Investimet e reja në Spitalin Universitar të Traumës kanë sjellë pajisjen moderne, O-Arm, një teknologji e avancuar që mundëson trajtimin e patologjive delikate me saktësi maksimale.
Fatos Olldashi, shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë pranë spitalit të Traumës thotë se spitali është pajisur me aparaturat më moderne që disponojnë sallat e operacionit të neurokirurgjisë.
“Shërbimi neurokirugjisë në spitalin Universitar të Traumës është pajisur me aparaturat më moderne.Blerja e aparaturës O-Arm është një skaner brenda sallës së operacionit që bën të mundur kryerjen e interventeve shumë precize dhe delikate, të cilat janë pjesë e patologjive që trajtohen në shërbimin e neurokirurgjisë. Po ashtu është blerë edhe pajisja e endoskopisë neurokirurgjikale për realizimin e operacioneve mini-invazive me një hapje shumë të vogël të lëkurës së pacientit arrihet të realizohet trajtimi i patologjisë qoftë traumatike apo tumorale”, tha Olldashi.
Më tej mjeku theksoi edhe blerjen e neuornavigatorit dhe neuoromonitorit dhe rëndësinë e tyre.
"Vlen të përmendet edhe blerja e neuornavigatorit dhe neuoromonitorit. Natyrisht, mikroskopi ka qenë prezent në investimet që ka kryer më parë Ministria e Shëndetësisë dhe të gjitha këto pajisje përbëjnë atë armaturën kryesore të një sallë operacioni neurokirugjikale moderne dhe të një standardi perëndimor në botë”, përfundoi mjeku Olldashi.
Videoja u shpërnda nga ministrja e shëndetësisë Albana Koçiu në rrjetet sociale.