Investimet, Financat: Me 9 mln 
euro të INSIG zhbllokohet Unaza

Qeveria planifikon të zhbllokojë punimet në një prej segmenteve infrastukturore, që kanë mbetur pezull për shkak të politikës së ndjekur tre vjetët e fundit lidhur me shpenzimet, që synojnë ri-ekuilibrimin e zërave të buxhetit të shtetit, të prekura nga një rritje e ndjeshme e borxhit publik. Ministria e Financave ka përgatitur një projektvendim të Këshillit të Ministrave, që autorizon pagesën e gjysmës së shumës së përfituar në buxhet nga shitja e kompanisë së vetme shtetërore të sigurimeve INSIG tek privati, në favor të financimit të punimeve të segmentit të Unazës së Re të kryeqytetit, konkretisht në pjesën nga rruga “Komuna e Parisit” tek Shkolla Teknologjike. Punimet në këtë segment po avancojnë me hapa shumë të ngadaltë, por së fundmi është kryer edhe pagesa e pronave që do të shpronësohen, të cilat, gjithashtu, përfaqësonin një faturë të rëndë për arkën e shtetit.
 
Drafti
Sipas projektit të VKM, të përgatitur nga dikasteri i Financave, parashikohet që kufiri i investimeve të parashikuar për buxhetin e shtetit të vitit 2016 të shtohet edhe me 1.1 miliardë lekë të reja nga të ardhurat e realizuara si pasojë e privatizimit të kompanisë INSIG sha. Kjo shifër është gjysma e shumës që u pagua nga blerësi privat që privatizoi subjektin e fundit në pronësi shtetërore në fushën e sigurimeve, për të cilin u derdhën në arkën e shtetit më se 2.2 miliardë lekë.
Sipas projektit të VKM, fondi në fjalë prej 1.1 miliardë lekësh, i barabartë me një sasi valute në nivelin afro 9 milionë euro, do t’i shtohet kufirit të shpenzimeve kapitale të ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës në programin “Transporti Rrugor” për projektin “Ndërtim rruge Unaza e Re e Tiranës, segmenti Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës”.
Nëpërmjet këtij projektvendimi synohet avancimi i financimit të këtij segmenti, ku deri tani është kryer vetëm 65 për qind e punimeve në infrastukturë, sipas kushteve të parashikuara në kontratë dhe ku, sikurse thekson edhe ministria, “punimet janë ndërprerë për mungesë financimi”. Fjala është për vazhdimin e realizimit të një arterie shumë të rëndësishme, me vlerë të madhe për lehtësimin e trafikut automobilistik për hyrje në qytetin e Tiranës nëpërmjet zonave të rrugës së Elbasanit, “21 Dhjetorit”, që janë zona tejet të populluara të kryeqytetit. Vazhdimi i financimit do të mundësonte kushtet për përfundimin e këtij segmenti brenda vitit 2016, duke rehabilituar kështu një nga nyjet më të ngarkuara të trafikut të Tiranës.
 
Rreziqet
Bllokimi i punimeve, përveç mungesës së zgjidhjes së trafikut të rënduar, ka sjellë dhe po sjell vazhdimisht problem të tjera. Nëse kjo kontratë nuk do të marrë fonde shtesë, të propozuara, kjo do të sillte kosto shtesë për të gjitha punimet e kryera deri tani në këtë segment rrugor, pasi do të dëmtoheshin strukturat beton-arme të mbikalimit tek Rruga e Kavajës, si dhe armature përkatëse e hekurit, të cilët qendrojnë tani të zbuluar nën veprimin grryes të agjentëve atmosferikë. Nga ana tjetër, duke qenë se tashmë është hequr një pjesë e mirë e asfaltit ekzistues, lëvizja e ngadaltë e mjeteve, e shoqëruar me trafik të rënduar dhe tymra të shumtë, shton edhe dëmin mjedisor në këtë zonë. Po ashtu sikurse krijon një zonë ku në vazhdimësi është kërcënuar siguria e këmbësorëve dhe drejtuesve të mjeteve.
 
Fondet
Në fakt, projekti vjen në zbatim të vetë ligjit të buxhetit të shtetit për këtë vit, i cili parashikon që të ardhurat që do të krijohen nga privatizimet e pronave shtetërore duhet të kalojnë në përdorim, në masën jo më pak se 50 për qind, për uljen e borxhit publik, ndërsa pjesa tjetër për rritjen e kufirit të investimeve, por, kjo e fundit, pasi të caktohet destinacioni ne vendim qeverie.
Më datë 1 qershor 2016 është nënshkruar kontrata e shitjes së 100 për qind të aksioneve të INSIG-ut tek privatët, si dhe është konfirmuar zyrtarisht derdhja në arkën e shtetit shqiptar të shumës prej 2 miliardë e 222 milionë e 122 mijë lekësh, që ishte ofruar në tenderin, ku kompania “Eurosig” rezultoi fituese.
Projekti është dërguar nga ana e ministrisë së Financave në qeveri më datë 3 qershor dhe pritet miratimi i tij në një nga mbledhjet e ardhshme të Këshillit të Ministrave.

unaza dokument

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati