TIRANE- Plot 80 ish të përndjekur që nuk kanë marrë asnjëherë dëmshpërblim për vitet e burgut përfituan dje këstin e parë. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj deklaroi se nga ky proces fillimisht do të përfitojë ajo kategori që nuk ka marrë asnjëherë dëmshpërblim. “Duket se ne kemi marrë vendimin e drejtë, të marrin diçka ata që për 23 vjet nuk kanë marrë asnjë gjë dhe kanë mbajtur frymën gjallë pa asnjë qindarkë nga shteti.

Dhe më pas të marrin këstin e tretë dhe të katërt ata që kanë marrë diçka deri më sot”, ka deklaruar Veliaj. Ndërkohë ky i fundit ka sqaruar edhe një herë ndryshimin që do pësojë ligji duke theksuar se përparësi u jepet ish të burgosurve politikë që janë gjallë dhe trashëgimtarëve të radhës së parë, që janë në moshë të mitur në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Në grupin e përfituesve që trajtohen me përparësi përfshihen ish të dënuarat politike gra, ish të dënuarit politik me moshë mbi 75 vjeç, ish të dënuar që vuajnë nga sëmundje të rënda, ish të dënuar të cilët pavarësisht moshës kanë pasardhës në moshë të mitur dhe të gjithë ata që janë gjallë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij projektligji.

Sa i përket grevës së urisë, ministri Veliaj përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij për negociata me ish të përndjekurit grevistë, ndërsa i cilësoi qesharake pretendimet e tyre. Duke u ndalur tek kryetari i grevës Fatmir Hoxha, ministri publikoi fakte sipas të cilave grevisti Hoxha, jo vetëm nuk ka bërë asnjë ditë burg, por për një kohë të shkurtër ka marrë të gjithë dëmshpërblimin. Fatmir Hoxha, që drejton këtë grevë, përveçse pranon që s’ka bërë asnjë ditë burg, ka marrë dy këste, kam edhe dokumentin e bankës, dhe i ka marrë menjëherë jo me 8 këste si të gjithë.

Pse? Sepse ishte pjesë e pushtetit. Hoxha jo vetëm që ka marrë pronat me emrin e të përndjekurve, jo vetëm që është denoncuar në gjykatë dhe është shkarkuar, por ka procedim penal për vjedhje të pronave të gjakut të të përndjekurve. Si mund të jetë ky njeri në grevë urie”, tha Veliaj. Por, 17 ish-të përndjekur politikë, të cilët prej tre ditësh ndodhen në grevë urie, deklarojnë se kërkesat e tyre nuk lidhen vetëm me dëmshpërblimin, por edhe me disa kërkesa politike. Kryetari i grevës, Fatmir Hoxha thotë kërkesat kryesore lidhen me hapjen e dosjeve, dënimin e figurës së Enver Hoxhës dhe dëmshpërblimin brenda dy viteve të të gjithë ish-të përndjekurve politikë.
 
Buxheti
Projektligji parashikon që çdo fond vjetor ndahet në 70% për dëmshpërblimin e personave që janë në kategorinë prioritare dhe 30% për të dëmshpërblyer trashëgimtarët e ish të dënuarve politikë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)