Ish-ministri: Përgjigja e fortë e SHBA ndaj akuzave të Bashkim Gazidedes

Ish-ministri: Përgjigja e fortë e SHBA ndaj akuzave të Bashkim Gazidedes

Sali Berisha

Në Librin e tij “Nga gjakosja e Shkodrës (pranverë 1991) tek pergjakja e Shqipërisë  (pranverë 1997)”, ish-ministri i Mbrojtjes, Shaqir Vukaj flet edhe për përplasjen e Sali Berishës me SHBA, duke nxjerrë në publik ish-shefin e SHIK Bashkim Gazidede....

(Vijon nga numrat e kaluar)

Përgjigje e SHBA ndaj akuzave të “Gjeneral” Gazidedes dhe qeverisë së PD-së. OSBE mbështet dërgimin e një force ushtarake në Shqipëri.

E enjte, 27 mars

Duke parë rrezikun që paraqet për qytetin e Beratit dhe pamundësinë tani për tani, për të lëvizur lëndët eksplozive që ndodhen në depot pranë qytetit, urdhërova komandantin e Divizionit Tiranë, që në ato depo të organizohet shërbim roje pa ndërprerje, gjatë 24 orëve me oficerë e nënoficerë. 

Sot në Kryeministri zhvilluam një takim me kryetarët e bashkive të disa rretheve. Disa prej kryetarëve, si ai i Vlorës e ndonjë tjetër kërkonin me insistim që qeveria të njihte e të mbante lidhje vetëm me pushtetin lokal. Vërtet ne si qeveri kishim marrë kontakte e madje kishim pritur përfaqësues të organizmave të disa qyteteve, që i kishin vënë vetes emra nga më të ndryshëm si Komitete Shpëtimi, Përfaqësi Qytetare, Komitete të Mbrojtjes Qytetare etj. por në të gjitha rastet, ne u kërkonim këtyre Komiteteve që të punonin së bashku me pushtetin lokal dhe çdo veprim ta bashkërendonin më të. Por problemi ishte më i thellë. Së pari, në disa qytete e rrethe, pushteti lokal nuk ishte në krye të situatës për zgjidhjen e problemeve, e ç’është më e keqja, në disa vende pushtetarët lokalë duke filluar nga kryetarët ishin zhdukur. 

Të gjitha diskutimet u përmblodhën në vendosjen e rendit. Madje ministri i Brendshëm duke folur për punën e komisariateve dukej ose i papërgatitur ose atë e informonin keq vartësit e tij, madje si në disa raste të tjera, dukej sikur qëndronte formalisht në atë detyrë, sepse atë ministri e drejtonte dikush tjetër.

Në diskutimet tona, unë dhe Arben Malaj theksuam domosdoshmërinë e funksionimit të pushtetit lokal, por lamë të nënkuptohej se aty ku drejtuesit e tij nuk janë në krye të detyrës, ne do të konsultohemi dhe mbajmë lidhje edhe me këto Komitete, të cilët në shumicën dërrmuese të tyre përbëheshin nga përfaqësues të të gjitha partive, por në çdo rast duke bashkëpunuar me pushtetin lokal.

Sot prita një delegacion të Bashkimit Europian. Duke ditur qëllimin e vizitës së këtij delegacioni u përqendrova në punën që po bëhet për përmirësimin e situatës në vend, për grumbullimin e armëve, për riorganizimin e ushtrisë. U shpjegova se tanket dhe armatimi i rëndë janë në duart tona. U fola gjatë për masat që po marrim për pritjen e sigurimin e porteve dhe aeroporteve dhe rrugëve të komunikimit. i përsërita kërkesën tonë për ardhjen  e një force ushtarake ndërkombëtare.

Nga takimi, pyetjet dhe biseda krijova përshtypjen se ndërkombëtarët e kishin marrë seriozisht problemin e dërgimit të një force ushtarake si dhe të ndihmave për Shqipërinë. Sigurisht që eksperienca e hidhur në Ballkan (Bosnjë, Kroaci) dhe dëmi që u ishte shkaktuar Kombeve të Bashkuara, sillte vështirësi për të renë dakord se ç’farë duhej bërë dhe si duhej bërë. Nga një burim perëndimor marr vesh se kishte pas ndonjë propozim për të ndërhy NATO për të shpëtuar pushtetin e Sali Berishës, por Sekretari i Përgjithshëm Havier Solana kishte refuzuar në mënyrë kategorike.....  

Sot i dhashë BBC-së intervistën e mëposhtme:

Pyetje: Çfarë ndryshimesh ka ushtria këto ditë që nga krijimi i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar?

Përgjigje: Ashtu siç është thënë shumë herë një ndër strukturat që u godit me rëndë ishte ushtria. Pa hyrë në hollësi se përse ndodhi, si ndodhi, cilat ishin shkaqet, kush ishin organizatorët etj. gjë që me siguri do të bëhet në të ardhmen.

Kur ne filluam punën pothuajse gjithçka kish marrë fund. Shumica e depove, e magazinave, reparteve ushtarake ishin boshatisur, shumë oficerë e ushtarë ishin larguar.

Në këto kushte u mblodhëm dhe filluam punën, së pari për të marrë veten, pra për të inkurajuar këta njerëz si dhe për të përcaktuar pikat më të nxehta. Ditët e para kanë qenë të ngarkuara me një intensitet të jashtëzakonshëm ku u angazhuan mijëra njerëz, patriotë të vërtetë, ushtarakë e sidomos civilë, të cilët u organizuan dhe u vunë në roje të objekteve, duke shpëtuar vlera të jashtëzakonshme.

Kështu mund të deklaroj se tanket, mjetet e blinduara, aviacioni ushtarak, artileria e rëndë etj. janë në duart e ushtrisë. Krahas falënderimeve dhe mirënjohjes për këta patriotë, që qëndrojnë ditë e natë në mbrojtje të objekteve ushtarake, nëpërmjet radios tuaj u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të kenë kujdes, mos të tentojnë tu afrohen depove ushtarake, magazinave e tuneleve të ushtrisë, sepse pasojat mund të jenë të pallogaritshme, lëndët plasëse që ndodhen në to mund të hedhin në erë fshatra e qytete të tëra.

Pyetje: Si e gjykoni interesimin e veçantë që përfaqësuesit e diplomacisë kanë shprehur dhe angazhimin për të ndihmuar Shqipërinë dhe Ushtrinë Shqiptare?

Përgjigje: Interesimi i opinionit publik ndërkombëtar është i jashtëzakonshëm. Dhe kjo ka shpjegimet e veta. Në këtë kuadër, kuptohet që përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Shqipëri janë në lëvizje, në kërkim  të së vërtetës për të njohur e parë me sytë e tyre ato që ndodhën. Por edhe ne ,si Ministri e Mbrojtjes jemi përpjekur të mbajmë sa më shumë kontakte me ta dhe me përfaqësues të huaj që vijnë nga Europa dhe Amerika, për tu shpjeguar të vërtetën si dhe për të biseduar konkretisht për ndihmat që ne kërkojmë dhe presim të na vijnë.

Është pozitive që shumë shtete, pavarësisht nga ndihmat që ne i kemi kërkuar Bashkimit Europian, na janë shprehur për të na ndihmuar edhe në veçanti, gjej rastin të falënderoj italianët, grekët, turqit, francezët etj. që tashmë kanë filluar t’i konkretizojnë.

Pyetje: Angazhimi i ushtrisë për ndihmat që do i vijnë Shqipërisë?

Përgjigje: Siç jeni në dijeni, ne kemi kërkuar zyrtarisht dërgimin e një force ndërkombëtare ushtarake kryesisht në formën e një policie ushtarake, që së bashku me forcat tona të specializuara të marrin përsipër organizimin e punës për ndihmat që do i vijnë Shqipërisë, pra për ruajtjen e aeroporteve e porteve, për sigurimin e rrugëve të komunikimit e deri në magazinimin dhe shpërndarjen e këtyre ndihmave.

Pyetje: A mund të përcaktoni ndonjë afat kohor për riorganizimin e ushtrisë shqiptare?

Përgjigje: Siç thashë më lart, ne po punojmë intensivisht për organizimin e funksionimin e Ushtrisë Shqiptare si dhe për riorganizimin apo ndonjë reformë në ushtri. Ngjarjet e kohëve të fundit, krahas ngarkesave të tjera tepër të mëdha që kishin në zhvillimet e tyre treguan dhe të metat e dobësitë e ushtrisë tonë. Prandaj ne po punojmë intensivisht për ngritjen e një Ushtrie të vërtetë Kombëtare Shqiptare pa ngarkesa partiake (gjë që siç e dinë të gjithë edhe vitet e fundit ishin tepër të mëdha). Kjo ushtri, siç po e mendojmë ne, do të ngrihet mbi bazën e traditave luftarake të popullit tonë, mbi bazën e terrenit dhe pozicionit strategjik të Shqipërisë, mbi bazën e përvojës së organizmave ndërkombëtare, në radhë të parë të NATO-s si dhe mbi bazën e përvojës të vendeve të tjera të ngjashme me Shqipërinë.

Në këtë kuadër, do të kemi parasysh që ushtaraku i çfarëdo niveli qoftë, të jetë figurë e nderuar e kombit dhe të trajtohet në të gjitha planet, ekonomike, morale, sociale e shoqërore, ashtu siç i takon dhe duhet të jetë në të vërtetë”.

Seanca e djeshme e Kuvendit Popullor, ku raportoi Bashkim Gazidede dhe diskutuan disa deputetë, ku u bënë akuza edhe kundër SHBA-së për ato që po ndodhën në Shqipëri, nuk kaloi lehtë.  

Sot SHBA, nëpërmjet ambasadores Mariza Lino, i dha përgjigje  shumë të ashpër atyre politikanëve që e kanë çuar Shqipërinë në këtë situatë, sqaroi qëndrimin e SHBA ndaj zhvillimeve në Shqipëri etj. ku  ndërmjet tjerave tha:

“Ashtu siç kemi theksuar, qëllimet dhe objektivat tona në Shqipëri janë dhe kanë qenë të pastra. Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Ne duam të ndihmojmë në demokratizimin dhe implementimin e tregut të lirë këtu. Këto objektiva janë të qarta dhe lehtësisht të kuptueshme.

Kur ne kritikonim Qeverinë shqiptare më parë (për zgjedhjet e majit 1996), ne e kemi bërë këtë shumë hapur. Por kritikat ndaj Qeverisë shqiptare për çështjen në fjalë, disa menduan t’i lexojnë si një agjendë e fshehur tonën me qëllim shkatërrimin e Shqipërisë. Ata janë duke vepruar gabim dhe mendoj se çdo shqiptar i thjeshtë, që ka qenë në kontakt me programet tona e ka kuptuar këtë shumë më mirë se sa disa politikanë të papërgjegjshëm, të cilët duan që të ndezin situatën për qëllimet e tyre politike.

Unë do të vazhdoj të bëj thirrje për të ndaluar dhunën. Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të mbështesë Qeverinë e Pajtimit Kombëtar”.

Më qartë e më shqip nuk mund të thuhet.

Çdo ditë marr letra nga qytetarë të thjeshtë, nga ushtarakë të dalë në lirim padrejtësisht, ushtarakë në pension, miq e shokë dhe kryesorja nga ushtarakë efektivë. Ndërmjet tjerave, ka letra për probleme personale ku kërkojnë të drejtat e tyre, por shumica e tyre shprehin atdhedashurinë e patriotizmin e këtyre njerëzve. Kishte prej atyre që më informonin me hollësi për ngjarje të ndryshme, për ato që kishin ndodhur para 12 marsit, për planet e për sulmin kundër Jugut, urdhrat që ishin dhënë, madje të dokumentuara me hollësi me numra e data, për telegramet e urdhrat me gojë, kush i kishte dhënë e shumë probleme të kësaj natyre, që nuk më ishin raportuar në rrugë zyrtare. Disa  prej tyre i kisha lexuar dhe kisha dhënë urdhër të prerë, që të ato të ruheshin me sekretin më të madh, sepse është koha e pajtimit.

Kishte dhe letra që sillnin humor në ato ditë tepër të vështira. Pa përmendur emrin, do të kujtoj një letër nga një ish ushtarak, që më kërkonte që ta emëroja Atashe Ushtarak në Moskë, sepse sipas tij e njihte mirë Rusinë, se kishte studiuar atje e se vitet e fundit kishte shkuar shumë herë për tregti. Kur e lexova sesi mu kujtua ajo shprehja  “Fshati digjet e k.... krihet”

Në darkë morëm njoftim, se mbas dy ditë bisedimesh OSBE-ja kishte vendosur të mbështeste dërgimin e një force ushtarake shumëkombëshe në Shqipëri. Kjo forcë do të veprojë nën kartën e OKB-s, në përputhje me parimet e OSBE-së ashtu siç e kishin kërkuar vendet e që kanë deklaruar se do të çojnë trupa në Shqipëri dhe konkretisht Italia, Franca, Greqia, Turqia, Austria dhe Rumania.    

Italia që ka luajtur rolin kryesor në OSBE për dërgimin e misionit në Shqipëri, tha se fillimisht kjo forcë do të përbëhet nga rreth 2500 trupa dhe në vartësi të gjendjes së sigurisë në Shqipëri, ajo mund të shkojë deri në 5000 vetë. Përfaqësuesi italian kishte thënë se synimi i kësaj force do të jetë krijimi i një mjedisi më të sigurt në Shqipëri për programet civile, të organizatave të tjera ndërkombëtare, ku përfshihen ndihmat humanitare, ndihmat financiare dhe ekonomike si dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme. Forca ndërkombëtare do të sigurojë aeroportin e Tiranës, portet e Shqipërisë dhe rrugët kryesore të kalimit të ndihmave.

Sot sekretarja e Shtetit e SHBA, Madlen Ollbrajt ka deklaruar se SHBA nuk do të dërgojë trupa në Shqipëri. Ajo ka thënë: “Ne mendojmë se bëhet fjalë për operacion që europianët mund dhe duhet ta zgjidhin nga pikëpamja diplomatike dhe nga  të gjitha pikëpamjet e tjera”.

Komandanti i Flotës 6-të Amerikane, n/Admirali Abbot, që para disa ditësh ishte në Shqipëri, me të cilin unë dhe Adem Çopani patëm një takim në Ambasadën e SHBA i kishte dhënë një intervistë radios “Zëri i Amerikës” për vizitën dhe përshtypjet nga Shqipëria dhe nga biseda që kishim zhvilluar.

Ndërmjet tjera ai kishte thënë, se ishte i kënaqur se në Tiranë situata po shkon drejt stabilizimit dhe pavarësisht çfarë i kishim thënë ne, ai i kishte parë me sytë e tij. Vëmendje i kishte kushtuar bisedës që kishim zhvilluar në ambasadë, ku ndërmjet tjerave, unë i kisha thënë se po punojmë për ringritjen e Ushtrisë Shqiptare, por të një ushtrie të departizuar krejtësisht, të bazuar në traditat tona, në përvojën e vendeve të tjera të ngjashme me Shqipërinë e në radhë të parë, mbështetur në mënyrën e organizmit sipas programit për Partneritetin për Paqe dhe të organizimit të ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s. Dua të vë në dukje se meqë unë e kisha përsëritur disa herë mbështetjen edhe në traditat tona, disa politikanë e medie ishin marrë gjatë me këtë problem, madje duke e komentuar sikur unë kisha ndërmend të ktheheshim tek organizmi i ushtrisë të kohës së socializmit, që realisht unë nuk e njihja, sepse në punën dhe jetën time nuk kisha pasur asnjë lidhje me problemet ushtarake.

Në intervistën e tij, n/Admirali Abbot kishte thënë se “Është e qartë se modeli konkret që ministri Shqiptar do të zbatojë është një vendim që do të merret nga vetë Shqipëria. Në fakt, ministri i Mbrojtjes deklaroi se ky model do të bazohet te tradita e Shqipërisë dhe unë mendoj se kjo është e drejtë. Të gjitha vendet kanë traditat e tyre, që në fund të fundit janë të dobishme dhe çojnë në ngritjen e moralit të ushtrisë.”

Natën vonë më njoftuan se në Levan të Fierit ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë. Nga të dhënat paraprake rezulton se janë vrarë 18 vetë. Thuhet se të vrarët janë nga rrethe të tjera, por të dhënat janë kontradiktore.

Një lajm i çuditshëm vjen nga Jugosllavia. Në një mbledhje të udhëheqjes jugosllave ku kishin marrë pjesë Presidenti i Jugosllavisë, Presidentët e Serbisë dhe Malit të Zi,  ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtatmadhorisë kanë vendosur që të mbajnë në gatishmëri trupat ushtarake që mbrojnë kufirin me Shqipërinë.

E.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Coli: 26/05/2022 03:17

    Pra qeveria e SHBA kritikonte qeverine e Shqiperise. Berisha ka qene president me duket, po kryeminister ke kena pat????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fier, neglizhuan mjekimin e pacientit dy vjet para, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)

Fier, neglizhuan mjekimin e pacientit dy vjet para, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)