“Sot Kryetari PS, shoku Edi Rama takoi në zyrën e tij të deleguarit e partisë e deputetët e zonave. Një takim shumë i frytshëm. Fitorja sipas gjithë gjasave është e sigurtë! Shoku Saimir Tahiri i pranishëm në këtë takim frymëzues drejton me shembullin e tij. Është kënaqësi e veçantë të punosh me njerëz të tillë”, ironizon Gjoni në adresën e tij në rrjetin social facebook. I cili nuk e ka për herë të parë debatin me kryetarin Rama dhe kreun e PS të qytetit të Tiranës, Tahiri.
Vetëm pak kohë më parë debatoi për çështjen e emërimeve në krye të PS të njësisë nr.3 në kryeqytetit për të arritur kulmin në mbledhjen e Asamblesë së PS te Xibraku, ku ka debatuar fort në lidhje me vendosjen e zhurmuesve, duke deklaruar më pas dhe në grupin parlamentar të PS se “nëse deputetët janë kooperativë, atëherë kreu i PS Rama që drejton deputetët është kryetar kooperative”.
Ndërkohë që objekti i takimit të djeshëm të paralajmëruar ka qënë njohja me vendimet më të fundit të kryesisë së PS që ka ngritur një strukturë organizative për strategjinë elektorale të PS, e cila do të impelentohet gjatë ditëve në vijim. Në këtë takim kanë marrë pjesë të gjithë sekretarët socialistë, të deleguarit, kreu i Asamblesë Kombëtare të PS Gramoz Ruçi e në veçanti kanë qënë katër drejtuesit e Grupit të Strategjisë së Organizimit, Ruçi, Klosi, Fino dhe Xhafaj, të cilët këtej e tutje si një strukturë organizative e krijuar nga Kryesia do të funksionojë dhe si shtab organizativ elektoral e do koordinojë gjithë punën mes bazës dhe strukturave qëndore të PS. Rama ka kërkuar nga drejtuesit vendorë të PS që të testojnë elektoratin për mbështetjen ndaj PS, test që do bëhet në vijimësi për të parë shkallën e rritjes së mbështetjes për opozitën, në proporcion me punën që do të bëjhnë të gjitha strukturat në bazë. Rezultati i të cilave do të jetë dhe “barometri” i punës për PS e secilit rreth.
Rama ka kërkuar dhe ngritjen e shtabeve elektorale në tërë “piramidën” drejtuese nga qendra në bazë, për të startuar më pas me të gjithë elementët e tjerë të përgjegjësisë në këtë fazë të parë të punës së PS që do zgjasë deri më 1 mars 2013. Pikërisht këtu do startojë puna për evidentimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë që do të jenë në listat përfundimtare të kandidatëve në të gjitha qarqet. Kreu socialist teksa ka dhënë porositë për implementimin e strategjisë elektorale në bazë, takimet derë më derë e punën për pastrimin e listave nga dublikimet por dhe shtesat fiktive të banorëve në disa zona të caktuara, është larguar, ndërsa drejtimin e ka marrë kreu i Asamblesë së PS, Ruçi që me cilësinë e drejtuesit të grupit të organizimit të strategjive, ka shpjeguar në mënyrë të detajuar funksionimin e tërë skemës elektorale të PS nga qendra në bazë. Kështu përpos shtabit qëndror elektoral, do ketë shtabe elektorale në bazë qarku, rrethi, bashkie e komune e deri shtabin e vogël elektoral të njësisë së votimit, puna e të cilave do të koordinohet nga GSO. Njëherësh është diskutuar në këtë takim dhe mbi elementët bazë mbi të cilët do të mbështetet puna me votuesit për të kërkuar votën e tyre. Por barra më e rëndë për strukturat e PS do të jetë evidentimi i banorëve të shtuar në mënyrë fiktive që garantojnë dhe një rezultat fiktiv në zgjedhjet e ardhshme dhe evidentimi i emigrantëve. Rëndësi në këtë takim i është kushtuar dhe arritjes së sigurimit të transportit për të gjithë ata votues që e kanë të pamundur të vijnë në qendrat e votimit. Duke kërkuar sjelljen e sa më shumë njerëzve në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)