Arkivoli me eshtrat e Isa Boletinit është shoqëruar nga një grup kalorësish të veshur me kostume kombëtare, moment ky që ka shënuar edhe fundin e ceremonive në në oborrin e kullës së tij, në Boletin. Eshtrat e Isa Boletinit, pas një shekull pritjeje, të varrosura në një varr masiv me familjarët, bashkëluftarë të tij pas masakrës 21 janarit të 1916-s nga forcat serbo-malazeze, i janë rikthyer dje vendit ku lindi.
Gjatë asaj masakre mbetën të vrarë vetë Isa Boletini, 51 vjeç; Halili, i biri, 24 vjeç; Seidi, i biri, 18 vjeç, student në Vjenë; Jonuzi, nipi, 26 vjeç; Halili, nipi nipi 24 vjeç; Hajdar Selim Radisheva, kunat i Isa Boletinit, 30 vjeç; Idris Bislimi, nipi i Hajdarit, 18 vjeç dhe kushëriri i Boletinit, Misin Niman Bala, 26 vjeç. Pas vërtetimit të përkatësisë së eshtrave në Strasburg, Isa Boletini rivarroset nga mbi 500 qytetarë të pranishëm në ceremoni.
Nuk ka qenë i lehtë vendimi i qeverisë së Kosovës për rivarrosjen e eshtrave në vendlidnjen e tij, për shkak të kundërshtimeve të përfaqësisë së shumicës serbe në Mitrovicë. Kështu që dje gjatë ceremonisë është parë edhe një helikopter i KFOR-it, duke fluturuar në qiellin e Boletinit. Trupat e KFOR-it kanë vëzhguar terrenin për shkak të sigurisë.
Ceremonia e fundit, vlerësimet e politikanëve
Me muzikën e Himnit Kombëtar dhe shtetëror ka filluar dje ceremonia e prehjes përfundimtare të eshtrave të heroit Isa Boletini. Ceremonia u mbajt në stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë, para se kortezhi të mbërrinte në Boletin. Gjithashtu në Kuvendin e Kosovës e në Mitrovicë janë mbajtur përkujtimore e ligjërata për kontributin e Heroit Kombëtar, Isa Boletini.
Të pranishëm në ceremoni kanë qenë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa; kryeparlamentari, Kadri Veseli; Princ Leka Zogu me bashkëshorten; kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Ndërkohë, edhe pse ishte paralajmëruar për pjesëmarrje, presidentja Atifete Jahjaga dhe zv.kryeministri Hashim Thaçi nuk ishin të pranishëm.
Rivarrosja e Isa Boletinit është bërë në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Heroi i është rikthhyer vendlindjes, pasi ka udhëtuar simbolikisht tri ditë rresht nëpër qendrat kryesore historike të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi se: “Isa po i kthehet përfundimisht Kosovës, po i kthehet Boletinit të tij të dashur, në të cilin pushtues të ndryshëm rrënuan çdo gjë, ia dogjën kullat disa herë, porse ai dhe Boletinët e tij i ringritën sërish nga e para të gjitha ato që u rrënuan, siç është ringritur shqiptari prore që nga koha e Skënderbeut e këtej”. Mustafa u shpreh më tej se “Isa do të prehet në dheun e vendlindjes së tij në Boletin, po rivarroset aty nga u nis në beteja me trimat e tij, aty nga shtegtoi në Vlorë për të shpallur pavarësinë e shtetit shqiptar”.
Mustafa vlerësoi në fjalën e tij edhe faktin që pas shumë peripecive Isa Boletinin mundën ta varrosnin në Mitroicë. “Isa Boletini është heroi i Kosovës dhe duhet të jetë simbol i shqiptarëve dhe simbol i luftës. Zoti e bekoftë Isa Boletinin dhe gjithë ata që e kanë mundësuar varrimin e tij në Kosovë dhe zoti e bekoftë Kosovën”, tha Mustafa. Ndërsa kryeparlamentari Veseli në fund të fjalës së tij u shpreh: “Baca Isë ne sot jemi te lirë por kemi mall për ty. Është koha te rehatohesh Baca Isë, sepse mirë është Kosova edhe Shqipëria”
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, tha se: “Isa Boletini është bëma e kolona e tempullit shqiptar ndër mote. Ai është kryedëshmori i shqiptarëve. Sot t’i rrëfehemi atij se ne sot kemi dy shtete të pavarura”. Edhe kryetari i PD së Shqipërisë, Lulëzim Basha gjatë fjalimit të tij tha disa fjalë për heroin e kombit, Isa Boletinin, ku ndër të tjera u shpreh se: “Nga sot baca Isë do të prehet në tokën e tij, në kullën e tij të pamposhtur, në Kosovën e lirë.”
Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, e ka cilësuar ngjarje shumë të rëndësishme varrimin e eshtrave të Isa Boletinit dje në Boletin të Mitrovicës. Ai u shpreh se “sot po e mundësojnë kthimin e Isës në shtëpi të vetë, dhe po korrigjohet një padrejtësi që u bë për gati një shekull.”
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Qershor 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)