INTERVISTA/Olen Çezari: Ju
rrëfej si e shoh Shqipërinë time

ITALI - Ai nuk është një emër i panjohur për Shqipërinë. Madje, vitin e kaluar gjithë verës qëndroi në vendin e tij. Olen Çezarin, violinistin me famë botërore, javën e kaluar e gjeje në Romë, në një  skenë gjigande, në një performancë madhështore, aq sa gjithë mediat italiane u morëm me koncertin dhe agjencia Ansa agjencia numër 5 në botë e bëri si lajm te ditës. Në 25 janar Olen Çezari, shqiptari me violinë, shkëlqeu. Ishte një koncert bamirësie për “Marevivo” një shoqatë që merret me përkujdesjen dhe për sherbimin ndaj detin dhe bregdetin.

Dhe Oleni, s’ka sesi tëndodhë ndryshe, kur takimin e parë me jetën në këtë tokë, e kishte me detin, Durrësin, qyteti në të cilin ka lindur. Gjatë një interviste ne skype, Oleni rrëfen për Shqiptarja.com, emocionet e koncertit, por nuk harron të ndalet te realiteti shqiptar: votimi i tre ligjeve, peticioni shkatërrimi i monumenteve të kulturës, çështja e nacionalizmit, pse jo dhe gjendja e rënduar e turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri. Një violinist me famë botërore si Oleni, na rrëfen sesi një shqiptar i sheh gjërat me syrin e një shqiptari të evropianizuar.

Olen, sa bileta u shitën?
Oh shumë, gjithë salla ishte plot me njerëz. Kisha shumë frikë, se çmimet e biletave ishin në fakt shumë të kripura. Por në sallë nuk gjeje vende.

Po sa ishte çmimi i biletës? A kishte shqiptarë të famshëm në koncert?
Po aty ishte gjithë ajka e Romës, biletat ishin 100 euro dhe më tepër.

Por ishte nje koncert bamiresie mos me keqkupo : Nga Shqipëria më thanë se ambasada jonë në Romë kishte blerë 10 bileta. Në fakt, sikurse e kam thënë në një intervistë te Shqiptarja.com, unë nuk kisha ftuar asnjenjeri nga ambasada, sepse kam qenë i zhgënjyer nga një koncert që bëra shumë kohë më parëpor jo ne Itali. Këtë rradhë vendosa të mos thërras askënd nga ambasada jone.

Por erdhen dhe per kete u ndjeva i lumtur.

Po ti nuk ftove asnjë shqiptar ? Unë mora vesh se ishte Elsa Lila, e cila ka këngën "A kanë ujë ato burime" në albumin tuaj, por edhe Klejdi Kadiu...
Po të ftuarit ishin 6. Ishe fituesi i festivalit te San Remos Simone Cristicchi,pianisti cantautor Sergio Cammariere nje super guest me te cilin un colaboroj ka 15 vjet dhe nje nga ikonat e viteve 80/90 ne bote Massimo di Cataldo, por edhe bandoneonisti me i famshem ne europe Daniele di Bonaventura. Nga këta ishin edhe dy miqtë e mi Shqiptare që jetojnë në Romë, Elsa që është ekselenca jone për këngën dhe Klejdi për baletin.

Elsa e këndoi në skenë këngën e saj live, po ashtu edhe Klejdi pati një debutim në zhanrin e tij të baletit sebashku me balerinen e pare te baletit te Romes Claudia Vecchi dhe interpretuan se bashu me mua dhe grupin tim Libertango te Piazzolles. Nje mrekulli e papare.

Dhe kam dashur gjithmonë të të pyes: Si e presin këngën shqiptare "A kanë ujë ato burime" kur këndohet në skena të ndryshme në botë, dhe që në fakt është në albumin tuaj?
Kenga shqiptare është më e bukura dhe për të kanë shumë kuriozitet të gjithë. Eshtë e tëra me nje rritem te theksuar shqiptar. Të huajt nuk janë mësuar të dëgjojnë këngë,rritme e melodi të tilla. Ajo madje, ka më shumë sukses nga të gjitha.

Pse kjo këngë duartrokitet më shumë?
Nuk është problemi vetëm te duartrokitjet. Por sapo mbaron koncerti, miqtë e mi në prapaskenë, por edhe nga publiku, interesohen në mënyrë të veçantë për ketë këngë.

Po e shkruan edhe mediat italiane që në këtë koncert bamirësie ju dolët me albumin e fundit "Unexpected" apo jo? Edhe aty ke një këngë për detin, me mikun tënd Lucio Dalla...
Po, po, ishte i njëjti album për të cilin performova në skenë bashkë me bandën time International Clandestine Orchestra . Albumi, ka pasur shumë sukses falë edhe faktit qe Lucio Dalla kendoi ne ketë album

E di, edhe unë e kam një album tendin në makinën time. Vitin e kaluar në Shqipëri po ashtu bëri bujë...
Unë vitin e kaluar, gati gjithë pushimet, i kalova me koncerte në Shqipëri. Nëper sheshe. Dhe kam performuar në Tirane, Sarande, Vlorë, në Durrës, edhe në Shkodër.

Po mirë, si të duket, e kuptojnë shqiptarët muzikën tuaj?
Çfarë thua!!!!! Muzika ime eshte e marre nga pjeset me te famshme boterore. Kam parë kaq shumë njerëz në shesh, në Durrës po e po, mua më dukej se ishin mbi pesë mijë veta në shesh. por edhe në Sarande e Shkodër. Madje në Shkodër deri në rrugë, ishte dingas me njerëz. Të gjitha rrugët u bllokuan. Unë në fakt, mezi po i prisja këto koncerte në sheshe, pa bileta, dhe me qytetarët shqiptarë që shijonin muzikën falas.

Më duket normale, Shkodra e ka këngën traditë muziken, pra e kupton.
E di Anila, më thanë se në Vlorë, ai baneri që është vendosur për koncertin tim, është ende në qytet i vendosur...

Po, e kam parë edhe unë. Madje kujtoja se ishe ende në Shqipëri. Le të kthehemi sërish te koncerti. Me këtë album keni bërë tur rreth botës apo jo?
Ideja e fillimit ishte që udhëtimi të fillonte në Argjentinë e të mbaronte në Australi. Dhe ky koncert i ishte dedikuar detit. Dhe kesaj rradhe ne vecanti udhetimi ishte ne vij ujrore .

Pse Olen? Ti nuk shkëputesh dot nga deti më duket mua...
Po patjetër. Unë jam rritur në det. Ishte tmerr në fakt që isha në Shqipëri verën e kaluar dhe Durrësin e pashë...si të them...copë-copë. I vetmi vend që mund të bëje plazh, është diku poshtë te Bishti i Pallës, Portez quhet, pak më poshtë se Currilat. Vetëm aty kam shkuar në plazh dhe ke edhe nje vend tjeter te mirë qe me duket quhet Aragosta . Shkova edhe tek plazhet e tjera rreth Adriatikut, por aty nuk qëndroja dot. Ishte e shkatërruar gjithçka. Kurse nga Vlora deri ne Ksamil bregdetit është një perle . Shpresojme ta mbajme ashtu dhe te bejme gjera me mend qe te mos ta shkatarrojme si plazhin e Durresit.

Mua më duket se shumicën e viteve të tua i ke kaluar jashtë. Kjo është përshtypja që krijove pas pushimeve të gjata në Shqipëri? E pisët e pa rregull?
Për mua ishte hera e parë që qendrova në vendlindjen time kaq gjatë. Dhe po ashtu ishte stresuese për të organizuar një gjë të tillë sic ishte nje "tur". Po kërkonim të bënim një gjë shume të madhe dhe me pak buxhet. Dua të falenderoj Florin dhe kompanine e tij, që u moren me menaxhimin e skenës. Kan bere nje pune me shume kualitet edhe pse fondet ishin te pakta dhe per kete e falenderoj shume.

Nga ana tjetër dua të falenderoj ambasadorin e delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi dhe Ministrin e Kultures Aldo Bumci qe mundesuan kete tur. Ideja fillestare ishte që të bëja një tur koncertesh me sponsora private, por më pas, u ula me ato, dhe vendosëm ta bënim bashkë kete projekt. Një gjë e hapur, koncerte neper sheshet e Shqiperise gratis per te gjithe popullin. Dhe kjo ide u realizua.

E meqë të ka pëlqyer ky tur, do të kthehesh sërish për koncerte në Shqipëri apo jo?
Qejfi ma ka të organizojmë një tur të ri, siç e bëmë verën e kaluar. Ta bëjmë akoma më të bukur. Po mundohem ta realizoj. Ndërkohë, i kam dërguar sërish një projekt të tillë komunitetit europian ne Bruksel dhe shpresojme qe ta marrin ne konsiderate. Tani shumë shpejt do të shkoj për një koncert në Azerbajxhan. Në fund të shkurtit do të jem në SHBA për çmimet Oscar ku jam i ftuar. Mandej nga fundi i marsit apo nga prilli kam plane që të rikthehem në Shqipëri do shoh e do bej, por ma ka qefi te organizoj dicka te bukur sic e beme vitin qe kaloi ke i vetmi jazz club serioz ne Shqiperi ke Boom Boom Room .

Oleni dhe politika
Oleni për shumë vite u shkëput nga Shqipëria. Por këto kohët e fundit që ka filluar të rikthehet më shpesh në vendin e tij, padyshim i ndjek me vëmendje zhvillimet politike të brendshme. Unë nuk ngurroj ta ngacmoj për këtë pjesë, për të kuptuar sesa mund të ndikojë jashtë e brenda, një artist i madh si ai. Dhe dëgjoj disa rrëfime interesante për mënyrën sesi e sheh Oleni politikën.

Më the se do të vish në fund të marsit apo në prill. Po e di Olen, s'do ta kemi shumë mendjen te koncertet. Eshtë një fushatë e ethshme zgjedhore. Sepse nuk e di nëse e ke dëgjuar, por do të kemi zgjedhje parlamentare në 23 qershor...
E di, e di. E kam dëgjuar. Unë i ndjek lajmet qe vijne nga Shqipëria. Po unë nuk kam ndermend të ndikoj. Unë nuk jam as majtas, as djathtas. Jam i Shqiptarve. Më intereson politika që merret me zhvillimin e Shqipërisë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Fakti që ka të majtë e të djathtë, nuk ka të bëj me artistin. Artisti i perket popullit . Por dua tju kujtoj fjalet e nje politikani te madh qe thoshte : "moraliteti i personazhit politik qendron ne ushtrimin e pushtetit qe populli i ka dhënë me qellim qe te ndjeki dhe te realizoj te miren e te gjitheve" .

E duke e ndjekur politikën, çfarë të ka bërë përshtypje më së fundi?
Po ja, më vjen keq për punën e tre ligjeve të famshme që nuk po bëhen. Dhe kur flasim me të huaj këtej, është e pabesueshme që na pyesin dhe na thonë: Po mirë si është e mundur që në Parlamentin tuaj nuk miratohen këto ligje që të zhbllokohen fondet e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Dmth, të huajt nuk e kuptojnë dot faktin që të digjen fondet , gjithë kjo hyrje e madhe lekësh për vendin, në momentin që pjesa më e madhe e Evropës është në krizë. Kjo është një pikë, që as unë vetë nuk e kam kuptuar.

E bukur kjo e ligjeve. S'ma priste mendja të ma thoshe. Po mirë, ti e di se kush janë këto tre ligje që duhet të miratohen?
Jo, nuk i di. Por ky fakt për mua është sekondar, dytësor. Nuk e di fare pse nuk bëhen këto tre ligje. Unë nuk i di specifikat e kësaj gjëje, por është i pakonceptueshëm fakti që nuk gjendet një akord mes të majtës dhe të djathtës, në mënyrë që të hyjnë më shumë para dhe më shumë investime per Shqiperine.

Po si mund të jepet një vlerësim pa e njohur konkretisht këtë çështje?
Nuk po jap nje vleresim…
Ne që nuk jetojmë në Shqipëri, dhe na pyesin kështu e konceptojmë. Këtu nuk arrin dot ideja se e majta dhe e djathta nuk janë në gjendje ta zhbllokojnë situatën për shkak të çështjeve të tjera. Këtu te ne, vjen vetëm fakti ekonomik. Ka kaq shumë fonde për t'u dhënë, dhe nuk jepen për këtë motiv. Kjo është pjesa e asaj që arrinë këtej. Dhe këtu arrin kjo gjë që e majta dhe e djathta nuk janë në gjendje te zgjidhin kete pune por po bejne si tommy and jerry.

Ka një peticion që i kërkon opozitës të votojë tre ligjet. Ti e ke firmosur këtë?
Jo nuk e kam dëgjuar këtë gjë dhe nuk ma merr mendja qe peticioni do arrij ndonje qellim. Unë nuk e kuptoj se pse dy partite kryesorë të politikës, majtas e djathtas, nuk ulen në tryezë të vendosin të zhbllokojnë situatën. Ne kete menyre më duket se çështja do ishte me e thjeshtë.

Po të rikthehem te arti. Ke dëgjuar një lajm "tragjik" nga Shqipëria se janë dëmtuar afresket e Onufrit në një kishë të Elbasanit?
Ua çfarë tmerri. Nuk e kam dëgjuar. Po si ka mundësi , si ka ndodhur ?
Nuk ka autor. Ministria ka thënë se nuk i ruan dot këto objekte. Njerëzit janë të varfër, ndoshta kanë dashur ti marrin e ti shesin dhe i kanë dëmtuar...
Po varfëri ka edhe në mes të Italisë dhe te Europes. Ka nga ata që fitojne 800 euro ne muaj dhe 700 euro duhet të paguajnë qiratë e shtëpive. Nuk është ky problemi. Problemi është se italianëve nuk ju shkon në mendje të shkojnë e të vjedhin një Kishë apo ta demtojne.
Ndoshta duan të vjedhin pasanikët, por gjërat e artit jo ! ato jane te shenjta sepse bejne pjese ke historia e kombit. Dhe e shikoj tragjike këtë për Shqipërinë. Ne na i kanë vjedhur të gjitha gjërat e bukura në këto vite, dhe tani kanë dëmtuar edhe afresket e Onufrit?

Po, tragjike, por nuk është vetëm kjo. Gjithçka duket si në mëshirë të fatit...
E kam vënë re, ja është Amfiteatri i Durrësit që po ta shohësh, çfarë nuk i kanë bërë vërdallë dhe brenda. i kullonte kanali i ujrave te zeza ne tribunen e imperatorit ! tmerr total ! Për atë vepër, edhe italianët qe kane nje perqindje te madhe te artit dhe te arkeologjise boterore na heqin kapelen. Më vjen shumë keq që e shoh në nje gjendje të tillë.

Muzeu arkeologjik i Durresit ishte nje vend me te cilin mburreshim ne europe tani eshte i mbyllur fare..
Mamaja e një shoqes sime këtu në Itali, ka dhënë 1 milionë e 250 mijë euro për të restauruar Fontana di Trevi. Po pasanikët e famshëm shqiptarë pse nuk dalin të thonë se po japin ndonjë fond dhe këto para ti investojnë te Arti dhe ke historia e kombit ? Dhe aty të mbajnë markën e tyre qe thot kjo kompani e restauroj dhe po mirmban kete vend ? Madje mund të ketë edhe politika qeveritare, e shtetërore për këtë çështje: psh, shteti të mos taksojë ato para të biznesmenëve që hidhen për ruajtjen e kulturës dhe traditës shqiptare ose ti shkarikoj nga taksat. Ne kemi shumë të huaj që duan të shohin Durrësin, Butrintin, Beratin, Krujën, e këta biznesmenë mund të investojnë dhe të vënë aty markat e tyre qe ti bejne te njohura edhe neper bote.

E meqë kam hyrë në këtë bisesë për shumë çështje, ti Olen e ndjen veten Patriot? Nacionalist? Pra thua gjithandej në botë se je Shqiptar? Këtu në Shqipëri ka "shpërthyer" një ndjenjë nacionalizmi e madhe...
Nacionalizmi nuk mendoj se është një fenomen i mirë. Nuk i ka prurë askujt mirësi, edhe po ta shohësh ne historinë e botës. Nacionalizmi duhet të vijë në një moment kur dikush po te sulmon. Po ja psh, kam dëgjuar për Preshevën. Nëse atje dhunohen të drejtat e shqiptarëve, padyshim duhet të ketë reagim kombëtar dhe ndërkombëtar institucional. Por nuk besoj se nacionalizimi është një vegël e mençur për t'u përdorur. Ibrahim Rugova të cilin e konsideroj Gandin e Ballkanit, dikur ka thënë se nacionalizmi nuk është rruga e duhur por diskutimi dhe komunikimi jane armet e duhura.

Ndoshta kjo ndodh se ne Shqiptarët kemi akoma ide të së kaluarës?
Po mendoj se duhet të kalojnë edhe disa vite, sepse ne kemi ende reaksionet e vjetra brenda nesh. Pse e bëri dicka një person, dhe hajt tja prishim ne vend qe te themi hajde ta bejme me mire se ai. Ndërkohë që duhet të bëjmë të kundërtën. Ashtu sikurse e shoh se ka reaksion që lidhet ende me Komunizmin. Por them se gjeneratat e reja, pra ata që kanë lindur pas viteve '90, nuk e kanë këtë gjë brenda ne DNA. Por prindërit e tyre, sikurse e kuptoj unë, janë ende të lidhur me atë realitet te vjeter.

Po ty Olen, çfarë të bën krenar që je shqiptar? Dmth, nga ato gjëra që themi shpesh: Bujaria? Mikëpritja?...
Jo, jo. Motivi i parë është se ne kemi një histori që kërkon vlerësimin e vet. Që do të thotë se nëse dikush sheh Amfiteatrin, Butrintin, Krujën, Beratin, duhet të kuptojë se shqiptarët kanë një histori të jashtëzakonshme dhe shume te lashte qe duhet ta mbrojme dhe promovojme dhe kjo është gjëja e parë. Në momentin që ti nuk do të dish për këtë, atëherë këtu e ke humbur fillin. Unë dua të zbres në Aeroport dhe ti shoh mrekullitë e historisë shqiptare të ekspozuara aty. Turistët që vijnë në Shqipëri, kur zbresin nga avioni, nuk e dinë se ne i kemi këto perla historike. Atëherë ne duhet t'ua prezantojmë. Kështu mendoj se historia vjen e para. Mandej është Kultura. Dhe për këtë, duhet t'i themi vetes: shyqyr që e kemi. Dhe të mendosh për Polifoninë shqiptare që nuk e dëgjon askund tjetër ne bote. Por ne duhet të krenohemi për polifoninë tonë,muziken tone, origjinalitetin dhe vecanerine e tyre. Veshjet dhe kostumet popullore kombetare. Pastaj vijnë këto elementë si besnikëria, mikpritja, të cilat kanë qenë vlera, por tani nuk e di nëse i kemi akoma apo jo.

Atëherë të gjitha këto të bëjnë të rikthehesh në Shqipëri apo jo?
Ndaj të thashë se po planifikoj një koncert tjetër dhe nje tur tjeter ne Shqiperi
Kur erdha në Shqipëri, u ndjeva mirë. Kam gjetur gjithçka kam kërkuar. Por gjëja që më bezdiste më shumë, ishte shqetësimi gjatë udhëtimeve. Isha vetëm me makinën time, i rashë si të them qark për qark Shqiperise dhe e kam ngare makinen pothuajse në gjithe botën, por gropa në rrugë si në Shqipëri nuk kam parë askund tjetër.

Dhe akoma e pyes veten … si eshte e mundur te lehen gropa te hapura ne autostrada ose puseta pa kapak neper qytete ?
Ose pershembull policët në rrugë, nga Shkodra deri në Tiranë më ndaluan tetë herë dhe kjo është shumë bezdisëse kur kun kanë asnje motiv për të ndaluar.

Aha, të kërkuan lekë?
Po ndonjëherë dokumenta ndonjere nje kafe.
Këto janë gjëra që i dinë të gjithë. Por se kisha aty qellimin e bisedes

Shkrimi u publikua sot në Suplementin Fundjava, në gazetën Shqiptarja.com(print), 1 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen