Policia e Kukësit ka bërë me dije se është zbardhur vjedhje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Bardhoc.
Blutë e Kukësit sqarojnë se njëri prej autorëve të vjedhjes është vënë në pranga dhe bëhet fjalë për shtetasin K. J., 24 vjeç, banues në Kukës.
Ndërsa, bëhet me dije se është bërë shpallja në kërkim edhe i autorit tjetër të dyshuar 21-vjeçarit me iniciale, A. K.
Dy personat në fjalë, sqaron policia, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se gjatë orëve të para të datës 23.09.2019, në fshatin Bardhoc, kanë vjedhur një sasi lekësh, në lokalin e shtetasit Rr. D.
Pas hetimeve të mëtejshme, janë zbuluar edhe disa vjedhje të ndodhur po në këtë fshat dhe të kryera po nga dy autorët e identifikuar nga policia.
“Më datë 01.06.2019, në fshatin Bardhoc kanë vjedhur karburantin e një shtetasi, ku kanë marrë një sasi lekësh. Më datë 05.09.2019, në fshatin Bardhoc kanë vjedhur lokalin e një shtetasi, ku kanë marrë një sasi lekësh dhe disa steka cigareje.”, -thuhet në njoftimin e policisë.