TIRANE, 18 Shtator/ATSH/-Një grup të rinjsh iranianë u dënuan me gjashtë muaj burg dhe 91 goditje me kamxhik sepse kanë realizuar një video kërcimi të këngës Pharrel "Happy".
Në videon e  këngës Pharrel "Happy" shfaqeshin tre meshkuj dhe tre femra të pambuluara duke kërcyer në rrugë dhe mbi çatitë e Teheranit. Të rinjtë u arrestuan në muajin maj të këtij viti me akuzën e ekspozimit të femrave pa shami dhe kërcimit me meshkuj.
Gjatë burgimit të tyre, ata u poshtëruan dhe u detyruan të kërkojnë falje publikisht në televizionin kombëtar për aktin e kryer, duke thënë se ishin mashtruar për ta realizuar atë video.
Regjisori i videos, Sassan Solemani, është dënuar gjithashtu me burgim por me afat më të gjatë se të rinjtë, një vit, dhe me të njëjtën sasi goditjesh me kamxhik.
Këto dënime u pezulluan dhe do të vihen ne fuqi vetëm nese të rinjtë do të arrestohen sërish brenda tre vitesh. Por, nëse në një periudhë të caktuar përsëritet diçka e tillë, do të ekzekutohet dënimi.
Këngëtari i këngës "Happy'', William Pharrel, në një status në rrjetin social Facebook, e konsideroi shumë të trishtë arrestimin e këtyre të rinjëve, të cilët ishin duke u përpjekur për të përhapur lumturinë./a.r/./a.g/