Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manatirliu ka parë nga afër investimin tërësor të kryer në Klinikën Stomatologjike Universitare.
“Pas 20 viteve kur nuk ishte vënë dorë, investimi i parë është bërë në vitin 2018 dhe them se është investim historik për Klinikën Stomatologjike Universitare. Sot, me financimin e këtij viti, ia kemi dalë të realizojmë investimin tërësor në këtë strukturë, me sallat e reja, unite të reja dentare, grafi e pajisjet bashkëkohore, me setin e autoklavave për sterilizim, pajisjet ndihmëse dhe vendosjen në mënyrë të dedikuar të këtyre sallave, të cilat tashmë do të ofrojnë një shërbim shumë cilësor”, tha Manastirliu.
Ky investim i rëndësishëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Klinikën Stomatologjike Universitare, garanton shërbimet për fëmijët, të moshuarit dhe grupet vulnerabël falas, me cilësi të standardeve më të mira. Aktualisht në këtë klinikë ofrohen shërbime të munguara më parë, si shërbimi i protezave për moshat e treta dhe shërbimi për fëmijët me aftësi ndryshe.
“Ka qenë në fakt një kërkesë e kahershme e shoqatave të cilat mbështesin fëmijët me aftësi ndryshe, sidomos fëmijët të cilët kanë probleme të autizmit përsa i përket ndërhyrjeve të ndryshme dentare. Mua më vjen mirë që në Klinikën tonë Stomatologjike Universitare tashmë ka një strukturë të dedikuar pikërisht për këto ndërhyrje delikate. Besoj që ky është standardi më i mirë i shërbimit që mund të ofrojmë në një klinikë stomatologjike dhe që janë falas për të gjithë qytetarët, sidomos për grupet vulnerabël, për ata të cilët janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, personat me aftësi ndryshe apo edhe të moshuarit, duke përfshirë edhe ndërhyrjet, edhe protezimin”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se ky investim, është edhe një premtim I mbajtur në kuadër të Paktit për Universitetin.
“Unë jam shumë e kënaqur që i’a dolëm që të rrisim kapacitetet, në mënyrë që çdo student që bën praktikën sipas kurrikulës mësimore, të ketë mundësi që ta zhvillojë edhe në praktikë atë që mëson në teori. Në fund të fundit, ky është qëllimi i universitetit që kur t’i del dhe je gati për ta ushtruar profesionin tënd, të kesh përmbushur gjithë ato kritere të njohura tashmë të kurrikulës. Sot këto investime e mundësojnë këtë dhe kjo na bën me të vërtetë të ndjehemi krenarë”, tha Manastirliu.
Drejtori i Klinikës Stomatologjike Universitare, Anis Thodhorjani tha se u shërbehet rreth 21 mijë pacientëve në vit, duke i zgjeruar ndjeshëm shërbimet: “Shërbimet e kirurgjisë në Klinikën e Stomatologjisë jepen falas për të gjitha shtresat e popullsisë, veçanërisht për ato që janë në ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe këto investime bëjnë që jo vetëm pacientët të ndihen komodë por edhe studentët të kenë një bazë të mirë për të realizuar praktikat e tyre mësimore. Në Klinikën Stomatologjike, 400 studentë në javë janë në këto salla”.
Dekania e Fakultetit të Stomatologjisë, prof. Edit Xhajanka e vlerësoi këtë investim si më të rëndësishmin për studentët por edhe për shërbimin për qytetarët në nevojë.
“Kjo është një arritje shumë e madhe në sferën e stomatologjisë, sepse më parë të them të drejtën, kishte mangësi në pjesën e infrastrukturës dhe studentët ndjeheshin të kufizuar në pjesën e praktikës, duke pasur një diskordancë midis pjesës teorike të një niveli të lartë dhe praktikës. Ndërkohë, është një arritje shumë e madhe që megjithë këto investime shohim një infrastrukturë moderne bashkëkohore në standartet europiane”, tha prof. Xhajanka.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë prof. Arben Gjata e vlerësoi këtë investim në kuadër të përmbushjes së angazhimeve në kuadër të Paktit për Universitetin.
“E ndjej veten mirë sot sepse ky fakultet ka një bashkëpunim shumë të ngushtë me shumë fakultete te huaja. Në vitin e fundit në na kanë ardhur shumë profesorë të ftuar nga Italia, Gjermania e së fundmi nga Rumania. Dhe më vjen mirë që gjejnë këtu ato standard që i kanë dhe në vendet e tyre”.
Me financim nga buxheti i shtetit në vitin 2021 është mundësuar investimi në uniteve të reja dentare, autoklava, pajisje për operacionet, pajisje laboratori dhe rinovim i të gjithë sallave të Klinikës Stomatologjike Universitare. Aktualisht në këtë klinikë ofrohet gama e plotë e shërbimeve dentare.