TIRANË - Pas shumë ditëve me akuza dhe sulme, zgjedhjet e Federatës Shqiptare të Atletikës për presidentin e ri janë shtyrë. Në garë ishte kampioni Izmir Smajlaj, ndërsa pati akuza nga Luiza Gega dhe Taulant Stërmasi (presidenti në detyrë), se nuk u lejuan të kandidonin.
Ka qenë Ministria e Arsimit dhe Sportit që ka ulur palët në tryezë pak ditë më parë dhe është vendosur që para zgjedhjeve të përmirësohet statuti. Veç presidentit, në këto zgjedhje që ishin parashikuar për sot (4 dhjetor) do zgjidheshin edhe Komiteti Ekzekutiv dhe Sekretari i Përgjithshëm.
Situata aktuale dhe e ardhmja
Izmir Smajlaj ishte i gatshëm të zhvillonte një Asamble konform legjislacionit shqiptar të ndryshuar në vitin 2020, me pjesëmarrjen e shoqatave në këtë Asamble zgjedhore, pasi klubet duhen shndërruar në shoqata në bazë të këtij ligji dhe jo më klube sportive nën ombrellën e pushteteve lokale.
Ndërkohë, nga ana tjetër ky ndryshim i statusit në momentin e fundit të 7 shoqatave që rrjedhimisht do të ishin pjesëmarrëse në këtë Asamble, solli përjashtimin automatikisht të Taulant Stërmasit nga kandidimi për president dhe Luiza Gegën nga kandimi për anëtare të Komiteti Ekzekutiv, të dy këta të fundit të propozuar nga klube që kanë qenë pjesëmarrëse në asamblenë e fundit e vitit 2022.
Ky ngërç ligjor dhe përplasje pretendimesh me sa duket nuk mund të merrte një zgjidhje të menjëhershme dhe si rrjedhojë, për të qenë të gjithë të barabartë dhe pjesëmarrës në këtë proçes zgjedhor, u vendos nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Atletikës që të merret kohë, duke filluar nga përditësimi i statutit të kësaj federate, i cili ende nuk ka qenë i miratuar as nga Ministria dhe as i regjistruar në gjykatë, pasi duhej përshtatur me ligjin e ri për sportin të vitit 2020.
Kështu statuti i përditësuar do t’i dërgohet Ministrisë së Sportit, e cila do të ketë 60 ditë kohë për ta konsultuar dhe miratuar dhe më pas me miratimin e tij dhe regjistrimin në gjykatë, do të përcaktohet data e re e zgjedhjeve, ku sërish kandidatët do të jenë të njëjtë, Izmir Smajlaj përballë Taulant Stërmasit, nëse ky i fundit do të arrijë të sigurojë një shoqatë për ta propozuar si kandidaturë.