Bashkimi Evropian po bën një gabim serioz duke mos u angazhuar drejtpërdrejt me udhëheqjen ruse për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tha kryeministri Edi Rama për POLITICO.
“Mund të them se Evropa ka bërë një gabim të madh strategjik duke ndërprerë çdo kanal me Rusinë,” u shpreh ai në një intervistë në Forumin Ekonomik të Delfit në Greqi. “Evropa duhet të jetë gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë në komunikim me të gjithë.”
Këto deklarata bien ndesh me qasjen e zyrtarëve të lartë të BE-së si presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryediplomatja e BE-së Kaja Kallas, të cilat kanë shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me liderët rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, duke argumentuar se bisedime të tilla janë të pakuptimta nëse Moska është e vendosur të vazhdojë luftën gjithsesi, shkruan artikulli.
Por për Ramën, vendi i të cilit synon t’i bashkohet BE-së në vitet e ardhshme, Evropa po e vendos veten në periferi të çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë duke shmangur angazhimin e drejtpërdrejtë me Moskën.
“Sa më shumë ta shtyjmë bisedën me Rusinë, aq më pak do të mund të kemi fjalën e fundit, sepse Rusia, sido që të përfundojë kjo luftë, Rusia nuk do të zhduket,” tha ai, duke shtuar se vendi i tij nuk ka asnjë lidhje me Rusinë. “Ne nuk kemi … asnjë lloj varësie nga Rusia … as investime, as gaz rus dhe as gjëra ruse, kështu që mund ta them këtë.”
Më tej, vijon artikulli, deklaratat e Ramës, një ish-basketbollist profesionist që kombinon rolin e burrit të shtetit me krijimin e veprave të tij artistike, vijnë ndërsa liderët e BE-së po mblidhen në Nikozia, Qipro, për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën si dhe krizën energjetike që po godet bllokun mes bllokadës së Iranit në Ngushticën e Hormuzit.
Nën drejtimin 13-vjeçar të Ramës, Shqipëria është pozicionuar si fort pro-BE duke ruajtur njëkohësisht marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump, qëllimet e të cilit në luftën në Iran Rama i ka vlerësuar publikisht.
“Nuk është për ne, Shqipërinë, të vendosim se si të trajtohet Irani në skenën globale, por është për ne që të mbështesim çdo përpjekje për ta dobësuar dhe ndoshta rrëzuar atë regjim,” tha kryeministri shqiptar, duke shtuar se do të lejonte ushtrinë amerikane të zhvillonte operacione nga Shqipëria me kusht që Uashingtoni të sigurojë “mbrojtje ajrore, të cilën ne nuk e kemi.”
Marrëdhëniet e ngrohta të Ramës me Uashingtonin përfshijnë negociata të vazhdueshme midis qeverisë së tij dhe një kompanie në pronësi të dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, për shitjen e mundshme të Ishullit të Sazanit në brigjet e Shqipërisë tek miliarderi i pasurive të paluajtshme, thuhet më tej.
Kushner, përmes kompanisë së tij Affinity Partners, po negocion për të blerë ishullin e pabanuar më parë prej 5 kilometrash katrorë në Adriatik për 1.4 miliardë dollarë, me synimin për ta kthyer atë në një resort luksoz ekologjik me vila të nivelit të lartë, marina dhe bunkerë për vizitorë të pasur.
Planet kanë nxitur protesta të forta nga grupet mjedisore, me 41 organizata që i shkruan Ramës dhe ministrit të tij të mjedisit në janar për të kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të negociatave, duke argumentuar se planet përfaqësojnë një “kundërshtim të drejtpërdrejtë” me detyrimet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE, thuhet në artikullin e POLITICO.
I pyetur për planet, Rama shprehu frustrim: “Është e pabesueshme që edhe media të mëdha, shumë të njohura në botë, flasin për një ishull që i është shitur Jared Kushner. Nuk është e vërtetë … nuk e di si ta ndal këtë sepse nuk kemi bërë një marrëveshje me Jared Kushner. Ne po negociojmë për një marrëveshje me Jared Kushner.”
Bisedimet për shitjen kanë vazhduar që para mandatit të dytë të Trumpit, shtoi Rama, në një kohë kur “nuk ishte e qartë nëse Trump do të ishte në Shtëpinë e Bardhë apo në burg.” Por marrëveshja nuk duhet në asnjë mënyrë të pengojë përpjekjen e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, proces në të cilin, së bashku me Malin e Zi, “ne jemi në krye,” tha Rama.
Përkundrazi, “shpresoj që më në fund të kemi marrëveshjen sepse nëse investimi i tyre, i kompanisë së Kushner, realizohet, do të jetë një dhuratë e bukur … për Evropën,” tha ai, duke shtuar se bëhet fjalë “për bukurinë, për zhvillimin e qëndrueshëm.”
POLITICO shkruan se një zyrtar i BE-së, që kërkoi anonimitet për të folur lirshëm, tha se Komisioni Evropian ishte në dijeni të shitjes së planifikuar dhe nuk kishte koment të menjëhershëm për ndikimin e saj të mundshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.
‘Artist serioz’
Rama, i cili e përshkroi veten si një “artist serioz” dhe, me një gjatësi prej 198 centimetër, ka qenë basketbollist profesionist para se të hynte në politikë, njihet për kultivimin e një imazhi të veçantë.
Pasi shprehu admirimin për mjetin e transkriptimit me inteligjencë artificiale të POLITICO (“Pse nuk e kam këtë?”), Rama kaloi 10 minutat e para të intervistës duke ndarë imazhe të skulpturave që kishte krijuar pjesërisht me dorë dhe pjesërisht me AI, të cilat do t’i ekspozojë në një ekspozitë të ardhshme në Berlin.
Shqipëria tërhoqi vëmendje duke prezantuar “ministren e parë në botë me AI” të quajtur Diella, megjithëse aktorja mbi fytyrën e së cilës bazohet Diella ka njoftuar se po padit qeverinë për përdorimin e pamjes së saj, vijon artikulli më tej.
Rama nuk u tërhoq: “Po e përgatisim që të dalë në intervista live” si dhe në “mbledhje qeverie,” tha ai.
Ministrja me AI është pjesë e një përpjekjeje modernizimi në Shqipëri, e cila synon të përfundojë bisedimet për anëtarësim me BE-në deri në fund të vitit 2027 dhe të bëhet anëtare e plotë e bllokut deri në vitin 2030. Rama i referohet zgjerimit të BE-së si një proces “bashkimi” të Evropës, dhe jo thjesht zgjerim i një unioni burokratik.
Pas takimit në Delfi me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, mbështetja e të cilit do të jetë e nevojshme që Shqipëria të pranohet si anëtare e BE-së, Rama tha: “Nuk i kam parë kurrë liderët e BE-së kaq të bindur për nevojën e bashkimit të Evropës.”
Megjithatë, Rama është i vendosur të ruajë të drejtën për të bërë zgjedhjet e veta në politikën e jashtme, përfshirë të qenit “simpatizant” ndaj administratës Trump. Kjo nuk e pengon atë të jetë “100 për qind në një linjë me Evropën” për qëllimet strategjike.
I pyetur nëse Shqipëria do të duhet të zgjedhë anë nëse bëhet anëtare e BE-së, Rama tha: “Është si njeriu dhe inteligjenca artificiale. Në art, duhet t’i pranosh të dyja për të arritur rezultatin më të mirë.”
Komente











