Ish deputeti demokrat Myslim Murrizi tha sot se ‘gara’ për kreun e PD-së po bëhet sa për sy e faqe dhe se partia po shpik kandidatë ‘nga hiçi’ duke fyer kështu demokratët që kanë kontribuar ndër vite.
Në një reagim në rrjete sociale, Murrizi argumenton se statuti i PD nuk e detyron partinë të ketë patjetër disa kandidatë në garë, ndaj sipas tij, krijimi i kandidatëve “laboratorikë” është i panevojshëm dhe i dëmshëm. Sipas tij, Sali Berisha dhe rivalët e tij artificialë me anë të kësaj praktike po u japin mundësi kundërshtarëve politikë të tallen me PD.
"Partia Demokratike nuk ka pse të tallet me veten dhe me demokratët. Nuk ka pse të shpikë kandidatura fallco nga hiçi për të thënë që ka “rivalitet” apo garë mes “kandidatëve”. Me gjithë respektin që kam për çdo demokrat apo demokrate që aspiron për karrierë në politikë, nuk mund të jem fare dakord me formalizma hipokrite, që të regjistrohet në fletën e votimit për Kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë një qytetar apo qytetare që nuk ka asnjë “gradë” politike në CV dhe që nuk ka qenë kurrë as kryetar seksioni, grupseksioni, dege apo anëtar kryesie dege, sekretariate, Këshill Kombëtar, Kryesi e madhe, apo grup parlamentar.
Statuti i PD nuk detyron që duhet të ketë patjetër kandidat dhe që patjetër duhet të “shpikim” kandidat artificial. Çdo kandidat apo kandidate “laboratorik”, apo i shpikur për të thënë që ka garë, jo vetëm që e dëmton procesin e zgjedhjes së Kryetarit të PDSH, por është shumë tallës, fyes dhe denigrues për kontributin e çdo DEMOKRATI.
Sali Berisha nuk ka nevojë të shpikë kandidat, sa kohë që ai mendon të jetë në garë për Kryetar të PDSH. Prandaj kushdo rreth tij që mendon se po i bën nder duke “shpikur” kandidat artificial, e dëmton procesin dhe u jep mundësi të gjithë kundërshtarëve të tallen me PD dhe demokratët. Demokratët kanë 13 vjet në opozitë dhe vuajnë arrogancën e pushtetit të Ramës. Nuk besoj që kanë takat të durojnë një tallje tjetër, duke u ofruar si “kandidat” për Kryetar të PD një anonim politik apo kandidat fallco" shkruan Murrizi
Komente











