Lidership i dobët, udhëheqje i kompleksuar dhe politikë amatore. Kështu e përfundon kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, postimin e tij në rrjetin social facebook, ku shkruan për ngjarjen e djeshme në Shqipëri, pra vizitën e Irinej në Tiranë. 

Ahmeti thotë se megjithëse dje nuk komentoi, sot nuk duroi pa e bërë një gjë të tillë.

“Kjo vizitë nuk ka të bëjë as me liri të besimit, as me dialog ndërfetar e as me ndonjë liberalizëm tjetër. Unë e di që shumica e popullit shqiptar kudo që janë nuk pajtohen me këtë vizitë. Kjo nuk është as ndonjë lidership i guximshëm. Kjo është nënshtrim dhe mosrespektim i vetvetes. Kur nuk e respektojmë vetveten nuk do të na respekton askush. A thua çfarë do të thonin rilindasit sot? Çfarë do të thoshte Noli? Vite të tëra sakrificë humbën me një vendim koti. Kemi nevojë që populli shqiptar, po e them populli, përfundimisht të tregoj një vetëbesim e vetërespekt”, shkruan Ahmeti.

Madje Ahmeti thotë se nuk është për idealizim të kombit si më i miri, por thotë se asnjëherë nuk do të pranojë të poshtërohet, e të pranojë se nuk meritojmë një jetë dinjitoze si të gjitha kombet e tjera.

“Asnjëherë nuk do të pranoj që kjo të shfrytëzohet si përçarje e kombit ku thuhet "ata nga ajo anë nuk po na duan nga kjo anë". Kjo është thjeshtë lidership i dobët, udhëheqje e kompleksuar, dhe politikë amatore”, përfundon ai./KosovaPress/

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)