PRISHTINË - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ambasadorin e Irlandës në Hungari, jorezident për Kosovën, Kevin Dowling.
Në takim u bisedua për marrëdhëniet e deritanishme ndërmjet dy vendeve dhe zhvillimet aktuale në vend dhe rajon.
Kryetari Veseli theksoi se perspektiva evropiane e Kosovës është rruga të cilën e përkrahin pa dallim të gjitha institucionet vendit, ndaj përkushtimi për përmbushjen e detyrave që përshpejtojnë këtë perspektivë është punë me prioritet.
Ambasadori Dowling theksoi se Republika e Irlandës ka qenë afër Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj, duke dhënë kontribut të çmueshëm në këtë drejtim. Ai po ashtu, vlerësoi lart angazhimin për përmbushjen e axhendës eurointegruese të Kosovës, duke ofruar mbështetje për anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtarë.
Bashkëbiseduesit theksuan se ka vend dhe hapësirë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Irlandës, duke vënë në dukje se prioritet mbetet bashkëpunimi ekonomik dhe realizimi i axhendës eurointegruese të Kosovës./ATSH/