Në kuadër të kësaj ngjarje u organizua dhe një veprimtari përkujtimore ku merrnin pjese dhe përfaqësues lokal dhe të komuniteteve fetare.
Ish të burgosurit tregojnë torturat dhe vuajtjet që kanë kaluar në këtë vend, teksa thonë se edhe sot pas 26 vitesh demokraci nuk ndjehen aspak të vlerësuar nga shteti Shqiptar.
Me 21 maj të vitit 1973 të burgosurit politik të Spaçit u ngritën në një revoltë antikomuniste, por që përfundoi me pushkatimin e disa prej tyre.
"Pas shumë vitesh edhe vetë nuk e besoj se çfarë vuajtjesh kemi hequr në atë kohë. Kam bërë 12 vite burg. Flinim 54 vetë në një dhomë, krevate ishin 3-katëshe."
"Kam qenë 20 vjeç, më rrihnin, më fusnin në birucë, tortura nga më çnjerëzoret."
"Këtu vetëm dhomat e gazit kanë munguar. Një Gestapo e vërtetë, një Aushvic i vërtetë. Një vend i larë me gjak, këtu duhet pëllëmbe e lapidarë, qeveritë na ka lënë pas dore, na kanë përdorur vetëm për fushatë", u shprehën ish të burgosurit.
Ishte folur shumë për kthimin e burgut në një vend të vizitueshëm për të parë peripecitë e atyre që kanë vuajtur në të, por deri tani gjithçka ka mbetur vetëm premtim dhe asgjë tjetër.
Burgu i Spaçit në Mirditë vazhdo të jetë një objekt gërmadhë. Ndryshe nga herët e tjera ku fjalët boshe janë thënë nga Tirana, këtë radhë kanë qenë disa premtime nga disa ish banorë të kësaj zone të cilët thonë se ky objekt do të jetë shumë shpejt një muze.
"Ne nuk do të heshtim, ne do bëjmë që këto vende të kujtohen. Që krimet e komunizmit jo vetëm të kujtohen por edhe të ndëshkohen. Shpirtrat e këtyre njerëzve këtu dhe qindra të tjerëve që janë të mbuluar në këto kodra e male nuk do të kenë paqe pa u ndëshkuar këto krime", tha Nebil Çika, Kryetar i Shoqatës të ish të përndjekurve politik.
"Jam këtu për të kujtuar revoltën e Spaçit dhe për t'i bërë thirrje qeverisë shqiptare që të kujdeset për kthimin në muze të këtij vendi me qëllim që të kujtohen të gjithë ata që kanë vuajtur në këtë vend", tha Zef Doçi, banor i zonës.
Ish burgu famëkeq i Spaçit në Mirditë do të mbahet mend gjatë në historinë e kombit tonë për vuajtjet që kanë përjetuar me qindra të dënuar të cilët edhe pse të burgosur për motive politike, guxuan në kulmin e diktaturës të shprehin bindjet e tyre për një Shqipëri të lirë.
[gallery]22386[/gallery]
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com
