Veshja e Kryeministrit Edi Rama kthehet herë pas here në qendër të vëmendjes së publikut dhe politikës. Nga atletet dhe çitjanet, tashmë në shenjëstër janë vënë disa kravata që mbajnë firmën e Ramës.

Pak ditë pasi disa foto u shpërndanë në rrjetet sociale, ish-kryeministri Sali Berisha, publikoi në Facebook, mesazhin e një qytetari dixhital i cili thoshte se çmimi i kravatave të Ramës ishte 1000 euro dhe se ato iu shiteshin me detyrim deputetëve socialistë dhe drejtorëve të zgjedhur.

Por si qëndron e vërteta?

Është ish-deputetja e Berishës, Lajla Përnaska që hedh dritë mbi këtë histori dhe hedh poshtë versionin e treguar nga Berisha.

Këto kravata janë prodhuar në biznesin e saj, dhe në një prononcim për InTv, Përnaska thotë se këto kravata nuk janë në shitje, por për ekspozim, dhe se janë prodhuar për shkak të tërheqjes së modelistëve nga kombinimi i ngjyrave të Ramës.

Modelistët tanë kanë pasur një atraksion nga kombinimi i ngjyrave të zotit Rama dhe fakti që mbasi janë aplikuar dhe integruar në modelin 3D, kanë dalë produkte vërtet shumë interesante. Kjo tregon se kombinimi i ngjyrash është i duhuri për të nxjerrë një produkt 3D. Ka dalë një gjë shumë interesante dhe e veçantë , por që dua të theksoj se nuk janë në shitje, por vetëm të ekspozuara. Nuk bëhet fjalë për ndonjë marrëveshje shitjeje deri në këto moment që flasim.

Lajla Përnaska, ish-deputete e Partisë Demokratike