TIRANE - Vangjel Tavo kandidon për LSI në zonën e Gjirokastrës. Ai është përfshirë në politikën aktive në vend që nga viti 1996 si përfaqësues i minoritetit. Zoti Tavo ka shërbyer në funksione të ndryshme, duke treguar profesionalizëm të lartë në detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, si detyrën e tij më të fundit, duke treguar guxim në reformat kryesore në shëndetësi, reforma të braktisura nga çdo qeveri për vite e vite me radhë. Zoti Tavo kërkon votën e qytetarëve gjirokastritë me një tjetër mandat në Kuvend, për të bërë të mundur konsolidimin e zërit të minoritarëve, por edhe gjirokastritëve në parlamentin e ardhshëm dhe për tu bërë pjesë aktive e qeverisjes së nesërme.
 
Zoti Tavo, si paraqitet situata për kandidaturën tuaj në qarkun e Gjirokastrës? Kohët e fundit kemi parë se keni bërë akuza për të dy forcat politike PD e PS në emër të LSI?
Jemi vetëm pesë ditë nga votimi i qytetarëve gjirokastritë dhe të të gjithë Shqipërisë në 23 qershor dhe unë jam i bindur se vota e gjirokastritëve, do të jetë një votë e bashkuar për të ecur më shpejt drejt zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Sigurisht që fushata ka vështirësitë e veta, madje kjo fushatë në qarkun e Gjirokastrës ka rikthyer jo vetëm për mua si Vangjel Tavo, por edhe për gjithë opinionin publik një fenomen të njohur e të shëmtuar. Pazaret e disa njerëzve të veshur me pushtet me votat e banorëve të thjeshtë.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka treguar në vazhdimësi se është pranë komunitetit. Dhe natyrisht nuk mund të rrinim pa denoncuar këto pazare të pista të këtyre matrapazëve, që edhe postet që kanë aktualisht i kanë vetëm falë trafikimit të votave. Janë këta njerëz që ditën tundin flamujt e partive dhe natën bëjnë takime të fshehta për të vjedhur votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim e kandidatëve të saj. I kemi denoncuar dhe do vazhdojmë t’i denoncojmë publikisht këto afera që synojnë të shkatërrojnë procesin zgjedhor në Shqipëri, si dhe presionet që po bëhen ndaj njerëzve të thjeshtë që besojnë alternativën e LSI-së, që besojnë në integritetin njerëzor dhe moral të kandidatëve të forcës sonë politike.

Por gjirokastritët, përmetarët, tepelenasit, libohovitët, dropullitëtë e të gjithë banorët e zonave të qarkut Gjirokastër janë njerëz të mençur e të urtë, ata e dinë sesi t’i injorojnë presionet e pazaret dhe me votën e tyre më 23 qershor t’i ndëshkojnë. Edhe në takimet me elektoratin i kam garantuar që Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbrojë çdo votë, jo vetëm të saj, por të gjithë koalicionit të majtë, për të siguruar fitoren, rotacionin politik e për ta rikthyer vendin në binarët e zhvillimit demokratik.
 
Ju keni qenë në qeveri. Tani në opozitë. A mendoni se ka shanse për fitoren dhe si do të mirëadministrohet pushteti?
Nuk kam asnjë dyshim se LSI do të dalë nga këto zgjedhje më e fortë se ndonjëherë tjetër, ashtu sikurse e kam të qartë se koalicioni i të majtës do të jetë koalicioni që do të sjellë progresin dhe mirëqenien në çdo familje shqiptare. Slogani i LSI, “Të ecim më shpejt” është një pasqyrë e qartë e synimeve se ku do të jetë kjo forcë politike, që e ka treguar si dje në qeverisje, ashtu edhe nesër në qeverisje, se do të jetë afër çdo qytetari që do t’i besojë votën e zemrën.

Ne kemi bërë shumë punë të mira gjatë këtyre viteve, por tashmë ka ardhur koha, që reformat që i duhen Shqipërisë, të kenë një shpejtësi më të madhe. Të mos mbetet Shqipëria vendi i fundit në Ballkan në trenin e integrimit evropian. Por të kemi mundësi që në dy vitet e para të mandatit tonë, ta bëjmë Shqipërinë evropiane, jo vetëm në realizimin e reformave që kërkon Bashkimi Evropian, por si një vend në zemër të Evropës, ashtu sikurse jemi edhe gjeografikisht. Shqipëria po bën progres, por duhet të ecim përpara më shpejt.

Kemi mbrojtur qindra mijëra vende pune, kemi rritur prodhimin bujqësor vendas, kemi modernizuar spitalet, dhe e kemi çuar Shqipërinë më pranë integrimit evropian. Por kjo gjendje nuk na kënaq. Ne duam të bëjmë më tepër për t'a çuar Shqipërinë përpara. Duam të krijojmë më shumë vende pune të mirëpaguara, më tepër mundësi për të rinjtë dhe gratë. LSI është e përkushtuar t’i lërë mënjanë ndryshimet në mendime dhe jemi të vendosur të punojmë me të gjitha partitë për të krijuar më tepër vende pune dhe standarte jetese më të larta për të gjithë Shqiptarët. Vetëm nëse ecim ne të gjithë përpara, mund ta shtyjmë vendin përpara.
 
Ku e bazoni planin e fitores?
Jo vetëm te qytetarët që janë angazhuar fuqishëm për të mbështetur LSI në këto zgjedhje dhe për të votuar për numrin 26 në fletën e votimit, por edhe te burimi dhe forca e pashtershme e të rinjve energjikë të kësaj partie dhe këtij vendi. Eshtë koha që kësaj rinie vitale ti japim vendin që i takon në zhvillimet e vendit. Ata janë forca dhe energjia e pashtershme tek e cila ne besojmë, jo vetëm për fitoren e LSI, por të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, janë këta gjenerata e re që do të jenë motorri i ndryshimit të vendit tonë nesër.

Fitoren e padiskutueshme të LSI dhe të së majtës, e bazoj tek energjia dhe forca që do të sjellë në Shqipëri në 23 qershor, të qindra e mijëra emigrantëve që do të vijnë nga Greqia për të votuar numrin 26 në fletën e votimit. Plani dhe synimi ynë, i shkruar qartë edhe në programin e LSI, është që emigrantët të mos shihen më si një burim parash që duhet të hyjnë në Shqipëri, por si njerëz që nesër do të kenë të drejtën e votës, dhe shumë prej tyre që do të rikthehen në vend, të kenë mundësi të hapin biznesin e tyre këtu, duke kontribuar për familjet e tyre, por edhe për zhvillimin e vendit. Unë kam zhvilluar gjatë këtyre ditëve me dhjetëra takime me emigrantët, dhe jam i bindur, se ata vetë do të dinë të kontribuojnë dhe të bashkëqeverisin me ne nesër.

Fitorja e padiskutueshme e LSI do të vijë edhe nga mbështetja e madhe që do t’i japë numrit 26, komuniteti minoritar i vendit tonë. Unë vij nga ky komunitet dhe e di shumë mirë, se edhe pse kemi punuar shumë gjatë këtyre viteve, duhet ende shumë punë për të bërë. Minoriteti do të ketë vendin që i takon në administratën shtetërore, do të kenë shkollat e librat e tyre, do të kenë mundësi të njëjta me të gjithë, dhe do të kenë një zë të tyrin të fuqishëm në Kuvendin e Shqipërisë nesër. Unë e di se sfidat që kemi përpara janë të vështira, por të gjithë së bashku, do të arrijmë të mirëadministrojmë fitoren që do të na japin të gjithë qytetarët dhe LSI, si burim i pashtershëm energjie për zhvillimin e vendit.
 
Cilat janë problematikat në qarkun tuaj dhe si synoni të zgjidhni probolemet?
Në 17 vite të jetës sime si deputet i Parlamentit Shqiptar nuk jam shkëputur asnjëherë nga Gjirokastra dhe problematikat e saj. Për fat të keq janë shumë të tilla edhe pse ky rajon nuk i meriton, duke qenë se ka resurse të pafundme natyrore, historike, monumentale dhe potenciale njerëzore. Në takimet me çdo banor, në çdo fshat e çdo komunë, në çdo lagje të të gjithë qyteteve, në takimet me grupe të ndryshme interesi punësimi mbetet një problem shumë serioz.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka një plan konkret të punësimit, që është prezantuar nga lideri Ilir Meta, por me të cilin janë njohur të gjithë shqiptarët. Në Gjirokastër, Tepelenë e Përmet do të shfrytëzojmë çdo potencial të mundshëm, çdo traditë e veçansi për të gjeneruar të ardhura për banorët. Së dyti mbetet infrastruktura. Kemi një rrugë kombëtare që qeveria aktuale megjithë premtimet e pafundme e la në gjendjen më të mjeruar, duke e kthyer në një turp, edhe në syrin e turistëve të huaj.

Fshatra e zona të tëra në të tri rrethet Gjirokastër, Tepelenë e Përmet mund të arrihen vetëm me helikopterë, pasi në rrugët lidhëse të tyre nuk është hedhur asnjë lopatë dhe. Gjirokastra është një nga pasuritë botërore të trashëgimisë kulturore, po Gjirokastra është harruar. Është e vërtetë se janë bërë disa investime të objekte të ndryshme monumentale, por dhjetëra godina të tjera rrënohen çdo vit, mjafton të bien disa pika shi. Nuk ka pasur asnjë inisiativë deri tani për të nisur një bashkëpunim me pronarët e këtyre godinave, për t’I shtyrë ata jo vetëm të investojnë, por t’I kthejnë banesat e tyre në burim të ardhurash për familjet.

Lëvizja Socialiste për Integrim do të garantojë kreditë e buta për këta pronarë dhe më besoni, nëse të gjithë këta element do të harmonizohen së bashku, Gjirokastra e pas disa kohëve do jetë një realitet krejt I ndryshëm nga ky I sotmi. Por, ajo që e ka mbajtur pjesërisht peng zhvillimin në Gjirokastër është edhe bashkëpunimi apo më saktë mungesa e bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes locale dhe asaj qendrore.

Në Tiranë ekziston mentaliteti I qytetarëve të kategorisë së parë dhe asaj të dytë dhe qarku Gjirokastër për fat të keq dhe në antitezë të plotë me realitetin përkufizohet në kategorinë e dytë. Probleme të tjera ka plot, por dua të garantoj çdo banor se pas 23 qershorit do të punojmë shumë fort për eleminimin e tyre. Nuk dua të them se gjërat janë të lehta dhe do ndryshojnë sa hap e mbyll sytë, por unë personalisht, LSI dhe lideri I saj, z. Meta kemi gjithë vullnetin, dëshirën dhe përkushtimin për të ndryshuar çdo gjë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)