11 qytetarë shqiptarë kanë kontaktuar ambasadën shqiptare në Izrael, teksa SHBA dhe Izraeli kanë nisur sulmet ndaj Iranit. Teherani i është kundërpërgjigjur Izraelit me raketa si dhe ka sulmuar bazat ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Në një lidhje live për Report Tv, ambasadorja Meri Kumbe tha se 11 qytetarët shqiptarë nuk jetojnë në Izrael, por ndodhen atje për qëllime studimore ose turistike. Kumbe u bëri thirrje të gjithë komunitet shqiptar atje që të shmangin lëvizjet e panevojshme, pasi alarmi për sulme bie në mënyrë të vazhdueshme.
“Kanë kontaktuar ambasadën 11 qytetarë shqiptarë, që s’kanë lidhje me kom hebraik shqiptar. Por ndodhen në vend për arsye të ndryshme, studentë, turistë, ndodhen atje për një periudhë kohe të caktuar. Janë ata që kontaktojnë ambasadën”, tha Kumbe për Report Tv.
Ambasadorja u detyrua të ndërpresë intervistën live në Report Tv për shkak se ndërsa fliste ra alarmi për sulme, duke u detyruar që të largohet për tu vendosur në strehimore.
“Jemi udhëzuar të shmangim lëvizjet, unë dhe diplomati jemi në banesa shumë pranë godinës. Në rast nevoje do të dalim, ambasada është e pajisur me dhomë sigurie. Udhëzimet janë që qytetarët të shmangi lëvizjet e panevojshme, udhëzimet janë që zyrat të rrinë të mbyllura.
Kanë qenë sulme të shpeshta, me kohëzgjatje më të shkurtër. Sistemi i mbrojtjes ajrore ka arritur t’i identifikojë sulmet në ajër”, theksoi ajo.
Ambasada Shqiptare në Tel Aviv në një reagim të mëparshëm tha se është në dispozicion të plotë të qytetarëve tanë të ndodhur në Izrael dhe është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet vendase.
Jeta Gani, një shqiptare në Izrael thotë për Report Tv se po përballen gjatë gjithë kohës me sulme iraniane, si kundërpërgjigje pasi SHBA e Izraeli sulmuan Iranin. Gani thotë se ndodhen gjithë kohën në dhomat e sigurimit. Ajo thekson se deri më tani Izraeli ka pasur sukses në pritjen e raketave.
“Sulmet janë pa pushim, gjithë kohën jemi në dhomat e sigurimit. Raketat balistike janë plasur në ajër, nuk ka pasur rënie. Se çfarë do të ndodhë me vonë, por është një sulm i ngjashëm me luftën e kaluar 12 ditore, deri tani ka sukses të plotë të Izraelit në plasjen e raketave.
Gjithë ditën, gjithë kohën jemi të sulmuar. Edhe në këtë moment që po flasim, ka sulme, është një farë tronditje, është diçka e jashtëzakonshme, njoftimi i shkon të gjithë popullit. Por diçka që është për sigurinë e qytetarëve, janë marrë të gjitha masat. Të gjithë njerëzit janë pranë dhomave të sigurimit. Gjithë kohën jemi të sulmuar”, tha Gani për Report Tv.
Komente



