Ish bosi i kriptomonedhave Faruk Ozer, i cili u arrestua në jug të vendit disa kohë më parë, ka bërë rekurs të vendimit për ekstradimin e tij në Turqi. Themeluesi i "Thodex", Faruk Fatih Özer më herët në seancën gjyqësore nuk ka pranuar të ekstradohet në Turqi pasi i rrezikohet jeta. Sipas avokatës së tij, Faruk Ozer ka kërkuar që procesi të kryhet në Shqipëri ndërsa ka deklaruar para togave të zeza se nuk e dinte që kërkohej ndërkombëtarisht por kishte ardhur për të investuar.
Faruk Ozer u kap në 30 gusht të këtij viti pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrimin me kriptomonedhat ndaj disa shtetasve turk.
Si u kap në Shqipëri
SHISH dhe Forcat Operacionale ndoqën për 5 javë Faruk Ozerin dhe dy shqiptarët. Report TV mëson se jetesa e tij shtrihej me Elbasanit dhe resortit luksoz në Palasë. Për disa javë, Ozer ka shijuar plazhin e jugut në vend duke ndryshuar edhe pamje për të mos u njohur, me flokë të qethura dhe me mjekër. Ozer është identifikuar nga gjurmët e gishtërinjve që linte teksa pushonte në ambientet e plazhit luksoz. Bashkë me 28-vjeçarin u kap në Palasë të Himarës e bashkë me të u arrestua edhe Edevaldo Haxhiu, nipi i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka që akuzohet se e ndihmonte të shumëkërkuarin që t’i fshihej autoriteteve.
Në shoqërinë e tyre –thonë burimet policore - ishte dhe një person i tretë, i arrestuar, shqiptar nga Tirana, Briken Shkëmbi, 36-vjeç. Bosi i kriptomonedhave fshihej prej 4 muajsh në një banesë me qira në Elbasan, jo në emër të tij të cilën dyshohet se ia kishte siguruar Edevaldo Haxhiu.
Skema e mashtrimit
Faruk Ozer i arratisur prej muajit prill të vitit 2021 akuzohet në Turqi se në bashkëpunim me persona të tjerë ngriti një skemë mashtrimi nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale përmes kompanisë që vetë ai themeloi duke mashtruar rreth 400 mijë persona që investuan në platformën e tij, tashmë të mbyllur.
Autoritetet atje i bllokuan llogaritë bankare të kompanisë THodex ku iu gjetën 16 milionë lira. Sipas mediave turke, në momentin që është arratisur nga vendi, Faruk Ozer kishte me vete një server ku mbahen 108 milion dollar në formë kriptomonedhash. Në Turqi janë arrestuar disa bashkëpunëtorë të 28-vjeçarit me akuzën e mashtrimit.v