Kur  jeta  kthehet në një audicion që duhet vënë në skenë, kur ajo duhet të duket patjetër e rafinuar, gjithmonë nën ndriçimin e duhur,  nuk mjafton më të ndiesh lumturi , gëzim, hidhërim , qetësi, nevojë, mërzi , prani,  duhet ti paraqesësh të gjithë këto ndjesi  me prova.

Nuk më kujtohet saktësisht  se kur privatësia u bë diçka që duhej përkthyer, por dyshoj se përkoi me momentin kur  filluam ta ngatërronim përjetimin e momenteve  me dokumentimin e tyre . Në fakt,  jo vetëm ti ngatërronim, por ti përzienim. Çdo përjetim tani kërkon  audiencë, ose të paktën, një filmim kamerash. Nuk mjafton më të jesh i lumtur; duhet të dukemi të tillë madje në dritë të kuruar. Nuk mjafton të jesh në dhimbje , duhet të qash në publik . Nuk mjafton të vuash për një ndarje , duhet shpjeguar sa i/e dërmuar je. Nuk mjafton më të ndihesh e plotë në krah të të dashurit duhen foto në krah të njëri tjetrit . Për më keq  sa më i  dukshëm të jetë gëzimi , lumturia, dhimbja, hidhërimi, inati, mërzia, apo çdo përjetim tjetër,  aq më shumë bëhemi përgjegjës për vazhdimësinë e tij. Buzëqeshja e postuar të mërkurën pasdite duhet të kthehet të premten. Sytë e përlotur një muaj më parë duhet të jenë të tillë, mbase edhe më të ujshëm  një muaj më pas . 

Tragjedia e epokës sonë është se kemi filluar të dyshojmë se përjetimet nëse nuk  ndahen janë të vogla. Ndërkohë që përjetimet  e vërteta, janë të thella deri në kockë, janë të çrregullta, shumë të pastrukturuara,  rrallë fotografohen mirë. Nuk futet në korniza dhe as nuk përkthehen në mbishkrime. Përjetimet në formën e tyre më të fuqishme, nuk janë  estetikë janë gjendje. Nuk kërkojnë duartrokitje. Madje as vazhdimësi. Thjesht mbërrijnë, pastaj veniten .

Por ç'është  më e keqja, siç tregon kjo foto, nevoja për dukshmëri kronike shoqërohet me  mbikëqyrje e cila  nuk vjen si kërcënim, por si ftesë: Ndani momentet përjetimet cilat do qofshin ato me ne . Na lejoni të hyjmë. Jini të prekshëm. Jini të njohur.

Kaq mjafton që jeta të kthehet  veç në  një performancë për turmën!