Ish-truproja Marjan Gryka: Si u
vra Azemi kur denoncoi "naftën"

Ish-truproja Marjan Gryka: Si u<br />vra Azemi kur denoncoi
TIRANE- Ish-truproja e Azem Hajdarit e kryesues i shoqatës me të njejtin emër, Marjan Gryka, që nga ekzili politik i marrë vite më parë ku ndodhet familjarisht, në intervistën për gazetën “Shqiptarja.com” akuzon ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Berisha si fajtorin kryesor për gjithçka negative ka ndodhur në 22 vite në Shqipëri. Ai thotë se, teksa ishin gëzuar se më 22 mars 1992 kishte ardhur në pushtet PD, shpresa për demokraci, në të vërtetë kishin rënë në dorë të komunistit më të keq, që e katandisi Shqipërinë në një vend që bënte kontrabandë me Milosheviçin në mënyrë zyrtare, që eleminoi gjithë kundërshtarët brenda PD, ngriti piramidat mashtruese që vodhën kursimet e shqiptarëve, anëtarësoi vendin në Konferencën Islamike, vrau liderin e dhjetorit Azem Hajdari dhe po e tërheq zvarrë Shqipërinë për vite e vite me radhë. Sipas tij, Sali Berisha duhet të japë llogari me burg për të gjitha krimet e tij, e Rama këtë duhet të bëjë për të hyrë vendi në BE.
 
Zoti Gryka, plot 22 vite më parë, më 22 mars 1992 PD si e para parti opozitare pas 45 vitesh diktaturë e egër komuniste vjen në pushtet. Si e kujtoni atë kohë?
Kanë kaluar shumë vite kur ne të gjithë rrëzuam diktaturën më të egër në Europë, dhe PD që ishte partia e ëndrrave tona, e cila u themelua nga Azem Hajdari, erdhi në pushtet! Kjo kohë ka çaste të paimagjinueshme gëzimi, sepse menduam se ishim të lirë dhe se Shqipëria do të bëhej si e gjithë Europa! Pasi të parët tanë u dergjën burgjeve, internimeve dhe u vranë barbarisht nga kjo diktaturë dhe bindja se erdhi liria ishte shumë e madhe! Por siç ishin atëherë çaste, ditë e muaj të paimagjinueshme gëzimi, ja ku jemi sot pas shumë vitesh me çaste të paimagjinueshme hidhërimi.
 
Për t’u habitur që në qeverinë e parë postkomuniste, Azem Hajdari lideri i dhjetorit, njeriu që shembi komunizmin, nuk figuronte si ministër. Pse u bë një mënjanim i tillë nga ana e Berishës?
Në qeverinë e parë postkomuniste, u vendosën të gjithë ish-komunistët, përveç Azem Hajdarit, i cili e themeloi këtë Parti dhe e lau me gjak bashkë me shokët e tij, nuk u inkuadrua. Dhe posti i Presidentit të Republikës u mor nga vetë Sali Berisha! Që nga ky moment, ky president bëri dy levizje të shpejta kundër demokracisë, sepse fakti që ishte një ish-komunist, kishte sjellë ndërrimin e vetëm, kostumin por jo zullumin! Ai futi Shqipërinë në Asamblenë ndërkombëtare të vendeve Islamike dhe krijoi me shpejtësi firmën “Shqiponja”!

Pra, nga një vend ish-komunist që i duhej me patjetër zhvillimi e rruga për në Europë, që në hapat e para me firmën e Presidentit të Republikës, Shqipëria niset drejt tritoleve dhe me pranimin e qeverisë shqiptare, hyjnë në vendin tonë me qindra shoqata islamike, gjoja bamirësie por që në krye të tyre ishin njerëzit e presidentit e njerëzit e Bin Laden! Ku kjo u konfirmua dhe më mirë që në moentin kur u goditen kullat binjake në SHBA.
 
Mund të jetë mospërfshirja e Hajdarit në qeveri, shkaku që PD humbi disa muaj më vonë zgjedhjet vendore përballë kryetarit socialist Fatos Nano?
Njerëzit më të kërkuar në botë që dolën në listën e shërbimeve sekrete amerikane, kishin jetuar në hotelet më të mira shqiptare si shefa dhe Presidentë Bamirësie, por në shërbim të Saliut dhe al Kaedës, pra, kjo ishte lëvizja e parë fatkeqe antishqiptare  e Saliut. Lëvizja e dytë e pabesë e këtij Presidenti, ishte krijimi i firmës “Shqiponja”. Për të kryer këtë shërbim ndaj Serbisë e kundër OKB e NATO-s dhe për të maskuar krimin e trafikut të armëve e kontrabandës së karburanteve, antishqiptari Sali Berisha, krijoi një firmë tregtare import-eksporti, të quajtur “Shqiponja-PD”, me pronare PD.

Thyerja e embargos së OKB, në harkun kohor të viteve ‘93-‘96, mes Shqipërisë e Malit të Zi, me bekimin e ish-presidentit Sali Berisha, ishte një moment i artë i cili nuk u shfrytëzua vetëm nga trafikantët tregtarë privatë në fushën e kontrabandës së karburanteve, por masivisht nga vetë PD, nëpërmjet firmës së saj tregtare “Shqiponja-PD”. PD kishte 100% të aksioneve të kësaj firme. Zyrtarisht, drejtor i Përgjithshëm i firmës trafikuese “Shqiponja-PD”, u emërua kreu i PD-së, Tritan Shehu. Administrator u emërua Genc Pollo. Kryetar bordi ishte Sali Berisha. Drejtor Ekonomik ishte Blerim Çela. Drejtor marketingu ishin Ali Spahia e Ali Kazazi.

Koordinator me tregun Serb për eksportin e karburanteve, armëve e municioneve ishte Pjetër Arbnori. Drejtues ushtarak i kësaj firme, që siguronte ecurinë e trafikut ishte Safet Zhulali. Drejtor finance ishte Genc Ruli. Drejtues i sigurisë rrugore të mjeteve që trafikonin, ishte Agim Shehu. Shef auditi ishte Ritvan Bode, njëherazi edhe ish-drejtor i Përgjithshëm i Doganave dhe më pas ministër i Financave. Ndërsa drejtor i Përgjithshëm i stafit të firmës “Shqiponja-PD” që kontrollonte dhe menaxhonte veprimtarinë e kësaj firme ishte shefi i SHIK, Bashkim Gazidede.
 
Po thoni se ishte kërkesë e Ish-Jugosllavisë ngritja e saj...?
Kjo firmë u ngrit dhe nisi aktivitetin me urgjencë, pikërisht në momentin kur Serbia u izolua nga SHBA, OKB e NATO, për shkak të krimit njerëzor e gjenocidit masiv, që nisi dhe po vazhdonte kundër popujve federativë që përbënin ish-Jugosllavinë. Firma “Shqiponja”, me rritjen e kërkesës për naftë në tregun shqiptar, duke qenë se sasia dërrmuese e saj shitej kontrabandë në Mal të Zi, drejtuesit më të lartë të 1993-shit, vendosën të themelojnë firmën “Shqiponja”, që fillimisht, sipas akt-themelimit kishte si objekt vetëm eksportin e naftës drejt ish-Jugosllavisë, me afat nisje vitin 1993, për një periudhë mbi 10 vjet. Por që aktiviteti i saj u ndërpre në dhjetor 1996, për shkak të rënies së PD-së nga pushteti i piramidave. Në vitet 1993-1996, autobotet me naftë, mazut, benzol, benzinë e vajgur special për avionët, ose ndryshe me “kerazinë”, vinin çdo javë në “karvanë” prej 17-18 automjete në naftë.

Ato ngarkoheshin në Greqi e pasi ndërronin dokumentet dhe mjetet në Bullgari, nëpërmjet Maqedonisë futeshin në Qafë-Thanë, bënin “një xhiro hyrje-daljeje formale në Shqipëri me dokumente false dhe shkonin drejt Serbisë. Kjo “linjë” bëhej prej 3 vitesh, pa pushim asnjë ditë. Këto autobote, kishin drejtues bullgarë, grekë, malazezë, kosovarë, maqedonas por që komunikonin saktësisht në gjuhën e doganës tonë. Por ata, për garanci komunikimi, në çdo mjet e në çdo rrugë qarkullimi, shoqëroheshin nga shqiptarë, të cilët në fakt ishin oficerë të SHIK, të autorizuar me leje speciale prej qeverisë shqiptare, policisë shqiptare dhe sidomos me “autorizim special” të firmosur nga kryeshikasi Bashkim Gazidede.

Mirëpo Azem Hajdari nuk mund t’i pranonte kurrë këto pabesi të ish-kupolës komuniste e doli hapur dhe denoncoi gjithë këta mafiozë që morën demokracinë peng! Saliu jo vetëm që e shpalli armik Azemin për këtë denoncim publik mediatik që u përshëndet nga SHBA etj, por me SHIK të Gazidedes Berisha përgatiti në media, pyetje kundrejt Azemit si e si për ta goditur dhe për t’i ulur figurën liderit dhjetorit që siç po shihej lufta kundër komunizmit duhej vazhduar! Azemi iu përgjigj një për një pyetjeve, duke hedhur me fakte poshtë akuzat.
 
Analistë të ndryshëm thonë që Berisha doli nga “binarët” pas humbjes së referendumit për Kushtetutën më ‘94. Mendoni se ai është përgjegjës dhe për Piramidat mashtruese dhe tragjedinë e marsit të vitit 1997, vetëm e vetëm që të mbajë pushtetin?
E vërteta është se çdo firmë piramidale në Shqipëri është lejuar nga vetë Berisha dhe se çdo firmë e tillë është denoncuar nga vetë Azemi. Pra, pavarësisht nga pamja e jashtme, Azemi dhe Berisha kanë qenë në përplasje gjatë gjithë kohës. Prandaj kjo mafie komuniste e mirëorganizuar nuk e lejoi Azemin të merrte asnjë post në ministritë përkatëse, por dhe duhej të vritej me domosdo, sepse nuk e përballonin dot, dhe siç e kam shkruar dhe më parë dhe në vrasjen e Hajdarit janë të implikuar jo rastësisht figurat më të larta të PD-së, të lidhur me “Shqiponjën”.
 
Ish-kryeministri Berisha e ka pasur gjithnjë problem vendlindjen e tij, vizitat në Tropojë e për më tepër i rëndojnë shumë akuzat për shumë vrasje. Cili mendoni se është shkaku i kësaj fobie të Berishës ndaj vendlindjes së tij?
Sali Berisha i ka borxh të gjithë shqiptarëve demokracinë, i ka borxh Tropojës 200 djem të vrarë, vetëm për skenarët kriminalë të organizuara nga vetë Saliu! I ka borxh demokracisë Bujar Kaloshin, Abdyl Matoshin, Arben Brocin, Remzi Hoxhën, Gramoz Pashkon! Dhe i ka borxh atë që ne shqiptarët nuk ia falim kurrë, Azem Hajdarin. Deri dje si një mashtrues publikonte veten duke thënë se e shikoj Azemin dhe flas me të! Por unë desha ta pyes Saliun: -Po me Olldashin a ‘flet’ e çfarë i thua? Kush mendon ti se e ka radhën pas tij? Po të përgjigjemi ne Shoqata Azem Hajdari se pas tij duhet ta keni radhën ju për në Hagë, për qindra krime e implikime të tuat në trafik dhe vrasje, jemi të bindur më shumë se kurrë se mosarrestimi juaj është rrëzimi i shpejtë i së majtës. Paftësia e Ramës dhe frika e tij ndaj fortesave të tua ka shpallur luftën President-Qeveri.

Kjo tregon se vendi është në vitet ‘90, sepse ju Sali “Penicilina” jeni sot përsëri president, jeni kryetar i SHISH, jeni kryeprokuror, je kryetar i partisë së ushtarakëve, se Lulin e mbajnë vetë kujtimet e tradhëtitë e UÇK  se parti s’ka!. Po Rama çfarë është! Pra ju dorëzuat pushtetin por jo shtetin, e sot përdorni çdo gjë për të destabilizuar vendin por ti nuk je i zoti të destabilizosh asgjë më në këtë vend, pasi ti Sali kërcënon, vret e shpif pas krahëve, vetëm leh sepse ti nuk e përfaqëson dot më të djathtën.
 
...ai është pjesë e rëndësishme e grupit të PD...?
Sali Berisha, ti sot ke bërë gati përjashtimin e radhës të Mesila Dodës, sepse pasi i kërcënon, i përjashton e i vret. I themi sot zonjës Doda se ke përballë një komunist tip ‘Putin’ që të vret, por mos u ndal, mos e fal gjakun e Sokolit sepse ne të gjithe do bashkohemi për PD tonë, PD e Azemit, dhe do jemi krah për krah për ta rrëzuar këtë mafie politike. Sali, gjithë këto ditë ke vënë SHISH kundër meje duke shpifur për mua e shoqatën tonë, bashkë me SHISH ke vënë në lëvizje dhe ata që dolën dëshmitarë në gjyqin e Azemit e gënjyen siç u the ti dhe u paguan mirë nga firmat e ndërtimit që ka djali yt dhe po t’i kujtoj pak ata që kërcënojnë sot.

Besoj të kujtohet kafe “Barcelona” përballë Gardës, ku aty grupet po organizoheshin me makina, po ndërronin targat dhe po mbushnin armët drejt teje e jo Azemit! Sepse Azemi nuk ishte në Tiranë, pra tek kafe ‘Barcelona’ ndodheshin vrasësit dhe pastaj nga vrasës dolën dëshmitarë në gjyq, ku dolën pa u lagur bashkë me ty, dhe në keto momente përballe zyrave të tua, kishte lokalin tropojani që jeton në Shijak aksioner edhe tek tragetet me nipin tënd ku j’u thonte ju në telefon ta sjellim Azemin se ata janë nisur për te ti, dhe personin në fjalë e njeh mirë dhe Shehu, sepse kur ndodhi ’97-ta, Shehu tek lokali i këtij dërgonte për të ngrënë grupet vullnetare të ardhura në ndihmë të Saliut!

Pra, sot ti nuk je çakërdisur vetëm vetë por ke bashkuar SHISH me njerëz të implikuar në vrasje, sikurse je dhe ti vetë, për të na kërcënuar e shpifur siç bërë dhe me Azemin. Por ti po vallëzon se Rama nuk i mbajti dot premtimet dhe po trembet se s’ka si të jetë ndryshe, kur zbardhjen e 21 Janarit dhe arrestimin tënd ia kërkon dhe vetë BE, ndërsa ne të rithemi vetëm për 1 orë ta kishte Shoqata ‘Azem Hajdari’ Ministrinë e Brendshme, jo prangat ty dhe shumë të tjerëve s’do ju mungonin, por shumë vrasje do zbardheshin, ku shumë politikanë janë të implikuar. Por lufta jonë nuk ndalet, ti kurrë nuk na frikëson, çdo ditë forcohemi dhe më shumë.
 
Mendoni se po të kishte qënë Azem Hajdari gjallë Sali Berisha do të ishte në krye të PD dhe për më tepër PD do ishte katandisur të vijë në pushtet me pak vota e të qeverisë madje dhe me të majtët, si në rastin e LSI? Çfarë bëri keq Berisha në tetë vite qeverisje dhe pse s’arriti të zbardhë vrasjet e Arben Brocit në qeverisjen e parë dhe të Azem Hajdarit në qeverisjen e dytë, sikurse dhe kishte premtuar?
Sali, ti e di mirë se po të ishte gjallë Azemi as pensionin nuk do mundje ta gëzoje e suita dhe lakejt e tu do ishin para drejtësisë bashkë me ty. Pse nuk ke burrërinë t’ju thuash shqiptarëve pse nuk e rihape çështjen ‘Hajdari’ për 8 vite në pushtet pse, dil tregoju! Nuk ke çfarë ju thua se ti je organizatori i vrasjes së shekullit. Pse për 8 vite qeverisje nuk pate kurajo të rihapje çështjen e 2 Prillit në Shkoder? Sepse edhe këtu je i implikuar sepse Arben Broci të duhej i vrarë, jo kryetar Parlamenti në vend të Pjetrit.

“Shqiponja” ju bashkoi! Çdokush mund ta lexojë dosjen “Pinicilina” të publikuar nga Shoqata ‘Azem Hajdari’ ku vrasësit e Arben Brocit janë me emra, ku sot në Shkodër këta vrasës janë krahu i ‘Dezinjatores’ Jozefina Topalli. Sali Berisha, këto vite jo vetëm që po mbaronte misionin për shkatërrimin e demokracisë, por ai si një i pabesë i dënoi sakrificat e mëdha që bënë të djathtët e bashkë me familjen e tij u mbështetën në kamalecin e LSI-së, sepse ky njeri nuk la gjë pa bërë derisa sot partinë e bëri familje! Përveç pasurive të grabitura, përveç vrasjeve politike të pëlqyera nga vetë ky, frika nuk e la asnjë ditë të qetë, aq sa ka arritur të blejë mbi 23 antiplumbe dhe këmishë antiplumbe.
 
Mendoni se Basha, nën hijen e Berishës është në gjendje të përballojë dyshen Rama-Meta dhe ta sjellë të djathtën në pushtet?
Sot të gjithë e shohin badigardin e krimit Basha se si e shoqëron komunistin 20 vite në krye të PD-së, si e vetmja parti në BE e përlyer në qindra vrasje dhe e larë me gjak. Lulzim Basha e di mirë se tani dhe kryetar Bashkie nuk mund të jete më, pasi Saliu e mbushi me militantë dhe suitën e tij e Lulin nuk e pyet askush, e jo më që s’ka egzistuar kurrë të përfaqësojë PD-në!..
 
Kroacia dënoi me 9 vite ish-kryeministrin e vet Sanader për korrupsion dhe u anëtarësua në BE. Mendoni se Shqipëria duhet të bëjë të njejtën gjë për të hapur negociatat me BE?
Sot duam t’i drejtohemi dhe njëherë Edi Ramës, duke i thënë se po qe se Shqipëria nuk e merr Statusin Kandidat dhe nuk hyn në BE, atëherë ju jeni thjeshtë një Sali më tepër, sepse tani dihet, për të hyrë në BE duhet sa më shpejt të bëhet arrestimi i zyrtarëve të lartë me në krye Sali Berishën.

Shkrimi u publikua sot (22.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja