-Botohet në SHBA përmbledhja e dytë poetike e Irma Kurtit-
Tiranë, 14 Shkurt/ATSH/.- Botohet në Shtetet e Bashkuara libri me poezi i Irma Kurtit titulluar "Under my blouse", libri i saj i dytë në anglisht pas: "Njoha qielli gri", me vargje të shkruara nga autorja në vite dhe botuar një vit më parë nga America Star Books.
"Nën bluzën time" është sjellë për lexuesin shqiptar në 2013 me siglën Dudaj dhe pas kësaj në gjuhën italiane. Poezia që i jep titullin librit është nderuar me çmimin e parë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar "Napoli Cultural Classic 2011" në seksionin e autorëve të huaj. Vlerësimi më i ri për këtë përmbledhje është ai i vendit të tretë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar "Antico Borgo" 2014, në La Spezia. Vëllimi përmban 70 poezi të ndara sipas tematikës në katër pjesë: "Në një lëndinë ëndrrash", "Magji e dashurisë", "Dhimbje" e "Qielli im i melankolisë".
Në parathënien e botimit në italisht shkruhet: "Nuk mund të zgjidhte titull tjetër më të goditur Irma Kurti, poetesha me një thellësi të jashtëzakonshme shpirti, rrjedhojë kjo ndoshta dhe e eksperiencës së saj personale. Me origjinë shqiptare dhe e emigruar në Itali, autorja ia del të përshkruajë në mënyrë perfekte gjendjen shpirtërore të dikujt që është i detyruar të braktisë atdheun dhe të jetojë një të ardhme larg tij. Nostalgjia është nyja lidhëse e poezive, argumenti i padukshëm që bashkon të gjitha krijimet, pavarësisht nga tematika që afrontohet dhe argumenti i trajtuar. Një përmbledhje që pavarësisht nga shumëllojshmëria e tematikës rrotullohet gjithnjë rreth një figure të vetme, asaj të autores, që zgjedh, pikërisht "të heqë bluzën" duke zbuluar e dhuruar veten përmes vargjeve".
Javën e kaluar në Pescara Irma Kurtit ju akordua nga Presidenti i Universum Academy Sëitzerland. z. Valerio Giovanni Ruberto çmimi special International University of Peace per librin "Midis dy brigjeve." "Faleminderit per çmimin prestigjoz, qe eshte nje nxitje per te punuar dhe krijuar me shume ne perhapjen e vlerave te paqes dhe dashurise" është shprehur poetja e njohur shqiptare.
Irma Kurti ka botuar nëntë libra në gjuhën shqipe dhe gjashtë në gjuhën italiane. Është fituese e shumë çmimeve në poezi e prozë në Itali si dhe në Zvicrën Italiane. Në 2013 i akordohet çmimi "Universum Donna" për Letërsinë që u jepet 10 grave që janë shquar në fusha të ndryshme si dhe "Ambasadore e Paqes" nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano.
/f.n./









