IRAN- Tetë kandidatët presidencialë në Iran kanë mbyllur debatin e tyre të tretë dhe të fundit televiziv. Ata u fokusuan në politikat e brendshme, si dhe ato të huaja.
 
Në mesin e tetë kandidatëve, pesë janë konservatorë duke përfshirë edhe negociatorin për çështjen bërthamore të Iranit, si dhe kryebashkiaku i Teheranit.
 
Zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen më 14 qershor, do të tregojnë nëse iranianët do të votojnë këshilltarin kryesor të presidentit aktual, Esfandiar Mashaei .
 
Ndërsa, Mahmud Ahmadinexhadi është i detyruar të lërë pushtetin pasi nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë presidencial.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se “zgjedhjet e ardhshme janë një mundësi për të dëshmuar se njerëzit ende kanë besim tek shteti islam”.
 
Zgjedhjet e 14 qershorit do të jenë me rëndësi jetike pasi Irani është duke u përballur me presione, sanksione dhe kërcënime ushtarake nga bota perëndimore. Ndërkohë, çështja bërthamore është ende nën negociata.
 
“Presidenti i ardhshëm duhet të ketë aftësinë për të përmbushur këto sfida", tha Naghavi Hosseini, një zëdhënës i Sigurisë Kombëtare.
 
Presidenti është kreu i dytë në Iran pas Udhëheqësit Suprem, dhe është zyrtari më i lartë i zgjedhur drejtpërdrejt nga votuesit.
 
Edhe pse presidenca iraniane nuk ka fuqinë e vendimit përfundimtar, ajo luan një rol të rëndësishëm në formimin e politikës kombëtare.
 
Analistët besojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jetë një tregues i drejtimit të ardhshëm të Iranit. Ndërkohë, iranianët janë duke pritur më shumë nga zgjedhjet presidenciale.
 
"Ne kemi nevojë për një president të aftë në fushat e ekonomisë dhe politikës, kështu që ai mund të ndihmojë vendin tonë”, është shprehur një qytetar.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)