Ish-agjenti i SHIK-ut, Nazim
Bllaca: Banket pas cdo vrasje

Ish-agjenti i SHIK-ut, Nazim<br />Bllaca: Banket pas cdo vrasje
Pasi Gjykata e Qarkut në Prishtinë i dha dënimin me 18 vite burgim Fahredin Gashit, për një vrasje të kryer në qershor të vitit 1999, ish-agjenti i SHIK-ut, Nazim Bllaca, i cili ishte dëshmitari kryesor në procesin e Gashit, tashmë duket se ndihet më i qetë.

Në një intervistë ekskluzive për Emisionin Drejtësia në Kosovë, Bllaca thotë se pas dy vjetësh, që kur doli për herë të parë publikisht me akuzat, ka dëgjuar shumë fjalë se është njeri i çmendur, tradhtar, njeri i Serbisë etj. “Pas vendimit të gjykatës, njerëzit e kanë parë se unë nuk jam njeri i sëmurë psikikisht, di të lexoj, mbaj mend qindra data”, shprehet ai, në intervistën e transmetuar të dielën, në RTK.

Bllaca ka konfirmuar se është dëshmitar në rastin Kleçka. Por thotë se dëshmia e tij nuk është kundër Limajt. Porosit Azem Sylën dhe Hashim Thaçin që mos “t’ia hedhin gjithë përgjegjësinë Limajt”, por të tregojnë se Shtabi i UÇK-së e ka themeluar burgun.

Duke folur për rolin e tij gjatë luftës në vitin 1998, Bllaca ka deklaruar se ka marrë pjesë në arrestime. Thotë se së paku tre persona i ka dorëzuar në Blinajë, ku komandant ka qenë Shukri Buja, aktualisht kryetar i Lipjanit.

Bllaca thotë se gjithë dëshmitë i ka deponuar në Prokurori. Përsërit atë që e ka thënë edhe para dy vjetësh, se asnjë gjyqtarë, nuk mund t’i hedh poshtë dëshmitë e tij. Kjo, sipas tij, u vërtetua me dënimin e Fahredin Gashit, i cili javën e kaluar mori 18 vjet burgim për vrasjen e Salih Gashit, nga fshati Vergofcë. Vrasja ishte kryer më 15 qershor 1999, disa ditë pas hyrjes së trupave të NATO-s, dhe është cilësuar si krim lufte.

Pas dëshmisë publike para gazetarëve, lidhur me këtë rast, më 30 nëntor 2009, Bllaca rikujtoi se ishte shoqëruar në polici, ku ishte intervistuar lidhur me vrasjen.

I pyetur pse nuk është dënuar, Bllaca ka thënë se është e vërtetë se e ka pranuar se ka qenë pjesëmarrës në vrasje, por gjykata “e ka falur”. “Vrasjet të cilat i ka paraqitur Bllaca kanë qenë të pazbuluara dhe të hulumtuara për 10 vjet. Kanë qenë të harruara, të shuara, dhe ky person (flet për vete) arriti t’ua heqë pluhurin dhe t’i nxjerr në dritë. Më 25 gusht 2010 më kanë shpallur dëshmitar bashkëpunues për vrasjen e Sali Gashit, për veprën për të cilën minimum duhet të merrja minimumi 5 vjet burgim”.

Ndërkohë, akuza ndaj tij, për vrasjen e Ibush Kllokoçit, thotë se është ndarë nga rasti i Fahredin Gashit, sepse më herët UNMIK-u dhe tani EULEX-i, i kanë cilësuar si krime lufte vetëm krimet që kanë ndodhur deri më 20 qershor 1999. Rastet e tjera hyjnë në krim të organizuar.

Ai ka treguar se më 6 tetor 2011 është konfirmuar aktakuza kundër tij për vrasjen e Kllokoçit. Por konsideron se provat që i ka dorëzuar në Prokurori, prekin nenin 10 të Kodit Penal, i cili përcakton dënim deri në 5 vjet, kur “urdhrat merren nga lart”. Por nga kush i ka marrë urdhrat? “Nga Shpresim Uka, Shpresimi nga Azem Syla, kështu ka funksionuar grupi kriminal”.

I pyetur si ndihet kur i kujton vrasjet, Bllaca është përgjigjur: “Trishtohem”. “Nuk është lehtë të vrasësh një njeri...I kam shkuar personi për të ngrënë iftar dhe e kam vrarë”. Por është arsyetuar se “ajo kohë ka qenë me tjetër sistem mendor”.

“Çdokush që ka qenë kundër PDK-së ka qenë tradhtar”. Pas vrasjes, thotë se kanë bërë banket e kanë pirë.

Kontaktin e parë me një prokuror të UNMIK-ut, Bllaca e ka pasur në vitin 2006. Pastaj, thotë se është detyruar largohet jashtë, “sepse ishin dhënë 100 000 € për vrasjen e tij”. Hysri Rama, me të cilin ka lidhje familjare, i ka thënë: “Nuk i ke punët mirë, duhet të largohesh se plumbin e ke afër”.

Ai thotë se nuk ka kërkuar para, por njerëz të PDK-së thotë se ia kanë ofruar 1 milion euro, që t’i heshtë krimet.

Bllaca ka konfirmuar se është dëshmitar në rastin Kleçka, ku njëri nga të akuzuarit është edhe Fatmir Limaj. Ai thotë se mburret me këtë. Sepse po fillon zbardhja e një zinxhiri vrasjesh që kanë ndodhur gjatë luftës, më saktësisht në periudhën korrik – gusht 1998.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Dyshohet se abuzuan seksualisht me një të mitur, 2 të arrestuar në Maliq

Korçë/ Dyshohet se abuzuan seksualisht me një të mitur, 2 të arrestuar në Maliq