Analisti Azgan Haklaj thotë se ish-krerët e UÇK-së kanë sakrifikuar gjithçka për lirinë e popullit të Kosovës.
Në një intervistë për "Studio Live" me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Haklaj u shpreh se Serbia, me Rusinë dhe vendet që i mbështesin, duan dënimin e tyre për të dënuar vetë shtetin e Kosovës.
“Kemi dy ditë të rëndësishme, 17 shkurti që ishte dita e djeshme, shpallja e Pavarësisë dhe ata që shpallën pavarësinë ndodheshin në Hagë. Kemi dhe ditën e sotme, që katërshja e UÇK-së ka bërë deklaratat e fundit, ndihen të paepur, krenarë, sepse gjithçka që kanë bërë, e kanë bërë në emër të atdheut. Ata deklaruan se sakrifikuan gjithçka për liri. Pasi nuk arriti dot t’i ekzekutonte Millosheviçi dhe banda e tij, makineria ushtarake, tani miqtë e tyre, Rusia dhe të tjerë që e mbështesin, po përiqen t’i dënojnë, me qëllim që të dënojnë historinë, që të zhbëjnë shtetin. Qëllimi është që të dënojë dhe shtetin e Kosovës, prandaj reagimi ka qenë gjithë kombëtar. Makineria ushtarake e Sllobodan Millosheviçi ka kryer krime. Ky është gjenocid dhe nuk kanë mbajtur përgjegjësi. Kriminelët e luftës, Xhuriçiçi dhe Drasha Mihalloviçi janë aminstruar. Mihalloviçi ka shtatore në Beograd.", theksoi ai.
Haklaj deklaroi se Europa është duke heshtur dhe shtoi se gjatë luftës, nënat e Kosovës i kanë përcjellë djemtë me betimin spartan, ose hajde me flamur në dorë, ose i mbështjellë me flamur.
"Ky është gabim i rëndë që po bën Europa. Europa po hesht. Makineria ushtarake e Sllobodan Millosheviçit ka bërë masakrat më çnjerëzore, 100 masakra. Ata janë të pafajshëm. Kurthi është ky, të fajësojnë historinë tonë të lavdishme, në interes të Serbisë. Ta quajnë shtet të rremë, shtetin e Kosovës. UÇK është epopja më e lavdishme, më e ndritur, pas epokës së Gjergj Kastroit Skënderbeut dhe Lidhjes Shqiptare së Prizrenit. Heroizimi i UÇK-së është si në kohën e spartanëve. Nënat e Kosovës i kanë përcjellë djemtë me betimin spartan, ose hajde me flamur në dorë, ose i mbështjellë me flamur", tha Haklaj.
Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte e drejtë.
"Në Koshare janë bërë betejat më legjendare. Aty ka qenë betejë me ushtritë sllave, jo me me Serbinë. Me mercenarë bjellorusë, rusë, ukrainas, serbë. Një vajzë i shkruante letër të dashurit të saj, që ishte ushtar i Serbisë, sllav. I dashuri im, kthehuni, ju po bëni luftë të padrejtë. Është letër që i është gjetur në Koshare një të vrari. Ai i kthente përgjigje, që unë e di, por nuk iki dot se më vrasin këta që më kanë marrë peng. UÇK ka bërë luftë të drejtë, ka bërë luftë mbrojtëse. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë heroike mbrojtëse", u shpreh analisti.
Ndër të tjera, Haklaj nënvizoi se serbët kërkojnë të njollosin UÇK-në, por kjo është e pamundur.
"Pasi ata e humbën luftën, vijuan me memorandumet e vjetra, duke mos e pranuar çlirimin e Kosovës në 1999, pavarësinë në 2008. Nëse do ishte gjallë Adem Jashari, do ishte dhe ai nën akuzën. Dhjetëra pjesëtarë të familjes së Adem Jasharit janë masakruar në mënyrë barbare, kush ka mbajtur përgjegjësi?
Ata, pasi e kanë humbur luftën, duan që me miqtë që u kanë mbetur, të njollosin UÇK-në. Kjo është e pamundur. Është moment historik. Gjykatësit kanë 90 ditë kohë, për të dhënë vendimin. Kanë mundësi ta shtyjnë edhe 2 muaj të tjerë, por për 5 muaj vendimi do të jepet. Jam i bindur se do të jetë vendim historik, duke i çliruar nga akuzat, sepse janë akuza pa bazë, me thashetheme të mbledhura, dhe janë aktakuza me qëllim të caktuar, për të goditur rëndë kombin shqiptar. Europa hesht sepse është përgjegjëse. Ne kemi vetëm një mbështetje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi një mbështetje", përfundoi Haklaj.
Komente










