Tiranë, 18 Qershor /ATSH-Z.Tosku/ -Profesionistët shqiptarë të kujdesit shëndetësor që ushtrojnë profesionin e tyre në Itali, duhet të punojnë më shumë për përfitimin e shprehive praktike në kujdesjet infermierore.
Ky ka qenë një ndër përfundimet e shkëmbimit të eksperiencave që drejtues të Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë realizuan me homologët e tyre italianë të IPASVI-t (Urdhri Italian i Infermierit) në kuadrin e një vizite që zhvilluan së fundmi me ftesë të tyre në shtetin fqinj. Shpesh nga testimet e tyre, mungojnë këto shprehi praktike dhe etike për të punuar dhe prandaj ata duhet që të punojnë shumë për të arritur standardin dhe nivelin profesional, kryesisht atë praktik. Sipas presidentit të UISH-së, Sabri Skënderi, vihet në dukje edhe dukuria se shqiptarët që kanë punuar disa vite në Itali në ushtrimin e kujdesjeve shëndetësore dhe kthehen në Shqipëri, sjellin këtu në radhë të parë kulturën e punës. Dhe në radhë të dytë, sipas tij, korrektësinë si dhe aftësi e shprehi praktike shumë të mira, për t'u parë dhe për t'u vlerësuar edhe tek infermierët shqiptarë. Ndërsa një diferencë e madhe mes dy vendeve tona ka të bëjë me pagat e ulta në Shqipëri. Ndërkohë, infermierët shqiptarë të praktuar në Itali kanë shprehur gjëndjen e kërkesës dhe llogarisë dhe punës me përgjegjshmëri që kryhej në Itali. Sipas Skënderit, ajo që ne do të na shërbejë si "busull" është edhe ngritja e një qendre të kërkimeve shkencore dhe studimore që ka Italia, në kuadrin e sistemit infermieror, një qendër e inkuadruar edhe në sisteme ndërkombëtare të rrjeteve infermierore për kërkime të tilla, me vende si SHBA-ja, Finlanda, Polonia, Holanda, etj. /a.ke/