Inxhinieret e sigurisë kibernetike nga Kosova në Silicon Valley

Inxhinieret e sigurisë kibernetike nga Kosova në Silicon Valley

Florentina Ferati

Gratë po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në kompanitë teknologjike këtu në Shtetet e Bashkuara. Në një industri ku ato përbëjnë vetëm 20 për qind të fuqisë punëtore, shumë prej tyre janë gra imigrante të punësuara në pozicione që kërkojnë aftësi të larta në inxhinieri, matematikë dhe shkencë. Zëri i Amerikës bisedoi me dy inxhiniere të sigurisë kibernetike me origjinë nga Kosova të cilat punojnë në Silicon Valley për të mësuar më shumë mbi rrugëtimin e tyre në këtë industri.

Pasi përfundoi studimet e larta në Universitetin Luthern në Teksas me rezultate të shkëlqyera, Florentina Ferati e pati të lehtë të punësohej nga disa prej kompanive më të fuqishme të teknologjisë në Shtetet e Bashkuara.

“E kisha qëllim që të aplikoja në kompani të ndryshme në Silicon Valley si Apple, Google, Facebook. Kisha fat që u pranova nga Apple dhe Facebook si inxhiniere e kibernetikës dhe vendosa t’i bashkangjitesha fillimisht Facebook-ut", thotë Florentina për Zërin e Amerikës.

Pas një karriere katër vjeçare në ruajtjen e të dhënave të privatësisë për gati dy miliardë përdoruesit e Facebook-ut, Florentina punon tani si menaxhere për sigurinë kibernetike në kompaninë AirB&B. Ajo thotë se i ka parë nga afër ndryshimet në këtë industri të dominuar nga burrat.

“Unë e paraqisja ndonjë ide timen dhe askush nuk e merrte për bazë. I njëjti koleg vetëm se ishte mashkull thoshte të njëjtën ide dhe ja merrnin parasysh atij. Ata aleatë që i kisha në mbledhje, thoshin ‘më fal pak po Tina (Florentina) sapo e përmendi këtë ide, ti vetëm sa e përsërite, kështu që do ta marrim për bazë idenë e Tinës”.

Teuta Hyseni punon si inxhiniere e sigurisë kibernetike për kompaninë Mikrosoft. Ajo thotë se gratë emigrante kanë prirjen të zgjedhin degët e vështira të shkencës për të qënë më konkurrente në tregun e punës.

“Ndoshta nuk është ideja që gratë nga Amerika nuk janë të interesuara mirëpo zakonisht emigrantët zgjedhin ato gjëra që janë më sfiduese... më sfiduese sepse si emigrante ti duhet të jesh një shkallë më përpara vendbanuesve amerikanë që të jesh konkurrues në tregun e punës”, thotë Teuta Hyseni për Zërin e Amerikës.

Ajo thotë se si imigrante sjell një prespektivë tjetër në vendin e punës.

"Meqënëse vij nga një vend i vogël (Kosova), besoj se kam prespektivë të ndryshme në përgjithësi në jetë gjithashtu edhe në qasjes në punë. Këto janë disa aspekte që më dallojnë nga të tjerët. Është gjithashtu me rëndësi të përmend edhe zelli i madh për punën dhe veçanërisht të qenurit financiarisht e pavarur gjë që është shumë me rëndësi për mua dhe që besoj duhet të jetë e rëndësishme edhe për shumë femra të tjera", thotë Teuta për Zërin e Amerikës.

Diversiteti dhe këndvështrimet e ndryshme po vlerësohen gjithnjë e më shumë në teknologji thotë Florentina ..."sepse teknologjia në ditën e sotme prek çdo sferë të jetës sonë dhe nëse diçka krijohet vetëm nga njëra gjini do t’i mungonin shumë këndvështrime të ndryshme. … mundësitë që po u ofrohen grave janë duke e ngritur dhe duke e plotësuar me diversitet këtë fushë".

“Mundet ta vëresh edhe në përdorim që kërkesat e gjinisë femërore apo edhe e shtresave të tjera të shoqërisë nuk janë të përfillura ngaqë shumica dërrmuese e atyre që e ndërtojnë një aplikacion kanë qenë meshkuj, dhe me dashje apo pa dashje nuk kanë patur kapacitet të kuptojnë kërkesat e këtyre personave dhe pjestarëve të tjerë të shoqërisë”, thotë Teuta.

Një arsye tjetër që i bën gratë më të kërkuara në teknologji është se ato kanë aftësinë t’u kushtojnë më shumë rëndësi detajeve.

“Kjo cilësi është shumë me rëndësi në fushën ku punoj, për shkak se një evidencë e vogël mund ta ndryshojë gjithë rastin hulumtues. //Është me rëndësi për ata persona që punojnë në këtë fushë të jenë mendje-kritikë apo detajist. Kështu që besoj që femrat në atë aspekt kanë një përparësi”, shpjegon Florentina.

Entuziaste për ndikimet që po sjellin ndryshimet në teknologji të dyja inxhinieret nga Kosova kanë ambicje për të ardhmen.

“Jam shumë entuziaste për ndikimet që zhvillimet në teknologji mund të kenë për njerëzimin. Ai është edhe pikësynimi imi që në të ardhmen të themeloj një kompani timen që ka të bëjë me teknologjinë që mundet ta përmirësojë jetën e njerëzve. Tani jam në atë pjesë të jetës ku mendoj që do të angazhohem gjithashtu edhe në aspektin e sipërmarrjes”, thotë Florentina.

Të pajisura me përvojën më të mirë në industrinë e teknologjisë Florentina dhe Teuta janë mentore për vajza të reja nga Kosova dhe Shqipëria për t’i ndihmuar ato të përmbushin ambicjet e tyre të shkollimit në Shtetet e Bashkuara dhe për përparimin e tyre më vonë në karrierë./VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë