TIRANË - INUK realizoi sot prishjen e dy karburanteve të jashtëligjshëm në Rinas, vendosur në një sipërfaqe prej rreth 5000 m² në të dy krahët e rrugës.
Veprimet e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar nisën rreth orës 08:00 dhe u mbështetën nga shërbimi Zjarrfikës dhe efektiva të Policisë së Shtetit. Aksioni i INUK u zhvillua konform ligjit dhe nuk hasi në kundërshtimin e pronarëve të objekteve.
Po ashtu, prej disa ditësh, INUK vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet dhe tabelat e paligjshme në Tiranë dhe në rrethe.
INUK prish dy karburante në Rinas
Gjatë gjithë këtij aksioni, INUK, në zbatim të ligjit dhe ushtrimit të kompetencave, gjeti mirëkuptimin e subjekteve dhe individëve që zotëronin këto objekte. Operacioni për lirimin e hapësirave publike përfshiu rrugët; "Hoxha Tahsin", "Xhafize Keko", "Qemal Stafa", "Muhamet Gjollesha", etj., ku u prishën 154 objekte të kundërligjshme, kryesisht shtesa pallatesh, përshtatur për biznes, apo tenda stacionare me kostruksion të lehtë dhe metalik, që kishin zënë hapësirat publike.
Zotëruesit morën masa për heqjen ose prishjen e tyre, të sensibilizuar nga thirrjet e INUK. Mjetet e rënda ndërhynë vetëm në ato objekte ku poseduesit e kishin të pamundur prishjen e tyre.
INUK prish dy karburante në Rinas
Disa nga ndërhyrjet më të rëndësishme ishin, ajo tek tregu i fruta-perimeve në kryqëzimin e rrugëve "Kujtim Laro" dhe "Xhafize Keko", apo dhe lirimet e lulishteve në rrugën "Qemal Stafa" dhe përballë Inxhinierisë së Ndërtimit etj.
Në një tjetër aksion INUK largoi tabelat e jashtëligjshme në rrugët; Qafa e Kasharit-Rinas, Qafa e Kasharit-Maminas-Durrës, Qafëthanë, Pogradec-Korçë-Kapështicë, Tepelenë-Gjirokastër, Lezhë-Shkodër, Milot-Morinë, etj. Deri tani janë hequr më shumë se 1000 tabela të paligjshme.
INUK bën me dije se në zbatim të ligjit do të prishë të gjitha ndërtimet pa leje që kanë zaptuar hapësirat e përbashkëta kudo që ndodhen. /ATSh/