Washington Post, duke cituar 3 burime të njohura me çështjen, raportoi se disa dronë kanë fluturuar pranë Fort Lesley J. McNair në Uashington DC gjatë dhjetë ditëve të fundit, ku jetojnë Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Luftës Pete Hegseth. Raportimet vijnë pasi SHBA-të dhe Izraeli vranë shumë zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei.
Teherani ka premtuar një përgjigje “vendimtare” ndaj asaj që e përshkroi si sulme të paligjshme. Pas vrasjes së Khameneit, Forca elitare Quds brenda Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), e cila specializohet në operacione speciale, paralajmëroi se zyrtarët amerikanë dhe izraelitë “nuk do të jenë më të sigurt askund në botë, madje as në shtëpitë e tyre”.
Një zyrtar i lartë i administratës i tha Washington Post se ushtria po rrit mbikëqyrjen për shkak të rreziqeve të shtuara të sigurisë, duke shtuar se pamjet u pasuan nga një takim në Shtëpinë e Bardhë dhe i shtynë zyrtarët të merrnin në konsideratë zhvendosjen e Rubios dhe Hegseth. Megjithatë, burime të Washington Post pohojnë se të dy mbeten ende në bazë.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, nuk pranoi të komentojë, duke thënë se çdo raportim mbi lëvizjet e sekretarit të luftës “është jashtëzakonisht i papërgjegjshëm”.
Fort McNair ndodhet pranë Capitol Hill dhe Shtëpisë së Bardhë, dhe strehon Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare dhe zyrtarë të lartë të Pentagonit. Megjithatë, sipas WaPo, ndryshe nga shumë ndërtesa në rajonet e kryeqytetit, atij i mungon e njëjta mbrojtje si bazat e tjera të zonës.
Raporti vjen ndërsa komuniteti i inteligjencës amerikane lëshoi paralajmërime privatisht për kompanitë amerikane dhe agjencitë qeveritare për një hakmarrje të mundshme iraniane, duke kërkuar vigjilencë. Përveç kësaj, Departamenti i Shtetit më herët këtë javë u kërkoi të gjitha misioneve amerikane jashtë vendit që të vlerësojnë “menjëherë” rreziqet e tyre të sigurisë.
Komente







