INTERVISTA për Report Tv/ Jeta në rrezik?! Ish-kampioni i botës në shah Kasparov në Tiranë: Miqtë m’i burgosën e vranë, beteja ime ndaj diktatorit brutal Putin do vazhdojë

Ish-kampioni i botës në shah, Garry Kasparov bashkoi pranë Piramidës personalitete të letrave, sportit, politikës e sipërmarrjes në promovimin e librit të tij "Jeta si një lojë shahu". Deputeti Eduard Shalsi e ka sjellë në shqip nga anglishtja dhe ky, është botimi i parë i Kasparov, që shkon përtej sportit.  I tërhequr nga shahu profesionist prej 2005-ës jeta e Kasparov është përqendruar vitet e fundit në shkrimtari dhe aktivizëm politik. Ndihet komod Tiranë, që siç thotë, e kthen në fëmijërinë e tij në Baku, teksa na rrëfen më shumë për jetën e tij.

“Në këtë periudhë shahu merr një pjesë shumë të vogël të jetës sime, ndonëse nuk resht së kurrë së qeni aty, edhe pse unë luaj lojëra të ndryshme. Me sa mbaj mend kam qenë i apasionuar pas shahut që në moshën 5-vjeçare dhe ende sot vazhdoj të shikoj çdo ditë tabelën e shahut, e të merrem me shumë aktivitete si me shoqata shahu, të punoj me fëmijë të talentuar, të promovoj këtë lojë, dhe ndoshta i dedikoj 20 për qind të jetës sime, por pjesa tjetër është aktivizëm politik”, thotë ish kampioni i botës në shah, aktivisti politik e shkrimtari Garry Kasparov.

Ndonëse i ka dhuruar shumë medalje të arta në shah, përballë regjimit të Vladimir Putin, ai ka kërkuar 'Rusinë tjetër'.

“ Tani beteja ime është që të ndihmoj Ukrainën dhe gjithashtu t’i kthej demokracinë Rusisë”, thotë më tej Kasparov.

 Me ndikim të lartë si zë intelektual dhe premisa të mëdha politike, në 2013-ën frika se do të binte pre e metodave diktatoriale të regjimit, siç ndodhi me miqtë e tij, bëri që Kasparov të largohej nga Rusia. Këtë libër ia dedikon nënës së tij,  në varrin e së cilës sot nuk mund të çojë as një lule...  Për këto, shpjegon se si është për një personalitet si ai të jetë në opozitë me Vladimir Putinin.

“A e di?! Të jesh në opozitë, ndoshta është një punë shumë e lehtë. Opozitë keni ju për shembull në qeverinë tuaj shqiptare, ku bëjnë zgjedhje, shkojnë në Parlament, debatojnë, por të bësh opozitë ndaj një diktatori brutal si Putini është diçka krejt tjetër.

Së pari, unë nuk mund të qëndroj në Rusi. Të gjithë miqtë e mi që kundërshtuan Putinin apo marshuan paqësisht në rrugë për Rusinë, janë ose në burg, si Alexey Navalny, të vdekur si Boris Nemstov, ose në ekzil si unë. Kështu që ne po përballemi me një realitet shumë të vështirë dhe përpjekjet për të rrëzuar Putinin nga froni, janë realisht qëndrime opozitare me rrezik.”, shton më tej.

Gjatë radhës së gjatë për foto dhe autografe, organizatorët janë munduar të marrin masa për sigurinë e tij. Vetëm gjatë këtyre ditëve propaganda ruse ka folur për eliminimin e tij. Kasparov është i vetëdijshëm, por nuk tërhiqet.

“Nuk mund të them me saktësi se çfarë mund të bëj, edhe pse siç duket jam i ndërgjegjshëm për çka më kanoset, por nuk mund të ndaloj së bëri atë që mendoj se është e drejtë, dhe në një farë mënyre më duhet ta marr si pjesë të paketës. E di që të luftoj ndaj Putinit, do të thotë të marr përsipër rreziqe, por këto rreziqe janë shumë më të vogla për mua se sa për ata që gjenden në burgjet e Putinit, apo ata që po luftojnë tani në Ukrainë. Ndaj besoj se është detyra ime të vazhdoj të punoj në këtë drejtim”, shprehet ish-kampioni.

Libri i tij ‘Jeta ime si një lojë shahu’ flet edhe për këto, se si përballë këshillave të gatshme universale ai të flasë për krijimin e modeleve përmes vendimmarrjes, ku strategjitë e shahut, mund të aplikohen edhe në fusha të tjera të jetës.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë