve në rang Qarku në favor të PS-së. Kemi patur një rezultat jashtëzakonisht të mirë dhe historik në 2013-ën, ku ne si forcë e parë politike në rang rrethi kemi marrë mbi 14 mijë vota.

Detyra ime për 2017-ën është ta përmirësoj këtë rezultat të subjektit politik që përfaqësoj. Zgjedhjet parlamentare janë treguesit më të mirë të forcës dhe mbështes reale që ka një forcë politike në popull. Theksoj se është tejet e rëndësishme forcimin i strukturave që do punojnë në terren, që do kontaktojnë çdo banor.

Arma jonë kryesore janë reformat që qeveria Rama po bën. Ne do të ulemi me çdo banor, burrë, grua, të ri a të re për t’i shpjeguar rëndësinë e këtyre reformave dhe benefitet që sjellin në jetën e secilit.
 
Jeni ambicioze për të qenë në listën e ardhshme elektorale? 
Kam marrë një mandat 4-vjeçar për drejtimin e PS-Bashkia Lezhë, mandat të cilin do ta çoj deri në fund. Sfida kryesore më e afërt janë zgjedhjet e qershorit të 2017-ës,dhe jam tërësisht e fokusuar tek rezultati, i cili sa më pozitiv të jetë , më mundëson konkretizimin e ambicieve të mia politike. Ambicia ime kryesore për zgjedhjet e 2017-ës është maksimizimi i votave për Partinë Socialiste në Bashkinë Lezhë.

Mobilizimi dhe uniteti i strukturave të PS-së Lezhë në mënyrë që të dalim fitimtarë në zgjedhjet parlamentare. Mbështetje e pakursyer e 7 kandidatëve që Kryesia e Partisë Socialiste do të zgjedhë për të përfaqësuar Qarkun Lezhë. Në këto linja është e fokusuar gjithë puna dhe energjia ime.  


dy.b/shqiptraja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë