Kryeministri irakian, Haider Al-Abadi, ka reaguar sot për herë të parë për dekretin për ndalimin e emigracionit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Al-Abadi, është shprehur se ky dekret godet vendet dhe njerëzit të cilët kanë bërë sakrifica  për luftën kundër terrorizmit.

Kryeministri irakian, vendi i të cilit është një nga aleatët e afërt të SHBA-së në luftën kundër terrorizmit, reagoi për herë të parë në lidhje me dekretin e presidentit Trump për ndalimin e hyrjes së emigrantëve në SHBA.

“Me këtë dekret është viktima ajo që fajësohet”, është shprehur kryeministri irakian.

Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni, janë vendet me një shumicë myslimane të cilat preken nga dekreti i presidentit Trump, i cili sipas tij është një dekret për të ndaluar terrorizmin islamik.

Gjatë ditës së djeshme deputetët e parlamentit irakian, i kanë kërkuar qeverisë që të respektonte parimin e reciprocitetit, nëse presidenti Trump refuzon të rishikojë dekretin e firmosur nga ai javën e kaluar.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com