Intervista/Giora Solar: Rreziqet e
pakthyeshme që i kanosen Butrintit

Intervista/Giora Solar: Rreziqet e<br />pakthyeshme që i kanosen Butrintit
TIRANE - Butrinti nuk është thjeshtë një shqetësim për të. Mes rreziqeve të shumta, keqmenaxhimit dhe abuzimeve, Butrinti është një vend që kërkon “ndihmë”. Giora Solar vjen çdo dy vjet në Shqipëri për ruajtjen e sitit arkeologjik të Butrintit.

Ai është një prej zërave të rëndësishëm  në organizatat ndërkombëtare për mbrotjen e trashëgimisë. Solar është diplomuar për arkitekturë dhe planifikim urban. Për vite të tëra ka mbajtur poste të rëndësishme në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, anembanë botës. Ish-drejtor i Institutit Getty në Los Angeles, që mban emrin e multimiliarderit Jean-Paul Getty, aktualisht Solar është sekretar i  Përgjithshëm i ICOMOS, që është Këshilli ndërkombëtar i monumenteve dhe siteve, që ka për synim ruajtjen dhe nxjerrjen në pah të vlerave të trashëgimisë arkitekturore, apo edhe  drejtor i njësisë së departamentit të ruajtjes së qytetit të Jeruzalemit.

Na ngacmuan për të bërë një intervistë me këtë personalitet, ngjarjet e fundit në Butrint. Në  gazetën tonë botuam një varg fotosh që pasqyronin gjendjen skandaloze në forumin romak, ku pas gërmimeve gjithçka ishte lënë hapur e dukeshin gjithkund gropa të mbushura me ujë dhe  grumbuj dheu, ndërsa të nesërmen e këtij denoncimi, një ekskavator u fotografua teksa mbulonte gropat e lëna hapur nga arkeologët. Një ekskavator në mes të sitit arkeologjik!!!!

Në të vërtetë siç e thekson edhe Solar, gërmimet arkeologjike janë vetëm një nga problemet e këtij siti. Në këtë intervistë ai flet për një plan të ri menaxhimi, për rrezikun e madh që vjen nga komunat përreth Butrintit, rrugën e re dhe dëmet e saj në park, pse nuk janë zbatuar deri më sot rekomandimet e organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë, dhe çfarë prioritetesh duhet të ketë qeveria e re për këtë zonë.
 
Dr. Solar, ju e njihni mirë Butrintin dhe problemet që e kanë shoqëruar prej vitesh këtë zonë të mbrojtur e të shpallur pasuri botërore. Ditët e fundit në media u publikuan disa foto nga gërmimet në forumin romak. Grumbuj dheu dhe gropa të lëna hapur, të tjera të mbuluara me ujë…  e më vonë nëj ekskavator që mbulonte vendgërmimet… A keni një koment për këtë? Çfarë mendimi keni për  konservimin dhe restaurimin…Sa zbatohen këto praktika arkeologjike në Butrint?
Çështja e praktikave të sotme arkeologjike në Parkun KOmbetar te Butrintit ka të bëjë shumë me disa nga vërejtjet e mëparshme të miat. Po përpiqem t'i rendit në një farë mënyre:
1. Të gjitha gërmimet për Parkun duhet të ndjekin një plan (nuk ka asnjë plan për gërmimet shkencore) dhe t'i shërbejnë zhvillimit të parkut. Po meqënese nuk ka asnjë plan të tillë (!!!) - atëherë nuk duhen kryer gërmime arkeologjike, përveç punimeve konservuese dhe ato mirëmbajtëse. Edhe programet e studimit në terren duhet të ndjekin një plan zhvillimi dhe të kryhen atëherë kur nevojiten këto gërmime.
2. Gërmimet e tjera të përligjura, në nivele të vogla, duhet të kryhen për t'u dhënë përgjigje shkencore pyetjeve të rëndësishem kërkimore.
3. Duhet të bëjë pjesë në etikën e arkeologut të qenurit i përgjegjshëm për ruajtjen e zonës ku bëhen gërmime - edhe midis fushatave, për sigurinë e vizitorëve dhe punëtorëve, pastrimin e vendit dhe, sigurisht, të gjitha përgjegjësitë "konvencionale" shkencore.
4. Përgjegjësitë e mësipërme duket të jenë pjesë e licencës së gërmimeve. Nëse gërmuesit nuk i përmbushin kushtet - atëherë atyre nuk u duhet dhënë leja për fushatën tjetër (jo vetëm për atë vend, po edhe për çdo vend tjetër). Besoj se, kur jepet një leje gërmimesh, gërmuesit duhet të depozitojnë një garanci financiare që i shtrëngon të përmbushin të gjitha detyrimet e mësipërme.
5. Sidoqoftë - drejtori i parkut duhet të jetë pjesë e çdo grupi me të cilin diskutohet për dhënien e lejes së gërmimeve në park, si dhe të ketë të drejtën e vetos nëse gërmuesit nuk ndjekin planet e parkut, politikat, rregulloret dhe marrëveshjet. Sot kjo gjë nuk po ndodh dhe duhet ndryshuar, ndoshta përmes vendimeve qeveritare.
6. Praktika e gërmimeve aktuale në Forum nuk pasqyron asnjë praktikë të pranuar moderne arkeologjike (as të kartave ndërkombëtare, si ICOMOS, mbi administrimin e vendeve arkeologjike). Sigurisht që nuk po flas për praktikat shkencore, për të cilat shpresoj të jenë më të mira se kjo pjesa tjetër. Elementi i ekspozuar duhet ruajtur, edhe si masë e përkohshme, mes fushatave. Pjesët duhen siguruar që të mos ketë rrëzime (edhe kur zona është e mbyllur, këto rrëzime mund të shkaktojnë dëme shkencore). Zona duhet rrethuar mirë - tani për tani, ky rrethim është simbolik, kushdo mund të futet e të bjerë në vendin e  gërmimit (që është mjaft i thellë, me ujë, dhe paraqet rrezik për jetën). Një praktikë shumë më e mirë do të ishte ajo e përfshirjes së vend-gërmimit në trajektoren e vizitorëve, me sinjalistikë të përkoshshme dhe masa sigurie.
7. Mbetjet e gërmimeve duhen larguar për në një vend të përhershëm ose në nëj pikë ku nuk shkaktojnë shqetësime pamore apo të ndonëj lloji tjetër. Këto materiale mund të përdoren më pas për mbushje, por deri atëherë duhet të mbeten në vendin më të përshtatshëm për gërmuesin. Jemi në një park aktiv e të vizitueshëm!
Gërmimet e përfunduara, pa interes publik dhe pa plane të afërta zhvillimi, mund të rimbushen siç duhet. Ruajtja dhe mbrojtja e zonave të gërmuara duhet të jetë përparësi për disa vite. Njëkohësisht, të kenë edhe tërheqje, siguri, arritshmëri, interpretim të saktë e modern, etj.
E thënë shkurt - parku ka nevojë për një plan të përgjithshëm zhvillimi me plane tematike (si ruajtja) dhe për kapacitete burokratike, financiare, administrative dhe profesionale për ta vënë në zbatim atë.
 
Ju keni qenë kritik gjatë ndërtimit të rrugës së re brenda zonës së mbrojtur  në Butrint. Çfarë mendoni tani për këtë rrugë?  Edhe pse në planin e mëparshëm të menaxhimit kjo rrugë nuk ishte e rekomanduar, çfarë ju bën të sigurt se Autoritetet Shqiptare do të ndjekin Plan Menaxhimin që ju dhe kolegët tuaj  po shkruani?
 
Në një zonë dhe vend kaq të rëndësishëm, të njohur në arenën ndërkombëtare edhe për mjedisin e saj, të gjitha veprimtaritë duhet të ndjekin një master-plan të përgjithshëm (për zonën). Veç kësaj, çdo organ (qoftë ky qeveritar, lokal apo edhe privat) bën atë që mendon se mund të bëhet, brenda përgjegjësisë që ka, por gjërat nuk bashkërendohen, shumë shpesh janë në konflikt me njëra-tjetrën dhe nuk ndihmojnë në arritjen e qëllimit të pranuar nga të gjithë.

Ndoshta kështu ndodh edhe me rrugën - ajo ka disa objektiva pozitive, mes të tjerash është zgjerimi për të parandaluar aksidentet dhe për ta bërë zonën më të arritshme. Sipas planifikuesve të rrugëve dhe të qarkullimit - është bërë në mënyrën më të mirë që dihej.

Por - a ka pasur ndonjë mënyrë më të mirë për ta bërë dhe, njëkohësisht, për të mbrojtur edhe mjedisin? Për të mbrojtur vlerat kulturore? Për të pasqyruar faktin se ajo përshkon vende shumë të rëndësishme natyrore dhe kulturore? A ka pasur ndonjë alternativë tjetër për vetë rrugën, me një vizion më afatgjatë?
Nuk kam dyshime se, nëse autoritete të ndryshme do të ishin bashkërenduar më mirë dhe nëse autoritetet përkatëse dhe përgjegjëse për arkeologjinë, ruajtjen e monumenteve dhe të mjedisit, do të ishin më të forta e më profesioniste, informacionet e tyre do të kishin qenë më efikase dhe rruga do të ishte bërë pa e dëmtuar zonën.
Kur e pashë këtë rrugë, herën e fundit, para afro një viti - shumë nga peizazhi dhe trajtimi mjedisor ende nuk qe kryer.

Ju po hartoni një plan të ri menaxhimi për Butrintin.  A mudn të na thoni cilat janë çështjet të cilat e rrezikojnë këtë vend?  Sipas jush pse nuk janë zbatuar deri ëm sot rekomandimet e dhëna nga institucionet ndërkombëtare të mbrojtjes së trashëgimisë?
Lidhur me zbatimin e rekomandimeve - kjo është plotësisht në duar të qeverive dhe autoriteteve përgjegjëse. Ne, profesionistët, mund të bëjmë më të mirën e mundshme nga ana profesionale, por kemi pak në dorë kur vjen puna të vënia në zbatim e rekomandimeve. Kur u hedh një sy 3 planeve të ndryshme menaxhuese që janë përgatitur për Butrintin që nga viti 2000, problemi i tyre kryesor është se shumica e rekomandimeve mbi to nuk është zbatuar.

Kjo nuk ka ardhur si pasojë e njerëzve jo-profesionistë  apo nga mungesa e buxhetit, por nga një kombinim i strukturës së organeve vendimmarrëse të përfshira në vendimet e mëdha mbi këtë vend. Ka pasur të bëjë më së shumti me dobësinë e pozicionit dhe të autoritetit të drejtuesve të zonës (por jo domosdoshmërisht faji i tyre vetjak) përballë organeve të tjera shtetërore (Instituti i Monumenteve dhe i Arkeologjisë). Ndonjëherë ka të bëjë edhe me mungesën e përvojës së mjaftueshme të stafit lokal dhe personelit tjetër - po kjo është çështje me rëndësi më të vogël.

Plani i ri menaxhues sugjeron ndreqjen e kësaj gjendjeje, po përsëri ka për të qenë çështje e vënies në zbatim të rekomandimeve. Shpresoj shumë që të jenë nxjerrë mësime dhe që qeveria e re t'i kushtojë më tepër vëmendje përvojës së shkuar.

Po për zhvillimin e komunave përreth Butrintit dhe ndërtimet pa leje përgjatë bregdetit, çfarë mund të thoni?
Përmenda në fillim disa problematika sa i takon gërmimeve dhe menaxhimit, por ato nuk janë kërcënimet më të mëdha për këtë sit arkeologjik (në fjalën "sit" përfshij edhe mjedisin dhe ujërat). Një rrezik shumë i madh, por që përbën njëherësh edhe burim e mundësi, janë komunat përreth dhe veprimtaritë e tyre. Kjo është një temë e gjerë më vete - po edhe kjo nis me planifikimin dhe zbatimin.

Komunat nuk kanë master-plane, pronësia mbi tokën shpesh është e pazgjidhur, përdorimi i tokës nuk është përcaktuar mirë dhe as zbatohet mirë, veprimtaritë bujqësore duhen përmirësuar në mënyrë drastike, për dobinë e bashkësive vendore dhe njëherësh për mbrojtjen e vlerave kulturore dhe natyrore, mbrojtja e brigjeve të detit duhet të praktikohet në mënyrë ligjore dhe përmes zbatimit të saktë (gjendja në Sarandë, e cila zhvillohet për kilometra të tëra përgjatë bregut, është e papranueshme). Planet e vjetra ujore, ato për përftimin e tokës, me rrjedhoja të dëmshme për mjedisin, duhen rishikuar, duke u dhënë alternativa të përshtatshme fermerëve.

Dhe në fund çfarë përparësish duhet të ketë qeveria shqiptare, për ta ndryshuar gjendjen kritikë në këtë zonë?
Turizmi i diversifikuar i nivelit të lartë, siç e meriton dhe e ka potencialin kjo zonë - duhet të jetë përparësia më kryesore. Duhet të ketë vizione dhe objektiva afatgjata - përndryshe do t'i shkatërroni brenda një kohe të shkurtër burimet që shërbejnë si tërheqja kryesore (bregun dhe vijën bregdetare, trashëgiminë kulturore dhe natyrore madje edhe prodhimtarinë për bujqësinë).

Urimet më të mira për suksesin e Shqipërisë.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Kërkojnë qeveri teknike apo bashki teknike?

Kreshnik Spahiu: Kërkojnë qeveri teknike apo bashki teknike?