TIRANË- Një fushatë shpifjesh e mashtrimesh në lidhje me aktivitetin e Konsullatës së Shqipërisë në Milano, i ka quajtur Nausika Spahia, ish-konsulle e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano akuzat e kreut të qeverisë, Edi Rama dhe të ministrit të jashtëm, Ditmir Bushati në lidhje me akuzat për Konsullatën Shqiptare në Itali, si “një call center, që po gërryente shqiptarët”.

“Jam e detyruar të reagoj për atë që mund ta quaj një fushatë shpifjesh e mashtrimesh në lidhje me aktivitetin e Konsullatës së Shqipërisë në Milano”, shprehet Spahia mes një deklarate për shtyp, ndërsa paraqet një informacion të detajuar, që hedh poshtë në çdo pikë akuzat drejtuar asaj.

Ajo ka folur së pari për menaxhimin e pasaportave biometrike me ‘call center’.

“Kryeministri dhe Ministri gënjejnë në mënyrë të paskrupullt kur shprehen për abuzime me shërbimin call center.  Si për çdo veprim tjetër, ashtu edhe në këtë rast, MPJ ka qenë e informuar në detaje gjatë gjithë kohës.
Marrja e vendimit për menaxhimin e situatës emergjente dhe kritike në momentin e daljes jashtë përdorimit të pasapartave të vjetra, është bërë në koordinim të plotë me kabinetin e Ministrit Haxhinasto, i cili ka dhënë aprovimin dhe udhëzimin që përveç ‘call center’, të ofrohet shërbimi edhe nëpërmjet platformës elektronike (e-mail). Ky aprovim është dhënë nga Kabineti i Ministrit Haxhinasto dhe firmosur nga Drejtori i Drejtorisë Konsullore, Z. Bala. Ndërkohë që në shkresat e mia të protokolluara (p.sh. nr prot. 57, dt 26.03.2012 drejtuar Drejtorit te Kabinetit te Ministrit Haxhinasto, Z. Ilir Melo dhe përcjellë edhe Drejtorit të Drejtorisë konsullore, Z. Bala) kërkoj ndër të tjera që të aktivizohen numra jeshilë, pra falas, për qytetarët”, thotë ish konsullja Spahia, ndërsa vëren se komunikimi me Kabinetin e Ministrit dhe Drejtorinë Konsullore është i protokolluar pranë MPJ,  Konsullatës në Milano dhe Ambasadës Shqiptare në Romë.
 
“BUSHATI GËNJEN. MBYLLJA E KONTRATËS ME CALL CENTER, ME KËRKESËN TIME”
Ajo flet edhe për deklaratën e ministrit të jashtëm Bushati për mbylljen e ‘Call Center’ nga ana e qeverisë Rama, duke thënë se ai gënjen.

“Gënjen, sepse mbyllja e kontratës me ‘call- center’ është bërë me kërkesën time menjëherë pas reduktimit drastik të kërkesave për aplikime. Kjo ndodhi pa ardhur akoma në detyrë qeveria Rama. Kopje e zgjidhjes së kontratës është përcjellë në MPJ. Pra, Ministri Bushati po gënjen hapur qytetarët shqiptarë”, vëren Spahia.

Ajo thotë, se “call- centeri ka qenë një zgjidhje e përkohshme në një situatë emergjence, më e mira zgjidhje e mundshme në atë moment dhe mbi të gjitha e bashkagjestisur dhe me miratim të MPJ, e cila ka çdo kopje kontrate dhe detajim të veprimeve konsullore”.

Thënë kjo, ‘call- center’-i ka qenë një nga zgjedhjet e mundshme për qytetarët, të cilët kanë pasur në dispozicion edhe e-mailin, postën, apo paraqitjen direkt në zyrë”.
 
“NUK KAM FIRMOSUR TË TRANSFEROHEN 45 MIJË EURO”
Ajo vëren se ministri mashtron hapur për 45 000 euro për kompaninë e ‘call center’-it.

“Asnjëherë nuk kam firmosur që të transferohen 45 000 euro për asnjë kompani. Është vetëm shpifje që e dëgjoj në media. MPJ merr nga konsullata çdo muaj raport të hollësishëm financiar mbi gjendjen bankare dhe mbi pagesat e bëra. Ka çdo pasqyrë mujore të lëvizjeve bankare”, shprehet Nausika Spahia.
 
Ajo vijëzon edhe atë që e cilëson si “Rënia e rrethimit të sekserëve”.

“Heqja e rradhave në Konsullate ka tërbuar sekserët që për vite me rradhë gjatë qeverisjes së partisë së z.Rama, kanë zhvatur emigrantët shqiptarë dhe që sot pretendojnë të rifillojnë aktivitetin e tyre si diplomatë brenda Konsullatës”.
 
“NUK KAM ZHDUKUR GJË. KAM LËNË GJITHË DOKUMENTACIONIN”

Zhdukjen e evidencave e dokumentacionit, ish konsullja Spahia e cilëson shpifje të pastër.

“Është vetëm mashtrim, akuza për zhdukje të dokumentacionit. Kur kam bërë dorëzimet e detyrës kam lënë përveç të tjerave të gjithë dokumentacionin sipas udhëzimeve të MPJ, Konsullit përgjegjës për marrjen e dorëzimeve Z. Rezar Shkëmbi, i cili ka firmosur për rregullsinë e të gjitha dorëzimeve dhe ka përcjellë dokumentacionin në fjalë pranë MPJ.

Me pak fjalë, i gjithë dokumentacioni i shkëmbyer për pikat e lartpërmendura ndodhet i protokolluar pranë Konsullatës Shqiptare në Milano, Ambasadës Shqiptare në Romë, si dhe Komunikimit Qendror MPJ, Kabinetit të Ministrit, Drejtorisë Konsullore”, ka bërë të ditur Spahia.
 
“SEKSERËT HAJDUTË TË RAMËS”
Ajo ka vërejtur gjithashtu se në momentin kur ajo ka marrë drejtimin e Konsullatës së Përgjithshme në Milano, “me qindra qytetarë shqiptarë (foshnja, fëmijë, të rinj, burra e gra shtatzëna, të moshuar, me probleme nga më të ndyshmet) rrinin me orë të tëra në rradhë në “Piazza Duomo”, të rrethuar si në kafaz me hekura dhe të survejuar nga policia italiane dhe fotografoheshin si fenomen i çuditshëm nga turistët që kalonin.  Nuk mjaftonte ky poshtërim por në të njëjtën kohë ata bëheshin pre edhe e sekserëve që i merrnin me qindra euro për një dokument që kushton 20€.

Edhe për një vulë legalizimi apo përkthim të thjeshtë ata duhet të vinin nga 11 rajone të ndryshme të Italisë, të udhëtonin për orë të tëra  me shpenzime e lodhje të pa fund.

Me daljen jashtë përdorimi të pasaportave të vjetra dhe dyndjen e qindra qytetarëve pranë zyrave tona, jo vetëm nga 11 rajonet e Italisë por edhe vendet e tjera të Evropës, kemi kërkuar një shërbim shtese për prënotimin e takimeve për pasaporta i cili kishte një kosto mesatare të 3€ (por meqë shumica dërrmuese që telefononin për takim ishin familje me të pakten 4përsona i bie që kosto e takimit të ishte më pak se 1€ per person, pra brenda mesatares të telefonatave normale). Kujtoj gjithashtu që Konsullata ka një buxhet ku 80% e tij është i dedikuar për rrogat dhe qeratë, ndërsa 20% është lënë për menaxhimin e të gjithë nevojave të tjera të Përfaqësisë”.

Sipas Spahisë, MPJ ka qenë vazhdimisht dakort që buxheti është tepër i limituar dhe ka kërkuar sforco gjigante për të arritur të përmbushim detyrimet ligjore megjithë vështirësitë e mëdha, “pra nuk kuptohet se ku mund te kenë qenë hapësirat për abuzime”.

“Një shembull për të gjitha: në zërin riparime e mirembajtje të përfaqësisë dhe të mjeteve të punës, buxheti viti 2013, ka qenë për të gjithë vitin, 500 euro.

Nuk besoj që as në Tiranë sot arrihet të riparohet një zyrë me 500 euro në vit e jo më në qendër të Milanos. 

I kujtoj gjithashtu Ministrit te Jashtëm Bushati dhe Kryeministrit Rama që ka qenë Qeveria Berisha ajo që futi për herë të parë shërbimin postar për bërjen e dokumentave pa prezencën e qytetarit dhe me pagesën jo me me para në dorë por nëpërmjet llogarive bankare. Kjo e gjitha duke patur si objektiv transparencën maksimale të shërbimeve ndaj qytetarëve. Praktikë mëse e sukseshme që i dha dinjitet si qytetarëve ashtu edhe përfaqësisë.
I kujtoj gjitahshtu që Konsullata e Përgjithshme e Milanos nuk kishte as faqe interneti me informacione, as shpjegime sekretarie telefonike, as linja telefoni për qytetarët. Dhe kjo jo rastësisht, por për të stimuluar sekserët e partisë së Ramës, dhe për t’i lënë atyre hapësirë për pasurim.

Janë aktivizuar tre linja telefonike, njëra nga të cilat ka qenë për telefonatat e emergjencave dhe dy linja me shpjegimet e çdo procedure për praktikat konsullore në Shqip dhe Italisht, linjë fax-i si dhe e-mail, si të sekretarisë ashtu edhe të vetë konsullit të përgjithshëm, ku me qindra qytetarë kanë kontaktuar dhe kanë marrë përgjigje nga ana jonë edhe të shtunave e të dielave.

Them me krenari se gjatë viteve që kam qëndruar si Konsulle e Përgjithshme në Milano, kam punuar me përkushtim për të ofruar shërbim sa më cilësor, të shpejtë e transparent dhe për t’i rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur bashkëatdhetarëve tanë. Unë nuk prisja vlerësime nga Ministri apo Kryeministri, sepse vlerësimet i kam marrë nga qytetarët, që kanë mbetur të kënaqur nga Konsullata. Por nuk pajtohem për asnjë moment me këto shpifje dhe sulme politike të qëllimshme, të denja vetëm për kohët më të errëta të Shqipërisë së baballarëve të tyre”, përfundon deklaratën e saj ish konsullja e Shqipërisë në Milano, Nausika Spahia.

Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)