Investimet në Korçë
nga katedralja te kalldrëmet

Investimet në Korçë <br />nga katedralja te kalldrëmet
Korça ka specifikat e veta si qytet. Niko Peleshi, pretendon që në këtë mandat të dytë, të fokusohet në vlerat e trashëgimnisë së qytetit. Gjatë mandatit të parë, u arritën disa investime shumë serioze sa i përket infrastrukturës, por në këtë mandat të dytë, kryetari i bashkisë shpreson të mbyllë të gjithë projektet e mandatit të parë, dhe të vazhdojë me projektet e reja.
Pazari i vjetër i qytetit, është një ndër objektet më të rëndësishme të tij. Nuk bëhet fjalë për një të vetëm, por për një ansambël ndërtesash, të cilat do të plotësojnë kujdesin për trashëgimninë kulturore për qytetin.
"Dyqanet dhe hanet paraqesin karakteristika të pasura të arkitekturës dhe mjeshtërisë së punimit. Të gjithë po mendojnë që të risjellin elementë të kohës kur ato janë ndërtuar" tregon kryetari i bashkisë, Peleshi, lidhur me projektin e këtij mandati.
E kështu, bashkia Korçë hartoi një studim të plotë për zhvillimin e pazarit, duke e shoqëruar atë edhe me një plan biznesi. Këto dokumente, të përpunuara në vitet 2008-2009, morën edhe miratimin e Institutit të Monumenteve dhe Kulturës dhe u vlerësuan edhe nga Ministria përkatëse. "Për vetë karakteristikat unike të Pazarit të Korçës si dhe vlerësimin për konceptin e përpunuar nga Bashkia Korçë, ky projekt u paraqit si një "Flagship project" në kuadrin e projekteve me të cilat aplikoi Shqipëria në fondet e BE. Botimi i këtij projekti në faqen zyrtare të BE në Bruksel, është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të fondeve për investime në këtë monument" thotë Peleshi.
Puna për restaurimin e Pazarit ka filluar nga Bashkia Korçë, përmes mbështetjes financiare të Komisionit Evropian me vlerë prej 1 milionë eurosh. U fillua nga rigjenerimi i plotë i rrjetit të kanalizimeve nëntokësore dhe rikonstruksioni i kalldrëmeve tradicionale të këtij pazari, si dhe një pjese të fasadave të ndërtesave të tij. E duke mbetur te trashëgimnia e qytetit, puna do të përqëndrohet edhe te fasadat e vilave përgjatë bulevardit "Republika".
Investimet
Nëse nuk përmirësojmë cilësinë e jetës së fëmijëve tanë, nuk do të mund ta kemi të lehtë të ndikojmë në përmirësimin e jetesës në qytetin e Korçës. Këtë shprehje e përmend kryetari i bashkisë Niko Peleshi, duke treguar fillimisht punën që është bërë për rikonstruksionin e disa shkollave që kanë qenë në gjendje më të rëndë: rikonstruksioni i shkollave "Stavri Themeli", "Raqi Qirinxhi", "Sevasti Qiriazi", "Sotir Gurra" si dhe ndërtimi i shkollës 9-vjeçare "E re", ishin prioritete në mandatin e parë. Ndërsa për këtë vit që sapo ka hyrë, Bashkia Korçë do të merret me rikonstruksionin e shkollave "Mësonjtore", "Naum Veqilharxhi", "Demokracia" si dhe në disa kopshte në qytet dhe përfundimin e punimeve në shkollën "Sotir Gurra". Ndërkohë që parashikohet gjatë këtij mandati të dytë si kryetar bashkie, të realizohen edhe këndet e lojërave në të gjitha lagjet e qytetit.
Kjo sa u përket shkollave e kopshteve, sepse puna do të vazhdojë edhe për infrastrukturën. Rrjeti i kanalizimeve në qytet, shtrimi me pllaka kuarci i Bulevardit "Republika" dhe me pllaka guri natyral i trotuareve përgjatë tij, rigjenerimi i ndriçimit "duke e kthyer në kilometrin më të bukur në Shqipëri" siç thotë Niko Peleshi; rikonstruksioni i shëtitores "Fan Noli", rikonstruksioni i bulevardit "Gjergj Kastrioti", rruga "Kongresi i Përmetit" etj, hyjnë sërish në punët bashkiake të këtij viti.
Duke qenë se në bashki, janë rekrutuar njerëz me eksperiencë e një staf cilësor, Bashkia Korçë me anë të projekteve konkrete, u bë e para bashki që arriti të sigurojë marrjen e një kredie nga bankat e nivelit të dytë, me mbështetjen e USAID, dhe kjo kredi po përdoret për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit, në rrugët e brendshme të lagjeve apo edhe në rrugët kryesore.
Bashkia Korçë ka në plan edhe krijimin e një zone pedonale në shëtitoren "Shën Gjergji" duke krijuar një qasje bashkëkohore evropiane për qytetin në zemrën e vet.
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj

Ministri Andonovski: Venezuela të dëshmojë se ka pasur sulm hakerësh nga Maqedonia e Veriut në zgjedhjet e saj