Banorët e zonës së Balshajve në Kodër-Kamëz pritet të kenë shumë shpejt një infrastrukturë të re, pas investimeve që po kryhen nga Bashkia e Tiranës në këtë pjesë të kryeqytetit.

Gjatë inspektimit të punimeve, kryetarja e komanduar e bashkisë, Anuela Ristani, tha se ndërhyrja synon t’i japë fund problemeve të përmbytjeve dhe mungesës së infrastrukturës që ka pasur zona prej vitesh.

“Jemi këtu tek zona e qymyrmbajtëses në Kodër-Kamzë, një zonë e cila ka qenë komplet informale, që nga kanalizimet deri tek çdo lloj elementi tjetër i sigurisë në rrugë. Tani, jo vetëm që janë bërë të gjithë sistemimet e përmbytjeve që ndodhnin shpesh, pasi kolektori duhej bërë nga fillimi, por ka të gjithë elementët e sigurisë rrugore. Elementë që për fat të keq, nuk ndodhen në të gjithë lagjet tona, por për çdo investim të ri, jemi kujdesur që të ekzistojnë”, deklaroi Ristani.

Sipas saj, projekti përfshin disa blloqe banimi dhe një sipërfaqe të konsiderueshme rrugësh e trotuarësh.

“Ky është një investim shumë i madh, pasi janë rreth 2000 metra rrugë, 1500 të tilla janë vetëm sipërfaqe e trotuarëve dhe pjesa tjetër është pjesa e makinave. Jemi duke sistemuar edhe qarkullimin e të gjithë segmenteve, sepse bëhet fjalë për disa blloqe ndërtesash, ku kalimi do të bëhet një herë nga njëri krah për njërin dhe nga njëri krah për tjetrin, në mënyrë që të mos pengohen më pas edhe kalimet në trotuar dhe të mos pengojmë edhe rrugën për qarkullim”, u shpreh ajo.

Ristani theksoi se investimi është pjesë e ndërhyrjeve që po kryhen në Njësinë Administrative nr. 11 për përmirësimin e jetës në periferi të Tiranës.

“Ky është një nga disa investime që ka Njësia Administrative nr. 11, për të rehabilituar jo vetëm atë që është një infrastrukturë shumë e rënduar, për shkak të gjithë zhvillimit që është bërë pa ‘shtyllën kurrizore’ të rrjetit rrugor dhe sistemimit të ujërave të bardha e të zeza, por edhe për të rritur cilësinë dhe ndërgjegjësimin e komunitetit, në mënyrën si komunikojmë, në mënyrën si i japim hapësirë njeri-tjetrit dhe në mënyrën si ndajmë hapësirën e përbashkët”, përfundoi Ristani.

Projekti parashikon rikonstruksionin e rrugëve, ndërtimin e trotuareve të reja, kanalizimet e ujërave të shiut dhe të ndotura, vendosjen e ndriçimit LED, sinjalistikës rrugore, si dhe shtimin e hapësirave të gjelbra dhe elementëve urbanë për banorët e zonës.