Intervista/ Fatos Klosi: S’ka 
rrezik rus në Shqipëri, ja arsyet

Intervista/ Fatos Klosi: S’ka <br />rrezik rus në Shqipëri, ja arsyet
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, mendon se shqetësimet e shtuara për rrezikun e rritjes së influencës ruse në Shqipëri, nuk kanë bazë reale. Gjatë një interviste për Shqiptarja.com, Klosi shprehet se Moska nuk ka asnjë shpresë për të ndikuar në zhvillimet në Shqipëri.

Ai solli si shembull, mungesën e investimeve ruse në Shqipëri. Sa i takon alarmit të 11 kongresmenëve amerikanë, p ër planet ruse për ndërhyrje në zgjedhje, ish-kreu i SHISH tha se Rusia nuk ka një forcë të preferuar që të mbështesë në Shqipëri në zgjedhje, pasi të dy krahët politikë janë të orientuar nga SHBA.

Ndërkaq, sa i takon ngërçit politik, Klosi shprehu bindjen se Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Sipas tij, protesta para Kryeministrisë është pjesë e strategjisë parazgjedhore.

Klosi shtoi se pas rikthimit të Bashës nga SHBA, do të hiqet edhe çadra e protestës. Megjithatë, Klosi mendon se Partia Demokratike tashmë është shkërmoqur dhe si e tillë ajo nuk mund t’i prishë zgjedhjet.
 
Z. Klosi, kohët e fundit, ka një shqetësim deri në alarm të shtuar për rrezikun e rritjes së influencës ruse në Ballkan dhe sigurisht edhe në Shqipëri. Sipas jush, a është real një rrezik i tillë dhe nëse po, në ç’formë janë kamufluar interesat e Moskës?
 Nuk besoj që të jetë një problem imediat, pavarësisht se kush e ka shprehur këtë shqetësim, kongresmenë amerikanë apo edhe të tjerë. Natyrisht, mirë është që të jemi gjithmonë të vëmendshëm, por deri tani, nuk kemi parë një tentativë ruse për influenca në Shqipëri. Një shqetësim i tillë, sipas meje, është i pambështetur në fakte. Rusët e dinë se, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe në partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra e kanë shumë të qartë se, me çdo përpjekje tyre, do ta kishin shumë të vështirë që të arrinin një rezultat. Edhe investimet ruse në Shqipëri nuk janë ndonjë gjë për t’u shënuar, janë të papërfillshme, madje unë nuk di për asnjë investim, në ndryshim me investimet në vendet fqinje, siç janë Greqia apo Mali i Zi, mbase edhe Maqedonia. Mënyra më normale për të shtrirë influencën është me anë të investimeve. Shqipëria nuk ka qenë objektiv i investimeve të tyre. Sigurisht, rusët gjithmonë kanë qenë të interesuar për Ballkanin, por për Shqipërinë nuk ka ndonjë gjë konkrete. Por, që të jemi të vëmendshëm, sigurisht që duhet, për sa kohë që tashmë Rusia është fuqizuar, nuk është më koha e Jelcinit. Me Presidentin Putin janë bërë me ekspansivë, po përpiqen që të shtrinë influencën e tyre në Ballkan, pasi kjo është një ëndërr e vjetër e carëve rus. Sa i takon ndikimit tek vendet fqinje, ne vetë Serbinë dhe Maqedoninë i kemi kujdes. Asnjëherë nuk i kemi konsiderua miq realë dhe që të hapemi ndaj tyre. Ata thjeshtë janë fqinjët tanë.
 
Ç’është e vërteta, rezoluta e propozuar nga 11 kongresmenë, fliste për ndikim në zgjedhjet e qershorit, me anë të propagandës dhe ndërhyrje në teknologjinë zgjedhore...
Nuk besoj se ka bazë reale. Nuk e di se me çfarë do të ndërhynë në zgjedhje. Ne nuk kemi asnjë lloj sistemi dhe teknologjie në zgjedhje, me letra e kemi, me numërim manual. Së dyti, ngrihet pyetja se në favor të kujt do të ndërhyjnë? Sa i takon zgjedhjeve në SHBA, Rusia u pozicionua hapur kundër Clinton. Kishin një qëndrim të qartë dhe ndërhynë. Deri më sot, nuk kemi dëgjuar që rusët të kenë mbajtur një qëndrim në lidhje me të dy kampet politike në Shqipëri, të cilët kanë një orientim të qartë. Çfarë do të bëjnë rusët në Tiranë, kur ne nga rusët ruhemi si djalli nga temjani? Ne gjithmonë kemi shkuar pas një të madhi. Tani ne rusët i konsiderojmë jashtëzakonisht të rrezikshëm. Pra, më duket më shumë si një shashkë, pasi është bërë edhe në modë.
 
Disa ditë më parë, kryetari i opozitës Lulzim Basha zhvilloi një takim me ambasadorin e Rusisë në Tiranë, z. Aleksandër Karpushin, takim i cili u vesh me dyshime dhe teori konspiracioni. Si e shihni ju këtë zhvillim?
Janë takime normale. Ambasadorët, pavarësisht vendit që përfaqësojnë, prandaj janë të akredituar në një vend, për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve, për të çuar informacione në lidhje me situatën politike dhe të ardhmen e vendit. Natyrisht që ata ndjekin mediat me shumë kujdes, por edhe këto takime janë normale, në rastin konkret për të marrë opinionin e opozitës në lidhje me zhvillimet politike. Sa i takon teorive, nuk guxon kusht në Shqipëri për t’u bërë opozitë dy partnereve strategjikë të Shqipërisë: Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Ne jemi deklaruar dhe është një vijë e qëndrueshme e politikës sonë të jashtme, sipas të cilës SHBA-BE janë dy partnerët kryesorë strategjikë. Të bësh opozitë me atë është që të vrasësh veten.  
 
Ka një dilemë sa i takon pjesëmarrjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 18 Qershorit. A mendoni se mund të ketë zgjedhje pa opozitën?  
Sigurisht që do të marrë pjesë. Përbetimet janë pjesë e strategjisë para zgjedhjeve. Janë presione për të matur pulsin e kundërshtarit dhe për të përfituar ndonjë gjë. Është taktikë parazgjedhore. Për një forcë të madhe siç është Partia Demokratike, të mos marrë pjesë në zgjedhje, do të ishte absurde. Por, hë për hë, të presim të kthehet Basha nga SHBA dhe të shohim. Kur të kthehet do të thotë se ‘na përkrahë’ etj., për të dalë nga çadra. Unë mendoj se pas kthimit gjërat do të ndryshojnë.
 
PD mund të mos marrë pjesë në zgjedhje, por në të njëjtën kohë mund të bllokojë zhvillimin e zgjedhjeve... 
Partia Demokratike nuk e bën dot një gjë të tillë. Nuk ka fuqi të prishë zgjedhjet. Nuk është më PD që ka qenë, qoftë edhe para 10 vitesh. Partia Demokratike është shkërmoqur. Nuk janë më motivet. Nuk është më as elektorati që ka pasur. Nuk ka asnjë mundësi. Unë dëgjova se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar të mendojë për të zëvendësuar komisionerët. Unë do të doja që t’i zëvendësonte të gjithë, jo vetëm të opozitës, me persona civilë dhe jo me ushtarakë të partive. Do bëhet, mbase jo në këto zgjedhje, sepse duhet të pasqyrohet në Kodin Zgjedhor, por ndoshta në zgjedhjet e ardhshme. Mund të ishte një zgjidhje për të evituar situata të tilla në të ardhmen. Ja çfarë ndodh: Një parti thotë nuk do të hyjë në zgjedhje dhe nuk çon komisionerët. Pra, në një farë mënyre ka diçka në dorë për t’i prishur zgjedhjet. Nëse komisionet do të ishin me civilë jo partiakë, që me punën e tyre i shërbejnë shoqërisë dhe që në një farë mënyrë janë të përgatitur për këtë punë, nuk do të ishte problem. Një parti nuk do që të hyjë në zgjedhje, nuk ka asnjë problem, hyn në zgjedhjet e ardhshme kur të jetë më e përgatitur. Megjithatë, partitë kanë detyrime. Për sa kohë kanë drejtuar këtë vend dhe kanë marrë pjesë në hartimin e Kodit Zgjedhor, i kanë pranuar disa detyrime. Nuk mund të thuash papritur: Nuk më pëlqen kryeministri, më duket sikur ai do të na vjedhë, kështu që nuk do të hymë në zgjedhje.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë