Lufta midis Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ka hyrë në ditën e shtatë të luftimeve, duke shkaktuar tensione në rritje në të gjithë Lindjen e Mesme. Gjatë një bisede telefonike mes kryeministres italiane Giorgia Meloni, presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministrit britanik Keir Starmer dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz, u bë thirrje për diplomaci dhe koordinim ushtarak mes vendeve të BE-së.
Ndërkohë Donald Trump ka përjashtuar çdo mundësi për një marrëveshje diplomatike me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit. “Nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Iranin përveç dorëzimit pa kushte", shkroi presidenti në Truth Social.
Nga ana tjetër, Washington Post thotë se Rusia po furnizon Iranin me informacione të Inteligjencës për ta ndihmuar të godasë forcat amerikane në Lindjen e Mesme, përfshirë pozicionet e anijeve luftarake dhe avionëve amerikanë. Sipas gazetës, informacionet mbi objektivat përbëjnë treguesin e parë se një tjetër kundërshtar i madh i Shteteve të Bashkuara po merr pjesë, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, në këtë luftë.
3 paqeruajtës ganezë të Kombeve të Bashkuara janë plagosur pasi baza e tyre u godit në Libanin jugor. Lajmi raportohet nga mediat shtetërore, pa specifikuar se kush qëndron pas sulmit.
Gjatë ditë së sotme, Izraeli ka ndërmarrë sulme të reja ndaj Teheranit dhe Bejrutit, ndërsa Irani thotë se ka lëshuar raketa drejt Tel Avivit. Forcat izraelite deklaruan se kanë shkatërruar bunkerin nëntokësor të liderit suprem iranian, Ajatollahut Ali Khamenei, i vrarë në Teheran, i cili sipas tyre vazhdonte të përdorej nga zyrtarë të lartë iranianë.
Teherani, përmes zëdhënësit të ministrit të Jashtëm, kërcënon Europën duke thënë se do ta paguajë çmimin e heshtjes së saj për shkeljen e ligjit ndërkombëtar. Ndërkohë, vazhdojnë sulmet ajrore izraelite në Liban kundër Hezbollahut. Nga Bejruti ka mbi 700 mijë të evakuuar deri më tani.
Pasdaranët kanë lëshuar rreth 200 raketa mbi Izrael që prej së shtunës, ndërsa 300 të tjera janë qëlluar ndaj vendeve të tjera të Lindjes së Mesme. Shumica e raketave janë ndërprerë, pjesërisht edhe nga ushtria amerikane. 150 raketa janë qëlluar nga Libani mbi Izrael.
Paralelisht, kanë nisur sulme ndaj Azerbajxhanit, ndërsa ky i fundit ka tërhequr diplomatët nga Irani.
Teherani ka kërcënuar edhe kurdët në Irak se do të gjenden para sulmeve nëse lejojnë kalimin e militantëve në Iran.
Televizioni shtetëror ka raportuar se një Këshill i udhëheqësve të vendit është mbledhur për të diskutuar mbi mbajtjen e një takimit të Asamblesë së Ekspertëve, e cila do të zgjedhë udhëheqësin e ri suprem të kombit. Presidenti iranian Masoud Pezeshkian thotë se “disa vende kanë nisur përpjekje ndërmjetësimi”, por nuk i ka specifikuar.
Ndërkohë, turma iranianësh u mblodhën në qendër të kryeqytetit dhe në vende të tjera për faljen e parë të së premtes duke kundërshtuar sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Forca paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) njoftoi se tre ushtarë të saj u plagosën gjatë "shpërthimeve intensive" në Liban.
Sipas mediave të huaja, UNIFIL njoftoi se ushtarët u plagosën ndërsa ishin brenda bazës së tyre në Libanin jugperëndimor.
Më parë, ushtria ganeze njoftoi se dy ushtarë të saj u plagosën rëndë në një sulm me raketa në selinë e tyre.

Irani nuk e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe nuk do ta bëjë këtë, por Teherani nuk do të jetë përgjegjës për sigurinë e anijeve. Kështu deklaroi zëdhënësi i forcave të armatosura iraniane, Abolfazl Shekarchi, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars News Agency.
“Ne nuk e kemi mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe nuk do ta bëjmë këtë as në të ardhmen. Nuk do të ndalojmë asnjë anije që përpiqet ta kalojë atë, por deklarojmë hapur se Irani nuk mban asnjë përgjegjësi për sigurinë e anijeve, të ekuipazheve të tyre apo të pajisjeve të tyre”, tha Shekarchi.
“Do të marrim në shënjestër çdo anije që i përket entitetit sionist dhe Amerikës, nëse përpiqet të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit.”

Ushtria iraniane ka lëshuar një raketë tokë-det në drejtim të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln.
Kështu deklaruar ushtria iraniane përmes një njoftimi, raporton agjencia iraniane e lajmeve Fars, duke cituar RIA Novosti.
"Sistemi raketor i Ushtrisë dhe Marinës Iraniane lëshoi një raketë tokë-det në drejtim të aeroplanmbajtëses amerikane Abraham Lincoln", thuhet në njoftim.
Ende nuk dihet nëse raketa e lëshuar ndaj aeroplanmbajtëses ka arritur ta godasë atë, apo është neutralizuar në ajër.

Teksa ka kaluar rreth një javë nga lufta mes SHBA-së e Izraelit dhe Iranit, dëmet e shkaktuara në shtetet e Lindjes së Mesme janë të mëdha.
Shqiptarja.com pasqyron vizualisht përmes një harte të Lindjes së Mesme, zonat ku kanë ndodhur bombardimet e Izraelit dhe SHBA-së në Iran, por edhe sulmet me dronë dhe raketa të Iranit, në drejtim të shteteve të tjera të rajonit.
Kujtojmë se gjithçka nisi pas një sulmi të mirëorganizuar të SHBA-së dhe Izraelit në territorin iranian, ku u vranë 49 liderë ushtarakë të Teheranit, mes të cilëve edhe lideri siprem i vendit, Ajatollah Ali Khamenei.

Fregata raketore Federico Martinengo, një anije e Marinës Ushtarake Italiane e klasës Fremm, është nisur pasditen e sotme nga baza detare e Tarantos me destinacion Qipron, në kuadër të përshkallëzimit ushtarak në Lindjen e Mesme. Lajmi bëhet i ditur nga “Agenzia Nova”, duke cituar burime të informuara.
Sipas këtyre burimeve, Martinengo pritet të jetë anija e parë europiane që do të mbërrijë në zonën e krizës në Mesdheun Lindor.
Dërgimi i kësaj anijeje vjen në një moment kur disa vende europiane po shtojnë praninë e tyre ushtarake në rajon, pas sulmit me dron që goditi ditët e fundit ishullin e Qipros dhe në sfondin e përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Misioni synon të forcojë mbikëqyrjen detare dhe mbrojtjen e rrugëve strategjike në Mesdheun Lindor. Sipas “Nova”, dislokimi i Martinengo është hapi i parë i kontributit italian në një forcë detare europiane që po organizohet në këtë zonë.
Më herët, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, kishte deklaruar në Parlament se Italia është e gatshme të dërgojë mjete detare në rajon së bashku me partnerë të tjerë europianë.

“Është e qartë se kjo nuk po bën asnjë ndryshim në operacionet ushtarake në Iran, sepse ne po i shkatërrojmë plotësisht.” Kështu deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke iu referuar mbështetjes së pretenduar të Rusisë ndaj Teheranit me informacione inteligjence për asetet ushtarake amerikane.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke folur me gazetarët shpjegoi kuptimin e postimeve të Presidentit Donald Trump, në të cilat ai deklaroi se nuk do të kishte "asnjë marrëveshje, vetëm dorëzim pa kushte" për Iranin.
"Ajo që Presidenti nënkupton është se kur ai, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Amerikane, përcakton se Irani nuk përbën më kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe objektivat e Operacionit ‘Epic Fury’ janë arritur, atëherë Irani do të jetë në një situatë dorëzimi pa kushte, pavarësisht nëse e thonë apo jo", shpjegoi Leavitt.
"Sinqerisht, ata nuk kanë shumë njerëz që mund të flasin në emër të tyre", shtoi ajo, duke iu referuar iranianëve.
Kjo sipas saj "sepse Shtetet e Bashkuara dhe Shteti i Izraelit kanë zhdukur plotësisht gati pesëdhjetë udhëheqës të tjerë të ish-regjimit terrorist, përfshirë Udhëheqësin Suprem".

Ditët e fundit, ushtria amerikane ka anuluar papritur një stërvitje të rëndësishme të një njësie elitare parashutistësh, duke nxitur spekulime se këta ushtarë – të specializuar në luftime tokësore dhe në një sërë misionesh të tjera – mund të dërgohen në Lindjen e Mesme.
Këtë e raportojnë dy burime të informuara për median *Washington Post*.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Në fokus të bisedimeve ishte thirrja për diplomaci dhe koordinimin ushtarak" në përgjigje të përshkallëzimit të luftës në Lindjen e Mesme të shkaktuar nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

Franca ka dërguar një aeroplanmbajtëse në Mesdhe si përgjigje ndaj luftës në Iran, njoftoi ushtria franceze këtë të premte.
“Një aeroplanmbajtëse është vendosur në Mesdhe për të forcuar praninë e forcave të armatosura franceze në kontekstin e krizës në Lindjen e Mesme,” tha një zëdhënëse, pas vendimit të Francës për të dislokuar më parë gjatë javës anijën e saj kryesore dhe një fregatë.
Një anije e ngjashme ishte dërguar pranë bregut të Libanit si masë paraprake për të ndihmuar në rikthimin e qytetarëve në vendet e tyre, në rast të nevojës, gjatë luftës së vitit 2024 midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollahi. Konflikti aktual tashmë ka përfshirë Libanin.

Tetë ushtarë të Forcave Ushtarake të Izraelit u plagosën nga një raketë e hedhur nga militantët e Hezbollahut në një post ushtarak ishte pranë kufirit libanez.
Ushtria raportoi se midis tre të plagosurve lehtë ishte edhe djali i Ministrit të Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, aporton Ynet.
Ushtarët u evakuuan në Qendrën Mjekësore Galilee në Nahariya, ndërkohë që pesë prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë.

Të paktën 217 persona janë vrarë dhe 798 të tjerë janë plagosur në Liban që nga fillimi i një lufte të re midis Izraelit dhe Hezbollahut të hënën, njofton Ministria e Shëndetësisë e Libanit.
Numri i mëparshëm nga ministria, i publikuar të enjten në mbrëmje, ishte 123 të vdekur dhe 683 të plagosur.
Sulmet ajrore izraelite goditën Libanin jugor dhe lindor, si dhe periferitë jugore të Bejrutit të premten.

Në postimin e tij të fundit në “Truth Social”, Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka pohuar se Departamenti i Shtetit “po zhvendos mijëra njerëz nga vende të ndryshme në të gjithë Lindjen e Mesme”.
“Po bëhet në heshtje, por pa probleme”, tha presidenti, duke lavdëruar Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për “një punë të shkëlqyer!”
Departamenti i Shtetit tha dje se 20,000 amerikanë ishin kthyer në shtëpi dhe se po rritej numri i fluturimeve me çarter, pa dhënë më shumë detaje.
Administrata Trump është kritikuar për evakuimet pasi u bëri thirrje amerikanëve të largohen të martën nga më shumë se një duzinë vendesh në Lindjen e Mesme.

Presidenti Donald Trump thotë se Kuba mund të përballet shumë shpejt me ndryshime të mëdha politike. Në një intervistë telefonike për CNN, ai deklaroi se regjimi në Havana “do të bjerë shumë shpejt”.
“Meqë ra fjala, Kuba do të bjerë shumë shpejt. Nuk ka lidhje direkte me situatën tjetër, por edhe Kuba do të bjerë,” tha presidenti Donald Trump gjatë intervistës.
Ai shtoi se sipas tij autoritetet kubane duan të arrijnë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Donald Trump tha se në këtë proces do të përfshihet edhe Marco Rubio, duke shtuar se Uashingtoni është duke u fokusuar seriozisht te kjo çështje.
“Duhet të shohim si do të përfundojë. Kemi shumë kohë, por Kuba është gati pas 50 vitesh,” u shpreh ai.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit njoftoi se kishte shënjestruar sisteme radarësh në Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordani dhe Katar.
"Radarët amerikanë THAAD të vendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordani, si dhe radari amerikan FPS-132 mbi horizont ('Syri i Shkretëtirës') i vendosur në Katar, u shkatërruan nga njësitë e raketave dhe dronëve të IRGC-së", deklaroi Garda Revolucionare për Sepah News.
Kujtojmë se bombardimet nga ana e Izraelit dhe SHBA-së kanë vazhduar gjatë ditës së sotme, ku u sulmua kombleksi i bunkerëve që përdorej nga zyrtarët iranianë, përfshi Ali Khamenein.

Një luftë pa fund në Iran mund të hapë një krizë të re migratore drejt Europës. Ky është paralajmërimi i kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili thotë se përshkallëzimi i konfliktit nuk është në interes të Gjermanisë dhe të kontinentit.
Merz tha se një kolaps i shtetit iranian do të sillte pasoja të rënda, sidomos nëse ekonomia e vendit bie dhe njerëzit nisin të largohen masivisht drejt Europës.
“Një luftë pa fund nuk është në interesin tonë. Ekonomia iraniane nuk duhet të shembet dhe duhet të pengojmë lëvizje të pakontrolluara migratore nga Irani,” tha kancelari gjerman.
Ai paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e një shpërbërjeje të shtetit iranian, që sipas tij do ta kthente vendin në një terren konfliktesh të tjera në rajon.
Merz tha se integriteti territorial i Iranit duhet të ruhet dhe se shteti duhet të vazhdojë të funksionojë normalisht, duke garantuar rendin publik dhe shërbimet bazë për qytetarët.
Sipas tij, në të ardhmen mund të diskutohen edhe heqje sanksionesh apo ndihmë ekonomike për Iranin, por vetëm nëse Teherani respekton këto kushte.

Donald Trump ka përjashtuar çdo mundësi për një marrëveshje diplomatike me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit.
Duke postuar në rrjetin social Truth Social, presidenti amerikan tha: “Nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Iranin përveç dorëzimit pa kushte.”
Sipas Trump, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të “punojnë pa u lodhur për ta rikthyer Iranin nga pragu i shkatërrimit” pasi të jetë zgjedhur një udhëheqës i ri i pranueshëm për vendin
“Nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Iranin përveçse dorëzimit pa kushte! Pas kësaj, dhe pas përzgjedhjes së një udhëheqësi (ose udhëheqësve) të shkëlqyer dhe të pranueshëm, ne – së bashku me shumë nga aleatët dhe partnerët tanë të mrekullueshëm dhe shumë të guximshëm – do të punojmë pa u lodhur për ta rikthyer Iranin nga shkatërrimi, duke e bërë atë ekonomikisht më të madh, më të mirë dhe më të fortë se kurrë më parë. Irani do të ketë një të ardhme të madhe. Ta bëjmë Iranin përsëri të madh (MIGA!). Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkruan presidenti i SHBA-ve.


Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thonë se 50 avionë luftarakë kanë bombarduar bunkerin nëntokësor të Ali Khamenei, “i cili ende përdorej nga zyrtarë iranianë”, raporton The Guardian.
Forcat izraelite deklaruan se kanë shkatërruar bunkerin nëntokësor të liderit suprem iranian, Ajatollahut Ali Khamenei, i vrarë në Teheran, i cili sipas tyre vazhdonte të përdorej nga zyrtarë të lartë iranianë.
Sipas IDF-së, rreth 50 avionë luftarakë të forcave ajrore izraelite hodhën afërsisht 100 bomba mbi objektivin, i cili sipas tyre ndodhej nën “kompleksin drejtues” iranian në Teheran, duke u shtrirë nën disa rrugë dhe duke përfshirë “shumë pika hyrjeje dhe salla për mbledhjet e anëtarëve të lartë të regjimit terrorist iranian”.
“Pas vrasjes së Khameneit, kompleksi vazhdoi të përdorej nga zyrtarë të lartë të regjimit iranian”, shpjegoi IDF në një deklaratë.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian thotë se “disa vende kanë nisur përpjekje ndërmjetësimi”, por nuk i ka specifikuar.
Në një postim në rrjetet sociale, ai tha:
“Disa vende kanë filluar përpjekje ndërmjetësimi. Të jemi të qartë: ne jemi të përkushtuar për një paqe të qëndrueshme në rajon, por nuk kemi asnjë hezitim për të mbrojtur dinjitetin dhe sovranitetin e kombit tonë. Ndërmjetësimi duhet t’u drejtohet atyre që nënvlerësuan popullin iranian dhe ndezën këtë konflikt.”
Fqinjët arabë të Iranit po peshojnë reagimin e tyre ndaj sulmeve me raketa iraniane që kanë në shënjestër bazat amerikane, si dhe infrastrukturën civile dhe energjetike në vendet e tyre.
Rusia mund të jetë futur tashmë në luftën mes Iranit dhe SHBA-së, të paktën në mënyrë indirekte. Sipas Washington Post, Moska po i jep Teheranit informacione inteligjence për t’i ndihmuar forcat iraniane të godasin objektiva amerikane në rajon.
Nëse kjo konfirmohet, bëhet fjalë për një hap që do ta zgjerojë edhe më shumë konfliktin, duke përfshirë një nga rivalët më të mëdhenj bërthamorë të Shteteve të Bashkuara.
Një burim i cituar nga gazeta amerikane tha se ndihma ruse duket të jetë “mjaft e gjerë”, por ende nuk është e qartë sa e madhe është në të vërtetë mbështetja që Moska po i jep Iranit.
Dy zyrtarë që kanë dijeni për këtë bashkëpunim thanë gjithashtu se nuk ka shenja që Kina po ndihmon Iranin ushtarakisht, edhe pse të dy vendet kanë lidhje të forta politike dhe ekonomike.
Analistët thonë se shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës përputhet me mënyrën si Irani ka goditur objektivat amerikane në ditët e fundit.
“Rusët janë plotësisht të vetëdijshëm për ndihmën që ne po i japim Ukrainës. Ka shumë gjasa që ata ta shohin këtë si një mënyrë për t’u hakmarrë,” tha një zyrtar amerikan për Washington Post.
Ekspertja e ushtrisë ruse, Dara Massicot tha se Irani po kryen zbulime shumë të sakta me radarë paralajmërues dhe radarë me rreze të gjatë.
“Po veprojnë në mënyrë shumë të targetuar dhe po godasin strukturat e komandës dhe kontrollit,” tha ajo.
Ndërsa Nicole Grajewski nga Belfer Center në Harvard tha se sulmet iraniane kanë treguar një nivel të lartë sofistikimi, si në zgjedhjen e objektivave, ashtu edhe në aftësinë për të depërtuar në disa raste mbrojtjen ajrore të SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Turma iranianësh u mblodhën në qendër të Teheranit dhe në vende të tjera për faljen e parë të së premtes duke kundërshtuar sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Pamjet online të ndara nga mediat iraniane treguan turma burrash dhe grave të veshur me të zeza, disa duke mbajtur flamuj iranianë, që lëviznin drejt një hapësire të hapur jashtë Xhamisë së Madhe të Imam Khomeinit në kryeqytet.
Falja e së premtes ishte e para që nga vrasja e udhëheqësit suprem të Iranit, ajatollahut Ali Khamenei, në valën e sulmeve amerikano-izraelite që shkaktuan luftën në Lindjen e Mesme.
Disa raketa goditën rafinerinë Bapco Energies në Sitra, Bahrein. Imazhet e shpërndara në mediat sociale tregojnë shpërthime dhe flakë që dalin nga zona e uzinës. Pas shpërthimeve, dallohen re të mëdha tymi që ngrihen mbi rafineri. Disa njerëz shihen në çatitë e ndërtesave aty pranë duke parë zjarrin që shpërthen në zonën industriale.

Televizioni shtetëror iranian ka raportuar se një Këshill i udhëheqësve të vendit është mbledhur për të diskutuar mbi mbajtjen e një takimit të Asamblesë së Ekspertëve, e cila do të zgjedhë udhëheqësin e ri suprem të kombit.
Këshilli i udhëheqësve përfshin presidentin Masoud Pezeshkian, kreun e gjyqësorit Gholam Hossein Mohseni Ejehi dhe fetarin Ayatollah Ali Reza Arafi. Në deklaratë nuk ka asnjë afat kohor për zgjedhjen e udhëheqësit suprem, as informacion nëse Asambleja e Ekspertëve do të mblidhet fizikisht apo online për votimin.
Ndërtesat e lidhura me Asamblenë e Ekspertëve, një organ klerikal me 88 anëtarë, u sulmuan gjatë fushatës së bombardimeve ajrore izraelito-amerikane.
Është raportuar për një sulm të ri ndaj Azerbaijan, në provincën perëndimore të Miandoab. Azerbajxhani po tërheq diplomatët e tij nga Iran për arsye sigurie, deklaroi ministri i Jashtëm Jeyhun Bayramov. Kjo vjen një ditë pasi Baku kishte njoftuar se katër dronë iranianë kishin kaluar kufirin dhe kishin plagosur katër persona në eksklavën e Nakhchivan.
//La Repubblica

Teherani kërcënon të sulmojë “të gjitha strukturat” të rajonit të Kurdistanit në Irak nëse do të lejohej kalimi i militantëve për t’u futur në Iran. “Derisa deri tani janë shënjestruar vetëm bazat e SHBA-së dhe Izraelit dhe grupet separatiste në rajon”, raporton agjencia iraniane Mehr, duke cituar një dokument të Këshillit të Mbrojtjes së Iranit. Nëse do të lejohet “prania e vazhdueshme, komplotet dhe hyrja” e militantëve në Iran, “do të sulmohen të gjitha strukturat e rajonit të Kurdistanit në Irak”.

Ministri i energjisë i Katarit, Saad al-Kaabi, ka paralajmëruar se lufta në Lindjen e Mesme mund të detyrojë vendet e Gjirit Persik të ndërpresin dërgesat e energjisë brenda disa javësh dhe të rrisin ndjeshëm çmimet e naftës. “Kjo do të rrëzojë ekonomitë globale”, deklaroi Saad al-Kaabi për Financial Times, duke parashikuar se nëse lufta vazhdon, rritja globale do të vuajë dhe çmimet e energjisë do të shkojnë në qiell.
Izraeli ka publikuar të dhëna mbi sulmet e Iranit, që prej të shtunës së kaluar, kur filloi Operacioni "Gjëmimi i Luanit". Afërsisht 200 raketa kanë patur si objektiv territorin izraelit, ndërsa 300 të tjera janë lëshuar drejt vendeve të tjera të Lindjes së Mesme. Shumica e raketave u kapën, disa prej të cilave u kapën nga ushtria amerikane. Përveç kësaj, 150 raketa u qëlluan nga Libani drejt Izraelit. Të shtunën, më 28 shkurt, u regjistruan afërsisht 80 lëshime nga Irani drejt Izraelit, rreth 60 të dielën, rreth 20 lëshime në ditë nga e hëna në të martë dhe më pak se 20 lëshime në ditë të mërkurën dhe të enjten.
Pas klipit që përmban fragmente nga videoloja 'Call of Duty', Shtëpia e Bardhë ka publikuar një video të re në X, duke alternuar imazhe të sulmeve në Iran me klipe nga filma të famshëm, shpesh me temë lufte. Video e shkurtër 40-sekondëshe, e titulluar 'Justice the American Way', fillon me disa klipe mjaft të parashikueshme nga filma të tillë si 'War Games', 'Gladiator', 'Braveheart' dhe 'Top Gun'. Në një moment, shfaqet Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, i paraprirë nga Walter White nga 'Breaking Bad', i cili reciton vargun e famshëm 'Unë jam rreziku', dhe i ndjekur nga një personazh kërcënues i Transformers. Pastaj është radha e Deadpool. Mbyllja është më e çuditshme. Videoja përfundon me Yugi Muto nga loja popullore Yu-Gi-Oh!, duke thirrur, gjatë një dueli, 'Merre këtë!'
JUSTICE THE AMERICAN WAY. ??? pic.twitter.com/0502N6a3rL
— The White House (@WhiteHouse) March 6, 2026

Departamenti i Thesarit të SHBA-ve ka lehtësuar përkohësisht sanksionet për të lejuar Indinë të blejë naftën ruse që aktualisht është bllokuar në det.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha se përjashtimi 30-ditor do të lejojë që nafta të vazhdojë të qarkullojë në tregun global dhe “do të lehtësojë presionin e shkaktuar nga përpjekja e Iranit për të mbajtur energjinë globale peng”.
Ky hap është një “masë e qëllimshme afatshkurtër” që “nuk do të ofrojë përfitim të konsiderueshëm financiar për qeverinë ruse”, pasi përfshin vetëm naftën që tashmë është bllokuar në det, shkroi Bessent në X.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, vendosi sanksione ndaj naftës ruse pas pushtimit të Moskës në Ukrainë, duke detyruar blerësit të kërkonin alternativa.
Uashingtoni ka ushtruar presion të veçantë mbi Indinë, një blerës i madh i energjisë rus,e për të ndaluar blerjen e naftës së saj, në përpjekje për të reduktuar paratë që shkojnë për financimin e pushtimit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka inkurajuar diplomatët iranianë në mbarë botën që të kërkojnë azil, pasi deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë “shumë përpara në kohë” në luftën e zhvilluar me Izraelin kundër Iranit.
“U bëjmë thirrje edhe diplomatëve iranianë në mbarë botën të kërkojnë azil dhe të na ndihmojnë të formësojmë një Iran të ri dhe më të mirë, me potencial të madh,” tha ai.

Në Komandën Qendrore të SHBA-ve mbrëmjen e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth, admirali Brad Cooper dhe presidenti Donald Trump mbajtën një konferencë informuese për operacionet ushtarake të SHBA-ve kundër Iranit.
Hegseth tha se “sulmet mbi Iranin dhe Teheranin do të rriten në mënyrë dramatike shumë shpejt.” Ai u shpreh se SHBA mund ta vazhdojë luftën kundër Iranit për aq kohë sa dëshiron.
“Ne mund ta vazhdojmë luftën në Iran për sa kohë të duam. Municionet tona sulmuese dhe mbrojtëse na e mundësojnë këtë,” tha ai.
Ai shtoi se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për t’i lejuar SHBA-ve përdorimin e bazës ushtarake Diego Garcia do ta ndihmojë Uashingtonin të intensifikojë sulmet.
“Ishte për të ardhur keq që britanikët nuk thanë që në ditën e parë: ‘Po, vazhdoni dhe përdoreni bazën’,” tha Hegseth. “Por në fund arritëm aty.”
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë katër avionë luftarakë shtesë Typhoon për t’iu bashkuar skuadrës britanike në Doha, në Katar. Ai shtoi se Britania i ka lejuar SHBA-ve të përdorë bazat britanike “për të kryer operacione mbrojtëse.”

Donald Trump tha për NBC News se dërgimi i trupave amerikane në Iran tani për tani do të ishte një “humbje kohe” dhe se nuk është diçka që ai po e konsideron aktualisht.
“Është humbje kohe. Ata kanë humbur gjithçka. Kanë humbur flotën e tyre detare. Kanë humbur gjithçka që mund të humbnin,” tha Trump.
Ai shtoi gjithashtu se komenti i mëparshëm i ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi se Irani është i gatshëm për një pushtim tokësor nga SHBA ose Izraeli, ishte “i kotë”.
Trump tha gjithashtu se dëshiron të “pastrojë” strukturën aktuale të udhëheqjes në Iran.
“Ne duam që ata të kenë një udhëheqës të mirë. Kemi disa njerëz për të cilët mendoj se do të bënin një punë të mirë,” tha ai, pa përmendur emra.

Mediat amerikane raportojnë se lufta po kushton mbi 890 milionë dollarë në ditë.
Sipas një analize nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, të botuar të enjten dhe të raportuar nga CNN, 100 orët e para të fushatës ushtarake amerikane kundër Iranit vlerësohet të kenë kushtuar 3.7 miliardë dollarë, ose më shumë se 890 milionë dollarë në ditë.
Më pak se 200 milionë dollarë nga ky vlerësim total janë kosto operative të përfshira tashmë në buxhetin e Pentagonit. Nga ana tjetër, 3.54 miliardë dollarët e mbetur të kostos së vlerësuar "ka të ngjarë të kërkojnë fonde shtesë nga Departamenti i Mbrojtjes përmes një shpërndarjeje shtesë ose një fature tjetër", thanë analistët.
Përtej kostove operative dhe mbështetëse, shpjegon raporti, shpenzimet kryesore pritet të jenë zëvendësimi i municioneve, veçanërisht i rëndësishëm duke pasur parasysh shqetësimet në lidhje me rezervat e municioneve interceptuese të SHBA-së dhe aleatëve të saj, dhe humbjen e pajisjeve të tilla si tre F-15 të rrëzuara në një incident zjarri miqësor në Kuvajt. Në të ardhmen, shkruajnë autorët e studimit, kostot mund të ndryshojnë bazuar në një "zhvendosje të forcave amerikane drejt municioneve më pak të shtrenjta", si dhe "intensitetin e operacioneve dhe efektivitetin e hakmarrjes iraniane".

UNICEF deklaron se gati 200 fëmijë janë vrarë nga lufta në Lindjen e Mesme, kur filloi përshkallëzimi ushtarak i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit.
Të paktën 181 fëmijë janë vrarë në Iran, 7 në Liban, 3 në Izrael dhe 1 në Kuvajt.
“Nuk janë fëmijët ata që i nisin luftërat, por ata paguajnë një çmim të papranueshëm të lartë. Përshkallëzimi ushtarak në Lindjen e Mesme tashmë ka pasur një ndikim shkatërrues mbi fëmijët”, deklaroi UNICEF.
Komente











Do te ta fusin o mavri trump
Përgjigju