Tre persona janë arrestuar pasi akuzohen se kanë vjedhur disa banesa dhe biznese në qytetin e Korçës në periudha të ndryshme. Në pranga kanë rënë O. K., 43 vjeç; M. Q., 42 vjeç dhe Xh. P., 37 vjeç, të tre banues në Korçë.
Ata u kapën pas vjedhjes së një tjetër banese ditën e djeshme, ku kishim marrë një televizor plazma, dy tableta dhe disa bizhuteri floriri.
Pas arrestimit policia arriti të dokumentojë edhe vjedhjen e një banese tjetër, një lokali dhe një dyqani nga 3 të arrestuarit, ngjarje të ndodhura në gusht dhe tetor të 2021. Konkretisht vjedhjet kanë ndodhur në lagjen nr.18 të Korçës, ku më 30 gusht 2021 kanë vjedhur në banesën e N. X., një televizor plazma dhe disa orendi bakri, ndërsa më datë 8 tetor 2021 kanë vjedhur në dyqanin e shtetasit E. K., një sasi lekësh dhe në lokalin e shtetasit Sh. I., një televizor plazma.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan një televizor plazma, dy celularë dhe një sasi lekësh.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale "Vjedhja", kryer në bashkëpunim.