DURRES - Pas debatit të zhvilluar ditën e djeshme në Parlament mes kryetares Jozefina Topalli dhe deputetit të FRD-së, Gazmend Oketa lidhur me xhaxhanë e këtij të fundit që sipas Topallit ka qenë kryetari i Komisionit të Dëbim-Internimeve në Durrës, kanë reaguar ish-funksionarë të lartë të partisë së asaj kohe. Mehmet Karakushi, ish-Sekretar i Komitetit të Partisë së Punës të Shqipërisë të Rrethit të Durrësit në vitet ‘80 si dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, sqaron se Komisionet e Dëbim Internimeve krijoheshin nga Dega e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Këshillat e Lagjeve. Asnjëherë këto komisione nuk kanë funksionuar nëpër komitetet e partisë. Karakushi thotë gjithashtu se Vehbi Oketa, xhaxhai i deputetit Gazmend Oketa, nuk ka qenë asnjëherë kryetari i një komisioni të tillë.

Z. Karakushi si ju duk debati i kryetares së parlamentit Topalli me deputetin Oketa?
E ndoqa në emisionet informative televizive dhe jam i mendimit se Topalli bëri politikë teksa akuzoi xhaxhanë e Oketës si kryetar të komisionit të dëbim-internimeve.

-Çfarë detyre ka kryer Vehbi Oketa në atë kohë?
Vehbiu për disa vjet ka qenë vartësi im. Ai ishte instruktor në komitetin e partisë dhe mbulonte sektorin e arsimit së bashku me dy shokë të tjerë.

-Çfarë detyre kishte kryer më parë ai?
Përpara se të vinte në komitetin e partisë, Vehbiu kishte punuar në arsim. Te ne erdhi pasi kishte kryer detyrën e drejtorit të shkollës së mesme të fizkulturës. Në komitet punoi pak vite dhe më pas kërkoi të largohej dhe shkoi në flotën tregtare. Me komisionin e dëbim-internimeve ai nuk ka pasur asnjë lidhje.

-Po komisionet e dëbim-internimeve si funksiononin?
Ato krijoheshin nga dega e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me këshillat e lagjeve dhe kurrë nuk kanë funksionuar në komitetet e partisë. Kjo për faktin se partia nuk binte nën diktatin e sigurimit të shtetit. Për këtë kishte edhe një platformë të hartuar nga KQPPSH. Ne si parti vetëm thërrisnim ndonjë element me prirje të rrezikshme për atë kohë dhe e këshillonim. Ndoshta ndonjë dokument i tillë këshillimi ka rënë në duart e Jozefinës dhe kjo më pas e ka përdorur për të bërë politikën e ditës.

(Intervista u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com)
(eç/shqiptarja.com)