Investimet e huaja u rritën 8% në
tremujorin e parë

Investimet e huaja u rritën 8% në<br />tremujorin e parë
Por shënojnë nivelin më të ulët pas tre tremujorëve radhazi me një rritje të fortë
 
Investimet e huaja arritën në 168 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2017, duke u rritur me 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, pavarësisht përmirësimit të lehtë, investimet e huaja kanë shënuar nivelin më të ulët pas tre tremujorëve radhazi kur kishin njohur rritje të fortë. Shifrat bëhen të ditura në Raportin e

Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas analizës së Bankës, fluksi hyrës neto i investimeve direkte shënon 168 milionë euro (ose +8% në terma vjetorë), nga të cilat 188 milionë euro vijnë në trajtën e zgjerimit të kapitalit dhe një fluks negativ prej 20 milionë euro i derivuar nga marrëdhëniet e borxhit mes kompanive të lidhura.

Prurjet valutore në formën e investimeve direkte janë të përqendruara në sektorin e energjetikës (me rreth 41%), hidrokarbureve (në masën 37%), e ndërmjetësimit financiar (në masën 6%). Ndërkohë që rritja më e madhe e fluksit vërehet në sektorin e energjetikës.

Në terma vjetorë, injektimi me kapital u zgjerua ndjeshëm në masën 50%.
Në vitin 2016, investimet e huaja arritën në 983 milionë euro në vitin 2016, duke arritur në një nivel rekord, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në raport me vitin 2015, Investimet e Huaja Direkte u rritën me 10%. Në 2016-n, sipas tremujorëve, pas një gjysme të parë të vakët, investimet e kanë marrë veten, si rrjedhojë e fillimit të punës nga gazsjellësi TAP.

Niveli më i lartë është konstatuar në tremujorin e tretë, me 303 milionë euro.

Dy vitet e fundit, investimet e huaja janë ndikuar ndjeshëm nga punimet për gazsjellësin TAP dhe ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Por, shqetësimi lidhet me faktin që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikimin në afatin e mesëm. Nga ana tjetër, edhe investimet në sektorin e hidrokarbureve janë të varura nga bursat ndërkombëtare.

Në vitin 2015, investimet në hidrokarbure (që janë kryesisht hapje pusesh) ranë ndjeshëm për shkak të çmimeve të ulëta të naftës. Ndërsa në 2016-n dhe tremujorin e parë 2017 është vënë re një gjallërim i tyre për shkak të çmimeve më të favorshme në bursa.
 
Dobësitë

Në një nga raportet e tij të fundit, Komisioni Europian ka tërhequr vëmendjen për nevojën e diversifikimit të investimeve të huaja dhe burimeve të rritjes së Shqipërisë në raportin e zgjeruar të programit të reformave për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën për periudhën 2017-2019.
Komisioni Europian ka lëshuar kritika ndaj Shqipërisë për dështimin e vazhdueshëm në sektorin e shpenzimeve buxhetore, sidomos në shpenzimet kapitale.

Ekspertët e Komisionit Europian vlerësojnë se investimet janë vendimtare për të adresuar boshllëqet e mëdha në infrastrukturë, por një dështim i vazhdueshëm, duke mbajtur shpenzimet kapitale nën planifikimin po tregon dobësi në menaxhimin e investimeve publike.

Komisioni Europian është informuar se rënia e shpenzimeve është ndikuar nga interesat e ulëta të borxhit, pagesat më të reduktuara për deficitin e skemës së pensioneve dhe vonesat në shpenzimet e pushtetit lokal si pasojë e riorganizimit që erdhi nga reforma territoriale.

Gjithashtu KE sheh me shqetësim nivelin e lartë të borxhit publik, i cili mbetet një burim kryesor i cenueshmërisë makroekonomike.
Borxhi publik (përfshirë garancitë) ende tejkalon 70% të PBB-së, dhe shoqërohet nga rreziqet e rifinancimit dhe të kursit të këmbimit.

Rënia e pritshme e raportit të borxhit me PBB mbështetet kryesisht në përmirësimin e perspektivave të rritjes ekonomike.
Megjithatë KE thotë se planet e qeverisë për uljen e borxhit janë të rrezikuara nga mosarritja e objektivave për rritjen ekonomike dhe dobësitë për zgjerimin e bazës tatimore.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër