Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, është vënë nën hetim nga SPAK në lidhje me sulmin kibernetik të ndodhur në muajin mars ndaj Prokurorisë së Posaçme. Ismaili u paraqit sot në SPAK, ku qëndroi për më shumë se një orë. Ai u mor në pyetje, por pas daljes nuk foli për mediat.

Burimet nga SPAK bëjnë me dije për Report TV se ai u mor në pyetje në pyetje në praninë e një avokati pasi ndaj tij po zhvillohen hetimet për 3 vepra penale: "Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike", "grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal".  

Sulmi kibernetik ndaj SPAK ndodhi më 12 mars, por u zbulua disa ditë më vonë. Deri më tani, për këtë ngjarje janë arrestuar ish-punonjësi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Arnold Rrokaj, dhe ish-zyrtari i burgut të Vlorës, Zambak Gjonaj.

Sipas SPAK, hakerët tentuan të merrnin informacion nga kompjuterët e tre prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, por sipas Prokurorisë, nuk arritën të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT-së.

Të arrestuarit më pas i kanë shpërndarë të dhënat e marra te persona të tjerë, mes të cilëve dyshohet se janë dy gazetarë, ish-kreu i Burgjeve Agim Ismaili, si dhe Dritan Palikaj, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë së Posaçme, hakerët tentuan të ndërhyjnë edhe në emailin e drejtuesit Altin Dumani, por nuk patën sukses falë masave të forta të sigurisë.