Ish-kryebashkiakja e Gjirokastrës Zamira Rami, e cila ka drejtuar bashkinë e këtij qyteti, si përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga 2015-2019, po hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Dosja ndaj Ramit, mësohet të ketë mbërritur në tavolinën e prokurorëve të SPAK-ut,nga kolegët e tyre të prokurorisë së Gjirokastrës, të cilës kanë shpallur moskopetencën juridike dhe këtë çështje, ia kanë referuar për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme në Tiranë.

Zamira Rami, për disa vite ka drejtuar bashkinë e Gjirokastrës, dhe në këto kushte sipas argumentimit të prokurorëve ajo përmbush kriteret e funksionarit të lartë shtetëror, gjë e cila ka sjellë transferimin e dosjes nga Gjirokastra në Tiranë. Zamira Rami, është kallëzuar nga dy qytetarë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi me vendim të ish-kryebashkiakes Rami, janë prishur disa objekte private. Rrëzimi i këtyre objekteve është kryer, pa marrë një vendim shpronësimi për këto pasuri. Sot e kësaj dite, nga ana e bashkisë Gjirokastër, objektet e prishura nuk janë shpronësuar nga buxheti i bashkisë.

Pronarët e këtyre objekteve, i janë drejtuar prokurorisë me një kallëzim penal dhe pas nisjes së hetimeve, Rami është marrë e pandehur dhe dërguar në gjykatën e Gjirokastrës për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Por gjatë seancës paraprake, gjykata e Gjirokastrës ka vendosur të kthejë çështjen penale ndaj Zamira Ramit për rihetim, duke i lënë prokurorisë disa detyra për të kryer. Por prej gati një jave, prokuroria e Gjirokastrës ka shpallur moskopetencën dhe çështjen penale ndaj ish-kryebashkiakes Rami, ia ka kaluar për kompetencë dhe hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme në Tiranë.