TIRANE- Dixhitalizimi i të gjitha vendimeve mbi pasuritë e paluajtshme nga AKKP që nga viti 1993, ka bërë të mundur evidentimin e problematikave për secilën dosje pronarësh. Në regjistrin e pasurive të paluajtshme të AKKP bie në sy se në pjesën më të madhe të dosjeve në fjalë, mungon vendimi i njohjes, kthimit apo kompensimit të pronës.

Ndërkohë që nuk mungojnë as rastet kur vendimet janë të paplota, apo në jo në formën e duhur për të gëzuar fuqi ligjore. Një numër i madh dosjesh kanë problematika, të cilat nisin nga mungesa e dokumentacionit, deri te mungesa e një vendimi zyrtar lidhur me to. Pas zbardhjes së 600 dosjeve të para me probleme, “Shqiptarja.com” vazhdon sot më pjesën e dytë prej 1 mijë dosjesh me probleme në qytetin e Tiranës.