Kanë qenë miqtë e tij ata që i dhanë ndihmën e parë duke e dërguar në qendrën e traumës në spitalin ushtarak. Ndonëse jo në rrezik serioz për jetën, ai nuk e ka marrë ndihmën urgjente nga personeli mjekësor.
Së paku kështu pretendojnë familjarët. Për A1 Report, e bija Marina Vokshi shpërthen në një lumë akuzash për shërbimin në spitale e madje edhe ndaj shoqatës së të përndjekurve, që sipas saj e ka përdorur atë për qëllime politike.
“E morëm vesh nga mediet. Kemi marrë policinë për të gjetur vendndodhjen e tij. Babain tonë e gjetëm duke pirë një cigare brenda urgjencës, madje ai mund të digjte edhe krevatin. Ai është me probleme mendore, këta e kishin lënë vetëm fare. Asnjë lloj përkujdesje, asgjë.
Pasi ne bëmë fjalë dhe kërkuam mediat, tani i kanë ardhur 2 doktorë dhe po e mjekojnë.
Denoncojmë këtë shtet edhe shoqatën e të përndjekurve politikë të cilët e kanë agravuar situatën deri këtu duke mos i paguar dhe trajtuar ata për problemet që ata kanë si pasojë e atij regjimi. Babai im ka qenë i burgosur politik, i cili ka dalë me probleme mendore nga psikiatria e Elbasanit. Ai kërkon të drejtat e tij, jo në mënyrën që duhet kërkuar, sepse ai është me probleme, ndryshe nuk do ta bënte atë lloj gjesti.
Apeli im është të jenë më të përgjegjshëm për këto lloj situatash dhe t’u japin atë që ju takon.”- thotë për A1 report Marina Vokshi, vajza e Edmond Vokshit.
Ish-i përndjekuri pret damarët, MMSR:I janë hequr 300 000 lekë, po përgatisim VKM për zgjidhjen e çështjes
Ministria e Mirëqenies Sociale ka reaguar duke sqaruar se Vokshi është një ish i përndjekur që rezulton në listat e ministrisë pasi ka vuajtur dënimin me burg për 17 muaj. Sipas ministrisë deri më tani Vokshi është trajtuar si i përndjekur dhe ka përfituar ndër vite 700 000 lekë letra me vlerë dhe 200 000 lekë pagesë në dorë.
Shuma prej 300 000 lekësh i është hequr Vokshit gabimisht nga qeveria e kaluar e cila po ashtu i ka dhënë edhe një shtëpi me vlerën 20 milion lekë.
Ndërkohë ministria sqaron se aktualisht për rastin e Vokshit është duke u përgatitur një VKM e posaçme që të mund të korrigjohet problemi.
Më poshtë reagimi i plotë i ministrisë
MMSR sqaron situatën lidhur me dëmshpërblimin e ish të përndjekurit politik, z. Edmond Vokshi
Nisur nga ngjarja e sotme përpara ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë sqaron se ish i dënuari politik, z. Edmond Vokshi, i cili ka vuajtur 17 muaj burg, është trajtuar me VKM. 1699, datë 29.12.08, nr. rendor 466 dhe nr. dosje 2784, datë 06.03.2008 dhe masa e dëmshpërblimit për të arrin në vlerën 1,194,000 lekë gjithsej.
Në të kaluarën, z. Vokshi është trajtuar me ligjet që kanë qenë në fuqi dhe ka përfituar ndër vite: 700,000 lekë letra me vlerë dhe 200,000 lekë pagesë në dorë.
Ndërkaq, diferenca e mbetur prej rreth 300,000 lekë i është hequr pasi gabimisht, nga qeveria e kaluar, i është përllogaritur edhe një shtëpi, të cilën z. Vokshi e ka përfituar dhuratë nga CAFOD, me vlerë rreth 20 milion lekë.
Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë e ka adresuar problemin e z. Vokshi për zgjidhje pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila është duke përgatitur VKM-në përkatëse që do të bëjë korrigjimin e problemit të krijuar, duke mos e llogaritur vlerën e shtëpisë që ai ka marrë dhuratë nga CAFOD.
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë vazhdon shpërndarjen e këstit të katërt për ish të burgosurit politikë dhe brenda muajit mars do të nisë dhënien e këstit të pestë.
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)