“Investimet strategjike”, pr/ligji sjell lehtësira për investitorët

/ATSH/.- Projektligji për "Investimet strategjike" nisi diskutimin të hënën në komisionet e përhershme të Kuvendit. Ai synon të krijojë lehtësira proceduriale për investitorët dhe garanci juridike për shpronësimet. Gjatë diskutimit në komisionin e Ekonomisë, deputeti i PD-së, Dashamir Shehi, tha se çdo investitor duhet të rregullojë marrëdhëniet vetë me privatët dhe pa ndërhyrjen e shtetit.
Pr/ligji përcakton që investime strategjike të cilësohen ato në sektorët kryesorë të ekonomisë, me vlerë nga 1 milion euro deri në 100 milion euro, në varësi të sektorit ku do të investohet. Drafti përcakton gjithashtu krijimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, që do të vihen në dispozicion të projekteve.
Gjatë diskutimit të këtij projekti në komisionin e Ligjeve, ministri i Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, tha se drafti u hartua pas një debati të gjatë për përshpejtimin dhe zgjerimin e gamës së investimeve vendase ose të huaja në Shqipëri, nisur dhe nga pengesat që hasin investitorët në tërësi kur tentojnë të fillojnë një investim të ri.
"Shqipëria, megjithëse ka parë rritje të shifrës së thithjes së investimeve të huaja, në 2013-n u arrit shifra mbi 1 miliardë dollarë, në 2014-n gjithashtu u arrit shifra rreth 1 miliardë dollarë, por për ekonominë shqiptare këto shifra nuk janë mjaftueshëm dhe larg asaj të dëshiruar", u shpreh Ahmetaj.
Kryetari i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, shprehu mbështetjen për pr/ligjin, i cili synon të forcojë rolin e investimeve në ekonominë shqiptare. "Besoj se drafti do të ketë mbështetjen e të gjitha krahëve, pasi kjo nuk është as për një mazhorancë, as për një opozitë, por është në interes të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Nëse ka diçka që duhet ta bëjmë më mirë, këtu janë të gjithë të mirëpritur dhe mund të diskutojmë për ta bërë më mirë. Por, ajo që është e rëndësishme, qëllimi është tejet pozitiv, pasi i shërben qytetarit dhe ekonomisë së vendit dhe si i tillë duhet mbështetur", tha Xhafaj
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Jam Pjerin Ndreu’, 3 mashtruesit i marrin 15 mijë euro biznesmenit Ylli Ujka! 2 në pranga, 1 në kërkim (EMRAT)