Intervista/ Meta: LSI në koalicion 
 vetëm në interes të qytetarëve

Intervista/ Meta: LSI në koalicion <br /> vetëm në interes të qytetarëve
TIRANE- Në intervistën për emisionin “Kapital” në Vizion Plus kreu i LSI Ilir Meta flet për koalicionet, reformat dhe marrëdhënien me PS.
 
Shënuat një rritje më të madhe, nga 118 mijë në zgjedhjet e kaluara lokale në 260 mijë vota në zgjedhjet e këtij viti...?
Nuk është e rëndësishme nga vijnë votat dhe si vijnë votat, sepse zgjedhjet prandaj bëhen që qytetarët të përcaktojnë çdo katër vjet, përndryshe nuk do të kishte arsye pse duhen bërë zgjedhje, por e theksoj edhe një herë tjetër se rritja e LSI-së kryesisht vjen prej të rinjve dhe prej votuesve të rinj.
 
Në opinionin publik përflitet sikur ka një ftohje të raporteve mes partive që qeverisë në Shqipërisë, PS dhe LSI...?
Nuk shoh tym aspak, mendoj që zgjedhjet në përgjithësi kanë vajtur shumë mirë dhe e thashë edhe një herë tjetër, nuk mund të prisnim as ne e askush dhe nuk do të ishte mirë që të fitoheshin të 61 bashkitë. Nuk ka një bazë reale për hamendësime të tilla.
 
Po çfarë e ka nxitur atëherë në hamendësimin popullor atë që perceptohet si ftohje në mes jush?
Nuk e di se çfarë quhet ngrohje dhe çfarë quhet ftohje në këto raporte. Unë jam i bindur që ne kemi qenë, jemi dhe do vazhdojmë të jemi tepër korrekt dhe luajal në raportet tona me PS-në si forca kryesore e këtij koalicioni, por edhe me të gjithë forcat e tjera, sepse e theksoj korrektesa është baza e të gjithë suksesit e LSI-së. Korrektesa me partnerët në marrëveshje, korrektesa me anëtarët, me votuesit, me simpatizantët, me të gjithë.
 
Ka edhe një hamendësim tjetër, atë që në PD i mbajnë sytë hapur ende për një bashkëpunim të mundshëm në një kohë të caktuar në një zgjedhje të caktuar politike, nuk po flasim për zgjedhje strategjike, me LSI....?
Në rast se unë personalisht apo ne si LSI do të ndikoheshim nga hamendësimet do të ishim gjithë kohën në stanjacion, kështu që ne jemi vazhdimisht në veprim, jemi në lëvizje, hamendësimet kanë punën e tyre. Ne kemi angazhimet tona, përgjegjësitë, detyrimet tona dhe në këtë drejtim ne bashkëpunimin me PD-në e shohim gjithnjë si bashkëpunim me forcën kryesore opozitare në vend në interesin e reformave.

Kemi bërë përpjekje maksimale që ata të përfshihen në reformën administrative-territoriale, por ata qëndruan në mënyrë absurde do të thosha kokëfortë deri në fund, ndërkohë që ishte vetë interesi i tyre për të qenë të përfshirë dhe natyrisht që kemi mjaft të interesuar që ata të kontribuojnë në reformën në drejtësi sepse është një reformë madhore, kyçe për të ardhmen. Kjo është e gjitha ajo që mund të hamendësohet.
 
U kalua një betejë elektorale që gjithsesi ishte e rëndësishme, ju madje e quajtët dhe historike...
Historike nuk quajta betejën, quaj momentin, pra të fillimit të zbatimit të reformës administrative-territoriale.
 
Pas zgjedhjeve të 21 qershorit, qëndroni ende në këto pozita, mendoni se në 2017-n do të përsëri ky koalicion?
Besoj se përpara se të shkojmë në 2017-n mbeten edhe dy vite të rëndësishme ku duhet praktikisht të korret ajo që është mbjellë gjatë këtyre dy viteve përmes reformave të vështira, që do të thotë një progres më i madh ekonomik e social, një rritje më e madhe ekonomike dhe hapje e vendeve të reja të punës.
 
Mund të thuhet se LSI e ka të mbyllur kapitullin e bashkëpunimit me PD-në në kuptimin e koalicionit apo në politikë nuk mund të thuash kurrë, kurrë?
Nuk është aspak e rëndësishme për t’u marrë me hamendësime të tilla mendoj unë. Për ne është e rëndësishme që LSI t’i shërbejë vendit në drejtim të qeverisjes, t’i shërbejë vendit si një forcë opozitare e përgjegjshme dhe konstruktive pra në çdo pozicion që qytetarët mendon që kjo forcë u shërben atyre. LSI nuk është një forcë që duhet të jetë patjetër në pushtet e duhet të jetë patjetër një herë me njërën dhe një herë me tjetrën apo ku di unë. LSI është një forcë në funksion të interesit të vendit e të qytetarëve shqiptarë.
 
Kjo do thotë se është e hapur për çdo konfiguracion politik...?
Do thotë se interesi i qytetarëve do prevalojë në vendimmarrjen e LSI-së.
 
Në propozimet për reformën në drejtësi është edhe ai sipas të cilit Presidenti dhe Ministri i Drejtësisë mund të mos jenë anëtarë të KLD. Si ju duket juve si propozim?
Nuk bëhet fjala për një strukturë të veçantë apo për disa kompetenca të veçanta apo për institucioneve të veçanta. Këtu bëhet fjalë për një reformë tërësore. Ky është qëllimi që do të garantojë që ky sistem të funksionojë, të jetë efiçent, të mos degradojë në thjesht ndryshim personash e lëvizje kompetencash.
 
Është thënë se është krijuar një lloj korporate, solidariteti brenda sistemit të drejtësisë...?
Në rast se s’do kemi një drejtësi me integritet atëherë është shumë e vështirë që kjo të arrijë rezultatet që duhen në luftën kundër krimit, kundër korrupsionit, në raport me sistemin politik e në raport me gjithë sistemin dhe shoqërinë dhe natyrisht është shumë e rëndësishme që “korporata” aktuale të mos zëvendësohet nga një tjetër në mënyrë që të garantojmë një sistem vërtet transparent ku përgjegjshmëria dhe llogaridhënia janë në nivele maksimale dhe ku askush s’është i pakontrollueshëm dhe nuk ka ekskluzivitetin e së vërtetës.
 
Kryeministri ka paralajmëruar se në muajin Shtator do të ketë një nismë ligjore nga ana e shumicës për dekriminalizmin...?
Mendoj se opozita duhet të jetë edhe më bashkëpunuese në këtë proces, s’duhet të përdorë standarde të dyfishta. Edhe ajo duhet të shikojë edhe nga vetja për të kontribuar në këtë proces. Ky duhet të jetë një proces i përbashkët. Kuptohet derisa kemi edhe një shqetësim jo vetëm të brendshëm, por kemi edhe një shqetësim të partnerëve ndërkombëtarë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Ervin Salianji kërkon pezullimin e vendimit të Apelit që e dënoi me 1 vit burg, Gjykata e Lartë shqyrton kërkesën më 15 Tetor! Ja gjyqtari relator

Ervin Salianji kërkon pezullimin e vendimit të Apelit që e dënoi me 1 vit burg, Gjykata e Lartë shqyrton kërkesën më 15 Tetor! Ja gjyqtari relator